U kap me euro të falsifikuara, arrestohet 20-vjeçari në Tiranë

Një 20-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi është kapur me euro të dyshuara false. Po ashtu, janë prodeduar penalisht edhe dy persona të tjerë, për moskallëzim krimi.

Sekuestrohen kartëmonedhat e dyshuara false.

NOA

Shërbimet e Forcës së Posaçme ‘Shqiponja’, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore për një shtetas që posedonte kartëmonedha false, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar ‘False’”, njofton policia.

Në sheshin ‘Nënë Tereza’, shërbimet e Policisë bëjnë të ditur se kanë ndaluar për kontroll automjetin me drejtues shtetasin A. Q., dhe pasagjerë shtetasit D. M., dhe S. Q., Gjatë kontrollit fizik, shtetasit S. Q., i janë gjetur kartëmonedha euro të prerjeve 100 dhe 200, të dyshuara të falsifikuara (në total 2800 euro), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasi S. Q., 20 vjeç, banues në Elbasan, për veprat penale “Falsifikimi i monedhave” dhe “Mashtrimi”, mbetur në tentativë. Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. Q., 23 vjeç (vëllai i 20-vjeçarit) dhe D. M., 23 vjeç, të dy banues në Elbasan, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.