Tragjedia e Briselda Gjikolajt të vrarë në Laprakë, e kishin fejuar 14-vjeç pa dëshirën e saj

689
Sigal

Zona e Laprakës në Tiranë u trondit të mërkurën në darkë nga një atentat me armë zjarri ku mbeti e vdekur 17-vjeçarja Briselda Gjikola dhe u plagos rëndë i dashuri i saj, 23-vjeçari Erion Bengo.

17-vjeçarja jetonte në Tiranë me të vëllain më të vogël, prindërit i kishte të ndarë, mamaja e fëmijëve Gjikola jeton në Itali ndërsa babai në Mirditë. Gjatë vjeshtës së këtij viti, fëmijët kishin humbur edhe të dy gjyshërit.

Por këto të mësipërmet nuk ishin të vetmet detaje tragjike për familjen Gjikola. Gazetari Isa Myzyraj nga “Dritare.net”, ka mësuar nga burime të afërta me 17-vjeçaren se ajo ka pasur një histori aspak normale 3 vjet më parë, kur ishte vetëm 14-vjeçe.

Vetëm 14 vjeçe, Briseldën e kishin fejuar pa dëshirën e saj me një person shumë më të madh në moshë dhe personi në fjalë e kishte marrë nga Mirdita që të jetonte me Briseldën në Durrës.

13 ditë pasi 14-vjeçarja është marrë pa dëshirën e saj nga familja në Mirditë, ajo ka ikur nga i fejuari teksa ka gjetur strehim tek persona të tjerë, të cilët e kanë ndihmuar.

Mësohet se asokohe me ndërhyrjen e policisë Briselda i ka dhënë fund kësaj fejese me një person që nuk e donte, ndërsa të njëjtat burime nuk shprehen të sigurtë nëse ngjarja e para 3 viteve mund të ketë lidhje me krimin e këtij 26 dhjetori.