Tjetërsuan procesverbalet e një aksidenti, pezullohen nga detyra 3 punonjës policie në Korçë

71
Sigal

Pezullohen 3 punonjës policie në Korçë.  Burime bëjnë me dije se me vendim gjykate janë pezulluar 2 policë dhe një oficer, të tre pjesë e sektorit të qarkullimit rrugor.

Sipas informacioneve mësohet se 3 punonjësit kanë tjetërsuar procesverbalet lidhur me një aksident të ndodhur. Hetimi ka zgjatur rreth 2 muaj, ndërsa priten informacionet zyrtare nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore të cilët kanë ekzekutuar vendimin e gjykatës së Korçës.

Hetimi është bërë me përgjime telefonash dhe përgjime ambientale, ndërsa nuk jepen më tepër detaje për shkak të hetimit.

Njoftimi:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan Korçë) ka zbatuar Urdhërin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, e cila ka vendosur masën e sigurimit të karakterit ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për punonjësit e policisë të mëposhtëm:

– Nënkomisar K. SH., 32 vjeç, me detyrë Specialist i Trafikut Urban dhe Interurban në Sektorin e Policisë Rrugore në DVP Korçë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumentave” në bashkëpunim.

– Inspektor K. ZH., 27 vjeç, me detyrë Trupë shërbimi në Sektorin e Policisë Rrugore në DVP Korçë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumentave” në bashkëpunim.

– Inspektor O. L., 25 vjeç, me detyrë Trupë shërbimi në Sektorin e Policisë Rrugore në DVP Korçë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumentave” në bashkëpunim.

Këta punonjës policie dyshohet se kanë manipuluar provat për një aksident me dëme materiale, si dhe kanë falsifikuar një test alkoli, duke mos e aplikuar tek shkaktari i aksidentit por tek një tjetër person.

Hetimet vazhdojnë për identifikimin e punonjësve të tjerë të dyshuar si të implikuar, ndërsa materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.