Terror e përplasje me armë. Krimi pushton vendin. Mbrëmë një i vrarë e 3 të plagosur

521
Sigal

Policia inekzistente. Bandat e armatosura bëjnë ligjin. Qytetarët: Po na kthehet 1997-ta. Tahiri të lerë shifrat e të na siguroj jetën!

Tronditet përsëri kryeqyteti. Përplasjet me armë, dy në harkun e 8 minutave, e sipas burimeve paraprake , pjesë të një skenari mafioz që përfundon me viktima e të plagosur, terrorizojnë banorët duke u kujtuar ankthin e pasigurinë e trazirave të vitit 1997. Për më tepër, kur protagonistë (viktima apo autorë), janë emra të njohur të botës së krimit në këtë tranzicion të gjatë, situate bëhet më e rënduar në të gjithë aspektet. Një viktimë e tre të plagosur, një prej të cilëve Emiljano Shullazi, një emër I njohur për policinë e drejtësinë u regjistruan mbrëmë. Dy viktima, njëra student, e një i plagosur po në atentate me armë zjarri u shënuan në nisje të 2015-tës në Vlorë. Krimi tashmë jo vetëm ka dal hapur e sfidon ligjin, por godet me format më të sofistikuara, duke I bërë sfidë shtetit. Kurse policia, ministri Saimir Tahiri, në vend që të përballen profesionalisht me krimin, vazhdojnë lojën e shifrave, duke u krenuar me faktin se ka një apo dy me pak të vrarë se në kohën që qeveriste e djathta…

LUFTA ME ARMË

Mbrëmjen e djeshme, Emiljano Shullazi, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare për trafik droge dhe armësh, është plagosur pasi është qëlluar me një breshëri plumbash mbrëmjen e sotme në Qafën e Kasharit. Ngjarja, sipas burimeve të policisë, është rregjistruar rreth orës 20:15 të ditës së hënë. Shullazi ishte duke lëvizur me makinën e tij me targë AA 649 HR kur është qëlluar nga dy automjete të tjera që e ndiqnin. Pasi ka marrë disa plumba, ai ka humbur kontrollin e timonit dhe makina ka përfunduar në kanal. I plagosur, Shullazi është dërguar në Spitalin e Traumës, ku mësohet se është qëlluar në shpinë, por jashtë rrezikut për jetën. Atentati ndaj Shullazit ka ndodhur pak minuta pas një vrasjeje që ka ndodhur në rrugën “Islam Alla” në Tiranë, ku ka mbetur i vdekur 42-vjeçari Arianit Sterjo dhe janë plagosur Pajtim Serjani dhe një efektiv policie, Roland Meta. Dyshohet se atentatet kanë qënë të lidhur me njeri -tjetrin, të organizuar dhe të sinkronizuar në kohë.

DETAJE RRETH NGJARJES 
Burimet nga vendi i ngjarjes, afruan dhe detaje rreth ngjarjeve të rënda të ndoidhura mbrëmjen e djeshme. Sipas tyre mësohet se “… gjatë rrugës së aeroportit, Emiljano Shullazi është ndjekur nga pas nga dy automjete, prej nga është qëlluar me armë të kalibrit të lartë, përkatësish kallashnikovë’.  “Dinamika e ngjarjeve edhe si minutazh, edhe për shkak të njohjeve, i lidh këto atentate me njeri – tjetrin.

Ngjarja ka filluar me atentatin ku mbeti i vdekur Arianit Sterjo. Më pas, u plagos Pajtim Serjani; dyshohet madje se ka pasur edhe një përleshje ndërmjet Pajtim Serjanit dhe një efektivi policie, Roland Metës, që po ashtu ka mbetur i plagosur. Paraprakisht, u pohua se u përmend një tjetër person i plagosur, Altin Dani, por që deri në orët e vona të natës, nuk u konfirmua zyrtarisht. Dyshohet se në këto ngjarje janë përfshirë 4-5 persona si autorë dhe numri i atyre që i kanë mbështetur, edhe më i madh”- konfirmuan burimet e mësipërme.

Pas ngjarjes, krahas forcave të shumta të policisë, në vendin e ngjarjes dhe në operacion, janë përfshirë dhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit. Ndërkohë, disa hetues janë drejtuar tek Spitali i Traumës për të marrë dëshmitë e të plagosurve.

NË SPITALIN E TRAUMËS

Rreth orës 23:00 të mbrëmjes së djeshme, nga spitali i Traumës u mësua se atje ndodhen një viktimë dhe tre të plagosur. U pohua se Shullazi është i plagosur, por jo në organet jetike, ndaj ai është jashtë rrezikut për jetën. Së bashku me Shullazin, në spital ka përfunduar i plagosur edhe personi tjetër, Pajtim Serjani, që u qëllua në rrugën “Islam Alla” e po ashtu, edhe efektivi Roland Meta. Njëkohësisht, në spital, gjatë gjithë natës, ka qenë prezent një forcë e madhe policore, për shkak të një mundësie të konfliktit me armë mes palëve të përfshira në këtë përplasje me armë.

POLICIA

Burimet zyrtare policore kanë qenë tepër të rezervuara në dhënien e informacionit rreth përplasjeve me armë në mbrëmjen e djeshme. “Dyshohet se dy përplasjet me armë në harkun e 8 minutave, kanë lidhje me njeri-tjetrin dhe mund të kenë ndodhur për larje ehsdapesh mes palëve. Sipas inormacioneve të pakta që janë grumbulluar për momentin, nuk përjashtohet dhe mundësia e zanafillës së përplasjes me armë, me ngjarje të rënda të regjistruar në kryeqytet gjatë viteve të fundit:- shtojnë burime të rezervuara të policisë. Ndërkohë, për qytetarët, ngjarja e mbrëmshme, përveç terrorit me viktima, ka sjellë frikën e pasigurinë për situatën që të kujton luftën mes bandave të vitit 1997. Ndërkohë, për policinë, numri i shumtë i viktimave në 4-5 dit, veçanërisht rasti i Vlorës dhe ai mbrëmë ën Tiranë, në vedn që të jetë një kambanë alarmi, deri tek ministri Saimir Tahiri e kreu i qeverisë, përdoret si ‘kartë’ ‘numri më i vogël i viktimave se e njëjta periudhë  e vitit që shkoi”.