Lulzim Basha/ Liria e medias nën trysninë e qeverisë dhe krimit të organizuar 

618
Sigal

*Kryetari i PD-së

 5 Janari, Dita e Lirisë së shtypit shqiptar, 24 vjetori i botimit të numrit të parë të Rilindjes Demokratike

Me daljen e gazetës “RD”, më  5 Janarin e vitit 1991, menjeherë pas fitores së pluralizmit politik dhe themelimit të Partisë Demokratike, ngjarja më e madhe demokratike e shekullit për shqiptarët u kompletua; diktatura që kishte zgjatur një gjysëm shekulli u fut me shpejtësi në rendin e numërimit mprapsht drejt fundit; epoka e re e lirive dhe të drejtave u nis për të mos ndaluar më kurrë. Në këtë kapërcim të madh, gazetës “RD” i ra barra të përmbushte funksione të trefishta: si gazetë e Partisë Demokratike, gazetë e opozitarëve në tërësi, dhe të gazetës së lirë. Ajo u rrit dhe dominoi si e tillë me një tirazh rekord që nuk do të arrihej nga asnjë media tjetër e shkruar. Deri sa në skenë të shfaqeshin gazetat e para të lira e të pavarura në kuptimin juridik të fjalës, që do të sillnin ndryshime cilësore dhe larmi të madhe në panoramën e medias shqiptare. Në këtë panoramë “Rilindja Demokratike” është sot, pas njëzet e katër vjetësh, një gazetë e Partisë Demokratike. Media jonë, media e re shqiptare, ka një histori të madhe të fillimit, të vazhdimit të rritjes, të përpjekjeve shpeshherë të jashtëzakonshme për të mbijetuar në ruajtje të pavarësisë dhe vlerave të saj autentike si pushtet i katërt në shoqërinë e hapur demokratike. Çdo 5 janar, kjo histori kalon në mendjen tonë si një porosi dhe si një vlerë që duhet ta ruajmë e çojmë përpara. Çdo 5 janar ne kujtojmë me nderim dhe respekt të veçantë gazetarët e parë, publicistët e parë, intelektualet e parë, ata që konceptuan dhe krijuan në kushte shumë të vështira, me pasion dhe me përkushtim të madh, gazetën e parë, “Rilindjen Demokratike”.  Shumica prej tyre punojnë dhe kontribuojnë sot si profesionistë në median e shkruar dhe elektronike. Shqetësimi dhe qëllimi i vetëm është një dhe vetëm një: ruajtja dhe forcimi i lirisë së medias në një anë si një detyrim në radhë të parë i qeverive dhe institucioneve të tjera të sistemit demokratik; ruajtja dhe zhvillimi i medias së lirë në anën tjetër si një sifidë në radhë të parë e profesonistëve të medias. Pa këtë lidhje- liri shtypi dhe shtyp të lirë- demokracia nuk mund të jetë e vertetë, e plotë dhe funksionale, por thjesht një mashtrim i neveritshëm. Ky diskurs synon të identifikojnë format e reja, akoma më të sofistikuara, të përpjekjeve për marrjen nën kontroll të mediave nga pushteti ekzekutiv dhe krimi i organizuar, për të vënë nën censurë të vërtetat e hidhura, të dhimbshme dhe tronditëse të jetës së përditshme të qytetarëve. Për të prodhuar realitete virtuale të një mirëqënie, sigurie dhe normaliteti inekzistent për shumicën dërrmuese të qytetarëve. Për të frenuar e mundësisht ndalur për hesap të qeverisë shpirtin e protestës dhe revoltës qytetare kundër gënjeshtrave, mashtrimit dhe përkeqësimit të gjendjes për shkak të politikave të qeverisë. Ky në fakt është antimisioni i medias në demokraci. Misioni i saj fisnik ka qenë dhe është të mbështesë çlirimin e kundërshtimit, të jetë në anën e publikut përballë qeverisë. Mision, që media e lirë shqiptare e ka kryer shpeshherë në momentet më kyçe. Sot, për fat të keq, vërejmë se një pjesë e mediave detyrohet të falë apo lëshojë nga aksionet e pavarësisë editoriale dhe profesionale, të vihet në një vartësi të shtuar ndaj qeverisë apo të shndërrohet në një apendiks të qeverisë, që i ofron me këto kushte të rënda mundësinë të mbijetojë, si biznes i trafikut të interesave, biznes që vetëm me median e lirë nuk ka më asnjë lidhje. Pse ndodh kjo? Nuk ka dyshim se kriza ekonomike ka prekur e vazhdon ta dobësojë nga brenda ngrehinën e mediave dhe kjo situatë nuk mund të mos këtë kosto dhe pasoja në shumë rrafshe. Si çdo sipërmarrje tjetër, edhe sipërmarrja e mediave ka nevojë të mbështetet me politika të mëkëmbjes dhe shëndoshjes ekonomike. Mediat kanë nevojë për t’u mbeshtetur, është shumë e rëndësishme krijimi i mundësive dhe hartimi i politikave përfituese për të. Ne emër të Partisë Demokratike dhe opozitës u premtoj medias dhe publikut të saj se ne do të mbështesim politika përfituese për të gjithë, që janë diçka krejt tjetër nga qokat, pazaret kushtëzuese dhe privilegjet për puthadorët. Ajo që dua të veçoj sot, duke njohur siç e theksova më lart vështirësitë e medias për të mbijetuar, është rreziku i konformizmit të medias me qeverinë dhe qeverisjen. Konformizmi nuk është zgjidhje. Përkundrazi: konformizmi i mediave me qeverisjen propagandistike dhe problematike, edhe pse duket i ëmbël në fillim, kur merr lëmoshën apo benefitet, ose i shpëton presionit të padrejtë e të paligjshëm, ka efekte më të këqija në afat të mesëm se vetë kriza ekonomike ka mbi mediat. Kur vërej me keqardhje përparimin e konformizmit në një pjesë të medias sonë unë sigurisht, akuzoj dhe tregoj me gisht piksëpari qeverinë. Qeverinë propagandistike që ka vetëm një merak; të bojatisë realitetin në degradim të përditshëm. Qeverinë që ka nevojë e nuk ka turp të fshehë errësirën për qindra mijëra familje në festën e ndyshimit të viteve. Që nuk ka skrupuj të injorojë vështirësitë e skajshme të qindra mijëra qytetarëve, që bën të nëntëdhjetë e nëntat për të mbuluar skandalet e saj, abuzimet dhe korrupsionin e saj gjigand me paratë e taksapaguesve shqiptarë, paaftësinë, pashpirtësinë dhe shurdhërinë e saj përballë klithjes së varfërisë dhe padrejtësisë në vend. Qeverinë që ka nevojë të ngutshme të hedh në sulm kundër opozitës kë të mundet e kë të gjejë të disponueshëm për të nënvleftësuar e përbaltur çdo përpjekje dhe nismë që ka për qëllim të ndalojë të keqen, përfshirë nismën tonë historike për dekriminalizmin e Kuvendit dhe administratës, për çmontimin e mekanizmit që promovon trafikantë dhe kontingjente të krimit të organizuar në institucionet përqaqësuese dhe në postet drejtuese. Përse vallë kjo qeveri paska nevojë t’i fshehë të gjitha këto? Përse paska nevojë t’i tregojë tjetër për tjetër të gjitha këto, duke shfytëzuar vështirësitë ekonomike të disa mediave apo ndonjë disponibilitet pa parime? Sepse nuk ka ndërmend të korigjohet. Sepse ka vendosur të shtyjë sa ta shtyjë me genjeshtra. Deri kur? Deri sa të mos e ndalë bashkimi rreth një qëllimi i opozitës, i medias së lire dhe i publikut të gjerë. Asnjë media e vertetë nuk lind për t’i bërë freks dhe nuk është e lumtur t’i bëjë fresk qeverisë. Qeveria ka detyrimin ta ndihmojë median dhe jo ta pengojë apo poshtërojë atë. Media gjithashtu e ndihmon qeverinë duke nxjerrë në pah me vertetësi dhe profesionalizëm gjithçka që është e mirë dhe duke kritikuar pa kompromis të keqen. Një shembull tipik është mënyra si është paraqitur e trajtuar nga ndonjë media rezoluta për dekriminalizmin e Kuvendit dhe institucioneve shtetërore, një ngjarje e madhe, një premisë e fortë për të shpëtuar vendin nga rënia nën zgjedhën e krimit të organizuar, që u arrit me ndihmën e partnerëve tanë europianë dhe amerikanë. Kryeministri Edi Rama është përgjegjegjësi numër një i promovimit në politikë, në Kuvend dhe në poste të rendësishme, duke i përzgjedhur me dorë nga bota e krimit. Nuk kemi thënë ndonjeherë se nuk ka patur raste sporadike edhe më parë, por kriminalizimin e Kuvendit dhe administratës tentoi ta ngrinte në sistem kryeministri Rama. Arsyet ju i dini po kaq mirë sa unë. Edi Rama nuk do të pranonte ta njihte këtë thagmë tragjike për parlamentarizmin dhe qeverisjen e vendit si përgjegjësi të tij dhe nuk do të pranonte kurrë një rrezolutë për dekriminalizmin pa këmbënguljen e fuqishme të opozitës dhe pa ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar. Edhe kur u tërhoq dhe pranoi propozimin e ndërkombëtarëve, ai bëri çmos të mos e tregonte fytyrën. E gjithë kjo për t’u dhënë një mesazh subjekteve të dekriminalizmit. Ndonëse rezoluta impenjon Ramën dhe Metën zyrtarisht para opinionit publik shqiptar dhe para institucioneve ndërkombëtare për dekriminalizmin, nga ana jonë nuk kemi patur e nuk kemi ndonjë iluzion se ata nuk do të bëjnë çfarë të munden për të penguar dhe sabotuar zbatimin e saj. Nga zori e kanë pranuar dhe nga zori do të vazhdojnë. Ne sidoqoftë jemi të vendosur për t’i shkuar deri në fund dhe të mos lejojmë zbatimin e skenarit të tyre të zhvlerësimit të nismës për dekriminalizimin që për fat të keq u luajt me apo pa dashje edhe në ndonjë media. Opozita dhe opinoni publik prêt nga media e lirë ndërgjegjësim, mbështjetje dhe kontribut për dekriminalizimin si një emergjencë kombëtare dhe për çdo synim tjetër jetik dhe fisnik në shërbim të një demokracie sa më të shëndetshme. Nuk bej apel “punoni për ne”. Dua të përsëris se ne, opozita politike dhe media e lirë, jemi në një anije për të bërë se kush me mjetet e veta kontrollin e qeverisë, kritikën e qeverisjes, denoncimin e paaftësisë, shpërdorimeve, abuzimeve dhe korrupsionit, kudo dhe sa herë të verifikohen. Ne jemi në të njëjtën anije për të shërbyer demokracinë në Shqipëri, ëndrrën europiane të shqiptarëve. Besoj thellë në këtë bashkëpunim, pa i ngatërruar stacionet. Besoj në misionin e medias, besoj në lidhjen e saj organike me të vertetën. Besoj në qëndrueshmërinë dhe përparimin e medias kombëtare.