Si u shndërrua Ervina Gjana në nyje të grupeve kriminale, nën mbrojtjen e kupolës

Ervina Gjana, drejtoresha me katër dosje penale: nga grabitja e databazës së policisë te hetimi i SPAK për grup kriminal

Para një jave, Drejtoreshës së Antikrimit Kibernetik në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, Ervina Gjana, me vendim të SPAK dhe GJKKO-së, iu sekuestruan telefoni, kompjuterët, dokumente të zyrës dhe materiale hetimore në banesë.

Sigal

Sekuestrimi u krye në kuadër të një hetimi për përfshirje në grup të strukturuar kriminal me aktivitet mashtrime online, call-center, ndërhyrje në sistemet informatike dhe TIMS, si dhe bashkëpunim në krimin kibernetik, ku rezulton i përfshirë edhe bashkëshorti i saj, Renato Hristiç.

Drejtoresha Ervina Gjana, e cila ka në dorë shërbimin e sigurisë dhe antikrimit kibernetik në Policinë e Shtetit, rezulton me katër dosje penale në Prokurorinë e Tiranës dhe SPAK, si dhe në Agjencinë e Mbikqyrjes Policore. Më 2 gusht 2023, së bashku me Drejtorin e IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, drejtoresha e Antikrimit Kibernetik, Ervina Gjana, grabiti databazën me të dhënat e Policisë së Shtetit. Konkretisht, u grabitën të dhënat për hyrje-daljet e personave në pikat kufitare, dokumentet biometrike, gjeneralitetet, ngjarjet kriminale, aksionet e policisë, dosjet hetimore, listat e personave të dyshuar për terrorizëm, personat në gjurmim dhe kërkim, targat dhe gjobat e automjeteve, si dhe komunikime e raporte sekrete mes policisë, drejtësisë, agjencive të sigurisë dhe partnerëve të huaj. Më 30 maj 2014, kur Ervina Gjana ishte specialiste IT në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, SHÇBA e kallëzoi në Prokurori dhe e pezulloi nga detyra, pasi kishte vjedhur hard diskun e kompjuterit zyrtar ku ruheshin të dhëna tepër sekrete. Megjithatë, përmes ndikimeve të caktuara, çështja penale iu pushua, ajo u rikthye në polici dhe më pas u emërua Drejtoreshë e Antikrimit Kibernetik. Madje, drejtoresha Ervina Gjana u bë aq e fuqishme për shkak të ndikimit të klaneve mafioze, sa filloi të diktonte vendime edhe në kupolën e Policisë së Shtetit. Në muajin janar 2025, ndaj Drejtoreshës së Antikrimit Kibernetik, Ervina Gjana, u depozitua një tjetër kallëzim në Prokurorinë e Tiranës, por çështja u pushua në heshtje. Sekuestrimi i telefonit nga SPAK, para një jave, përbën rastin e katërt të hetimit ndaj saj.

Në nëntor 2024, Drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, me urdhër të klaneve mafioze brenda dhe jashtë pushtetit, e caktoi Ervina Gjanën drejtuese të komisionit që përzgjodhi 48 shefa komisariatesh. Ajo i përzgjodhi këta drejtues sipas preferencave të grupit mafioz ku bënte pjesë, ndërsa drejtori Ilir Proda vetëm firmosi emërimet, pa guxuar të kryente asnjë verifikim apo ndryshim./Pamfleti