Drogë me anë të dronit në burgun e Shënkollit

460
Sigal

Një befasi e madhe u ndodhi policëve dhe gardianëve mbrëmjen e djeshme në burgun e Shënkollit. Megjithatë, pas habisë, Policia e Shtetit dhe ajo e Burgjeve arritën të ndalonin një tentativë për të futur drogë dhe celularë në qelitë e burgut të Shënkollit.

Në orët e vona të mbrëmjes, në rrethimin e jashtëm të burgut të Shënkollit, policët e burgut në shërbim kanë parë se një dron që po fluturonte, po hynte në zonën e ndaluar dhe menjëherë njoftuan Policinë e Lezhës.

Në drejtim të burgut janë nisur forcat e FNSH të Shkodrës të cilat ishin me shërbim në Lezhë si dhe shërbimet e policisë së Lezhës së bashku me grupin hetimor.

Falë reagimit dhe veprimeve të shpejta dhe profesionale u bë e mundur bllokimi i dronit në rrethin e dytë të jashtëm të burgut.

Gjatë kontrollit, në dron u gjetën të lidhura në një qese plasmasi 7 pako me drogë dhe 3 celularë.

Policia e Lezhës dhe FNSH zbuluan tek pjesa e pasme e burgut, në një distancë 1 km, një makinë, të cilën e bllokuan menjëhërë. Brenda saj ndodheshin tre persona.

Gjatë kontrollit në automjet, policia u gjeti dhe sekuestroi telekomandën e dronit që u sekuestrua brenda rrethimit të dytë të jashtëm të burgut, çantën ku futej droni si dhe tre aparate të tjerë celularë.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

M.V., 28 vjeç banues në fshatin Vrake, Malësi e Madhe, i dënuar më parë për vjedhje

Xh. K., 25 vjeç, banues në Shkodër,

Xh.L.,  28 vjeç, banues në Bajze, Malësi e Madhe, Shkodër

Materialet do ti kalojnë për hetime të mëtejshme Prokurorisë Pranë Gjykatës Shkalles së Parë Lezhe për veprat penale “Prodhimi dhe shitje te narkotikeve” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim e mbetur ne tentative”.