Shpërthim tragjik në Korporatën Elektroenergjetike në Obiliq, shënohen 2nviktima

509
Sigal

Kosovë, 2 të vdekur dhe 13 të plagosur. Jahjaga apel për solidaritet. Momente të vështira!

Kosovë-Nga shpërthimi që ndodhi mesditën e djeshme në Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës në Obiliq janë nxjerrë nga rrënojat 2 persona të gjallë, të cilët ishin raportuar për të vdekur. Ndërkohë, u konfirmua një viktimë, që dyshohet të jetë Lutfi Jashari. Njëri prej personave që u nxor i gjallë ishte Tefik Bela. Sipas raporteve të publikuara paraprakisht, numri i viktimave deri tani është 2, ndërsa të plagosur 13.

Kronologjia e ngjarjes:

Ora 11:00 Shpërthen bombola e hidrogjenit

Rreth orës 11:00 të ditës së djeshme u bë e ditur se, një shpërthim i fuqishëm ndodhi në KEK, në Obilisht, Kosovë. Gazetari i gazetës “Express” nga vendi i ngjarjes raportoi se, shkak i kësaj tragjedie ishte shpërthimi i një boce të hidrogjenit. “Shpërthimi ka lënduar shumë punëtorë dhe ka vrarë tre prej tyre”,- tha gazetari, duke iu referuar pohimeve të zyrtarëve të KEK-ut.

Ora 12:30 Mediat: Priten shpërthime të reja

Edmond Nulleshi, drejtor i shërbimeve në Korporatën Energjetike të Kosovës, ka thënë se, shpërthimi ka ndodhur në Repartin e Elektrolizës në Termocentralin Kosova A. Mediat kosovare raportojnë se priten shpërthime të reja.

Ora 12: 38 Thaçi: Nuk ka kaluar ende rreziku!

“Shefi i Klinikës së Emergjencës, Basri Lenjani, konfirmoi se, 13 të lënduar janë pranuar në QKUK. Kryeministrit Thaçi, nga vendi i ngjarjes tha se, të gjithë punëtorët u larguan për shkak se, nuk kishte kaluar ende rreziku. “Nuk ka kaluar ende rreziku, por është izoluar zona e rrezikshme. Të gjitha strukturat e specializuara janë në gjendje gatishmërie. Janë duke u larguar të gjithë punëtorët nga vendi i punës, për shkak se ende nuk ka kaluar rreziku. Jam me punëtorë, ministrin Ismaili, të gjithë, me qëllim për të shpëtuar njerëzit”,- tha kryeministri Thaçi, i cili anuloi të gjitha aktivitetet elektorale për shkak të shpërthimit në KEK, informon RTK

Ora 12: 24 Kërkohet dhurues gjaku përmes Tvviterit

Ora 12:40 Filloi evakuimi i banorëve rreth KE-ut

Rreth orës 12:00 filloi evakuimi i familjeve nga shtëpitë që ndodheshin shumë afër vendit, ku ndodhi shpërthimi. Banorët dhe qytetarët aty, thanë se, prej dy ditësh nisi një rrjedhje e hidrogjenit, e cila është injoruar nga menaxhmenti i KEK-ut.

Ora 13:17 Jahjaga apel për solidaritet. Momente të vështira!

Presidentja kosovare Atifete Jahjaga ka shprehur dhembjen e thellë për tragjedinë që goditi punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës. Në një reagim të presidentja thotë se: “në këto momente të vështira të solidarizohen në dhembje me familjarët dhe të afërmit e atyre që u prekën nga kjo fatkeqësi e rëndë dhe të bashkohen në lutje për fatin e punëtorëve të KEK-ut dhe shërimin e tyre të shpejtë”. Presidentja kosovare nuk harron pa falënderuar ekipet e emergjencës, policisë së Kosovës dhe mjekët në QKUK për punën e bërë gjatë kësaj tragjedie.

Ora 14: 03 Partitë anulojnë fushatën, LDK e AKR kërkon hetim

Partitë Politike në Kosovë kanë anuluar aktivitetet elektorale pas shpërthimit tragjik në termocentralin Kosova A. Përmes deklaratave për shtyp por edhe përmes rrjeteve sociale partitë të cilët sot do të mbanin mitingun përfundimtar për të mbyllur fushatën e zgjedhjeve të 8 qershorit janë shprehur se do të anulojnë fushatën. Ndërkohë LDK dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës bëjnë thirrje për të hetuar ngjarjen.

Ora 16:10 Zëdhënësi i KQZ: Zgjedhjet nuk shtyhen

 Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi konfirmon se, zgjidhet në Kosovë nuk do të shtyhen, ato do të mbahen më 8 qershor.

Ora 16: 35 Nxirret nga rrënojat një person i gjallë

Një person u nxor i gjallë nga rrënojat ku ndodhi shpërthimi në Termocentralin ‘Kosova A’. Këtë e konfirmuan familjarët e tij.

Ora 19:50 Farina i dërgon telegram ngushëllimi Presidentes Jahjaga

Forcat e NATO-s në Kosovë, KFOR kanë dërguar mediave një telegram ngushëllimi për ngjarjen tragjike të Obiliqit. “Komandanti i Forcës së Kosovës (KFOR), gjeneral-major Salvatore Farina i shprehë ngushëllimet e tij dhe të kontigjentit shumëkombësh të KFOR-it pranë NATO-s tek presidentja e Kosovës, zonja Atifete Jahjaga duke ndarë “ndjenjat e dhembshurisë së thellë dhe afërsisë me familjet e personave që kanë humbur jetën dhe duke iu dëshiruar të lënduarve shërim sa më të shpejtë”, thuhet në telegramin e KFOR-it.

EULEX ka shprehur keqardhje për ngjarjen

Në vazhdën e telegrameve ngushëlluese për ngjarjen tragjike në Obiliq, misioni europian për sundim të ligjit, EULEX ka shprehur: “Ngushëllimet e sinqerta familjeve dhe të dashurve të atyre që vdiqën, dhe ndanë dhimbjen me të tjerët që u lënduan pas shpërthimit të sotëm në Obiliq”.

Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile: Të zbardhet e vërteta!

Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm, KOSID, kërkoi që autoritetet e rendit ta zbardhin sa më parë të vërtetën rreth asaj që ndodhi dje në termocentralin Kosova A. KOSID përmes një komunikate i bën thirrje edhe KEK-ut që të marrë masa të menjëhershme për të rritur sigurinë në punë, raporton Europa e Lirë.

Shqipëria ndihmon Kosovën me energji elektrike

Duke shprehur solidaritetin për ngjarjen në Kosovë, ministria Energjetike dhe Industrisë, ka shprehur gatishmërinë për ta ndihmuar me energji elektrike. “Mund të shkojë deri në 200 megavat në bandë për tre ditët e ardhshme”,- thuhet në deklaratë.

Emrat e të plagosurve

1- Naim Hajrizi 1978 Prishtinë

2- Bashkim Kutllovci 1950 Prishtinë

3- Bashkim Tanaj 1968 Obiliq

4- Nyredin Dardhishta 1985 Kaqanik

5- Izet Dedinca 1969 Lajthisht-Obiliq

6- Mentor Avdyli 1979 Dobroshevc Drenas

7- Besim Elezi 1977 Mihhaliq – Obiliq

8- Elmza Hoxha 1956 Miradi e ulet – Fushë Kosovë

9- Shemsi Klinaku 1975 Obiliq

10- Besim Krasniqi 1974 Obiliq

11- Rrahman Alshiqi 1953 Obiliq

12- Hamdi Kutllovci

13- Ali Kutllovci

Krerët e shtetit shqiptar shprehin ngushëllime për shpërthimin në Kosovë

 Bujar Nishani: Solidaritet në përballimin e fatkeqësisë!

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, sapo u informua për ngjarjen e rëndë të ndodhur dje në Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës (KEK), në Obiliq, i telefonoi Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, ku i shprehu trishtimin për ngjarjen e rëndë, ngushëllimin për viktimat, duke uruar shërim sa më të shpejtë për të lënduarit. Presidenti Nishani, shprehu besimin se, Qeveria dhe autoritetet e Republikës së Kosovës do ta përballojnë dhe kalojnë këtë fatkeqësi  me solidaritet dhe angazhim të lartë.

 Ilir Meta: Solidaritet vëllazëror me gjithë popullin kosovar

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i shprehu ngushëllime homologut të tij kosovar, Jakup Krasniqi për ngjarjen tragjike të ndodhur në Obliq. Nëpërmjet një telegram ngushëllimi, Meta shpreh ngushëllime të sinqerta për të afërmit e viktimave ndërsa uron shërim të shpejtë për të plagosurit. “Jemi pranë familjarëve dhe autoriteteve kosovare. Solidaritet vëllazëror me gjithë popullin kosovar. Lutemi që bilanci dramatik të mos thellohet”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të Kryeparlamentarit

 Kryeministri Rama i shpreh ngushëllimet homologut Thaçi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka shprehur ngushëllimet e tij, homologut Kosovar, Hashim Thaçi, për viktimat e shkaktuara nga shpërthimi tragjik i ndodhur dje në Korporatën Energjetike të Kosovës, (KEK), në Obliq. Kryeministri i vendit Edi Rama përmes faqes së tij zyrtare në “Facebook”, shkruan se , “ fola me KM Thaçin për pasojat e shpërthimit tragjik dhe i shpreha ngushëllimet dhe solidaritetin tonë. KM Thaçi ishte i lënduar dhe falënderues”. Më herët, përmes Facebook-ut. shefi i qeverise shprehu solidaritetin e tij për lajmin tronditës që ndodhi në Kosovë.

 Lulzim Basha: Bashkojmë dhimbjen dhe solidaritetin me familjet e viktimave

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka komentuar në faqen e tij “Facebook” për tragjedinë e ndodhur në Kosovë, duke u shprehur se: “Shpërthimi tragjik sot në Obiliq është një lajm i hidhur dhe tronditës për të gjithë shqiptarët. Në këtë orë fatkeqësie që shkaktoi humbje të jetëve njerëzore dhe dhjetëra të plagosur, së bashku me çdo qytetar shqiptar i bashkohem dhimbjes dhe solidaritetit me familjet e viktimave dhe me të gjithë qytetarët e Kosovës”. “Ju uroj shërim të shpejtë të plagosurve dhe lutem që pasojat e shpërthimit të mos rriten më tej”,- shprehet Basha.