Protestoi para Kryeministrisë, arrestohet 80-vjeçari nga Lezha

387
Sigal

Policia e Lezhës arrestoi një 80-vjeçar, i cili ishte pjesëmarrës në protestën e opozitës. Bëhet fjalë për Ndue Fugën, i cili hipi në strehën e kryeministrisë.

Fuga është marrë në banesën e tij në Fishtë dhe është nisur drejt Tiranës.

Ndërkohë më herët, Policia e Tiranës njoftoi se 15 persona u arrestuan dhe 5 të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë lidhur me aktet e dhunës gjatë protestës së një dite më parë (16 shkurt 2019) në sheshin para Kryeministrisë. Mes persona të arrestuar është edhe ish-kreu i policisë bashkiake të Tiranës, Florenc Hoxha.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim shtatë protestues të tjerë.

“Arrestimi i tyre u bë pas analizimit të pamjeve filmike, raport shërbimeve dhe provave të tjera të mbledhura, gjatë protestës së djeshme ku pati akte të dukshme dhune”, thotë policia.

Të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.