Policia Vlorë, Operacioni Ristart sekuestrohet 1 ton e 546 kg kanabis sativa, arrestohen 2 persona

423
Sigal

Vlorë më datë 14.05.2014 nga efektivat e Luftës Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë Qarku Vlorë është marrë informacion në rrugë operative në lidhje me lëvizjen e një sasie të konsiderueshme lënde narkotike në drejtim të qytetit të Vlorës.

 Menjëherë nga shërbimet e Drejtorisë së  Policisë Qarku Vlorë është organizuar një operacion policor  antidrogë i koduar “RESTART” ku si rezultat i të cilit rreth orës 05:30 të mëngjesit të sotëm në hyrje të autostradës Vlorë – Levan janë ndaluar automjetet tip Fugon i markës Mercedes-Benz me targa AA 002 IB dhe autovetura tip FIAT Croma me targa AA 262 FV si dhe shoqërimi në Drejtorinë e Policisë i drejtuesve të këtyre mjeteve:

 ·         Armando  Kuçi,  vjec,  37,  drejtuesi i fugonit, dhe;

·         Julian  Byzyka, vjec 30, drejtuesi i automjetit tip Fiat,  të dy banues në qytetin Fier.

 Nga veprimet e mëtejshme procedurale ka rezultuar se brenda në fugon ishin ngarkuar në 35 canta të zeza me 1546 kg lëndë narkotike te llojit “Cannbis sativa”.

Fugoni shoqërohej si pararojë nga autovetura tip Fiat Croma që drejtohej nga shtetasi Julian Byzyka.

 Menjëherë u krye arrestimi në flagrancë i shtetasve të mësipërm për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal si dhe janë shpallur në kërkim edhe disa persona të tjerë që dyshohet të kenë lidhje me këtë rast.

Mendohet  që lënda narkotike është transportuar deri në qytetin e Vlorës me qëllim trafikimin e saj në drejtim të Italisë me mjete lundruese. Në bashkëpunim me Prokurorinë po kryhen hetime intensive.

 Duam tju bëjmë me dije se vetëm gjatë periudhës Tetor 2013  Maj 2014  nga strukturat e Policisë së Shtetit vetëm në Qarkun e Vlorës janë sekuestruar 11 ton e 620 kg lëndë narkotike,  ndërsa në të njëjtën periudhë Tetor 2012 Maj 2013 janë sekuestruar 3980 kg   lëndë narkotike, pra  3 herë më shumë se në të njëjtën periudhë të mëparshme.