Plumbat në hotelin “Univers” të Elbasanit, dy në pranga dhe një në kërkim

733
Fisi Çapja në Elbasan, që prej 11 vitesh mban rekord për konflikte e përplasje, dje u shndërrua sërish në protagonist kryesor, pasi dy prej tyre nuk ngurruan të qëllonin me armë ndaj vetë policisë, që po i mbante nën mbikëqyrje në lidhje me 2 ngjarje të rënda të këtij viti. Për fat të mirë, askush nuk u lëndua nga kjo ngjarje që risolli në vëmendje nevojën urgjente për të ndërhyrë atje, në mënyrë që ky konflikt të mos sjellë viktima si 3 të vrarët e 3 shkurtit. Ditën e djeshme, grupi i mbikëqyrjes, që përbëhej nga katër persona, ishin të veshur civilë, pasi janë pjesë e Forcave Operacionale. Dy pjesëtarët e fisit Çapja, të cilët prej vitesh janë objektivë atentatesh, me gjasë kanë menduar se ndiqeshin nga hasmi (fiks e njëjta situatë e vitit 2012, kur Dritan Dajti vrau 4 policë të operacionales që kishin shkuar në Durrës për ta arrestuar) dhe kanë qëlluar 30 plumba ndaj bluve. Por, kësaj radhe, situata është neutralizuar shumë shpejt dhe policia mundësoi prangosjen e tyre, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. 

Ngjarja ndodhi në hotelin historik të Çapjave, “Univers”, ku u vra në vitin 2005 Sokol Çapja, në zonën e quajtur “Kisha e Shën Piut”, por fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar. Në dhjetor të vitit 2005, biznesmeni Sokol Çapja u ekzekutua te ai hotel. Sipas policisë, autorë të dyshuar të atentatit ishin shtetasit Dritan Sheme, Armando Hasani dhe Ardian Meta. Oficeri i policisë rrugore, Fadil Mema, në vitin 2006 u plagos me armë në këmbë. Disa kohë më pas u ekzekutua në dyqanin autoshkollë të Fadil Memës, kunati i tij, Ardian Ibrahimi. Më 15 gusht të vitit 2012, 40-vjeçari Gentian Beqiri është ekzekutuar në banesën e tij, në lagjen “Sporti i Vjetër”, të Elbasanit. Në mars të vitit 2015, ish-oficeri i Policisë së Shtetit vritet me pistoletë në Itali, teksa po shpërndante gazetat. Në fillim të muajit shkurt të këtij viti, në Elbasan mbetën të vrarë Agron Çapja, Ardit Sinakoli dhe Eno Bedalli, teksa u plagosën shtatë të tjerë. Një roje u arrestua dhe asnjë autor. Pak ditë më pas në Elbasan plagoset Bledar Muça, miku i Florenc Çapjas. Objektivi i atentatit ka qenë Florenc Çapja, ndërsa në vendin e ngjarjes mbeti e plagosur rastësisht edhe një efektive policie.
Sigal