Dëshmia e hajdutit serial në gjykatë: Vidhja celularë se s’kisha bukë të haja

351
Një hajdut celularësh është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 10 muaj burgim, pasi u shpall fajtor për një sërë vjedhjesh. Bëhet fjalë për shtetasin L.S., i cili vidhte aparate celulare dhe më pas i shiste ato pranë Postës Qendrore në Tiranë.
Ka qenë një vjedhje që ka kryer në një kompani Call Center, ajo që e ka nxjerrë zbuluar hajdutin serial. Gjithashtu, veshja e njëjtë thuajse në çdo episod ka lehtësuar punën e organeve ligjzbatuese për identifikimin e tij. Vetë i pandehuri ka thënë para hetuesve se ai ka vjedhur shumë celularë dhe nuk i mban mend të gjitha episodet.
Emri i tij figuronte edhe në sistemin TIMS për të njëjtën akuzë. Më datën 15 korrik të këtij viti, një punonjëse e një Call Center-i ka bërë kallëzim në Komisariatin nr. 4 të Policisë se i kishin vjedhur telefonin. Në Polici ajo ka thënë se kishte një telefon të markës “Huawei” dhe se punonte si recepsioniste në kompaninë në fjalë.
Ajo ka treguar se në atë datë ka dalë nga puna në orën 19:18 vetëm për disa minuta dhe kur është rikthyer, nuk e ka gjetur më aparatin celular. E gjithë vjedhja ishte filmuar nga kamerat e sigurisë që paraqisnin një burrë të moshës 50 vjeç, me kapele, i thinjur dhe që kishte veshur një bluzë me vija të bardha dhe jeshile.
Pas disa javësh është bërë i mundur identifikimi i shtetasit L.S., duke krahasuar edhe disa pamje filmike nga vjedhje të tjera, ku shihet i njëjti person me të njëjtën veshje. Pas identifikimit është ndaluar shtetasi L.S., që është marrë në pyetje. Fillimisht ai ka thënë se ishte endacak dhe se nuk kishte bërë asnjë vjedhje.
Pasi iu paraqitën prova dhe të dhëna nga sistemi TIMS ku rezultonte se kishte bërë vjedhje në qytete të ndryshme, ai ka pranuar të flasë. Ai ka thënë para hetuesve se ka vjedhur shumë celularë dhe nuk mbante mend të gjitha rastet që i paraqiteshin. Celularët që vidhte, shtetasi L.S., thoshte se i shiste pranë Bankës së Shqipërisë dhe Postës Qendrore.
“Nuk kam lekë për të ngrënë bukë, ndaj vjedh”, mësohet të ketë thënë ai para hetuesve. L.S. tha para hetuesve se, me paratë që fitonte nga shitja e sendeve të vjedhura, siguronte ushqime dhe kalonte kohën në zonën e “Pazarit të Ri”.
Ndërsa në Gjykatë, L.S. ka pranuar gjykim të shkurtuar dhe ka shprehur pendesë të thellë për veprimet e tij. Duke marrë parasysh këto, Gjykata e Tiranës e dënoi me 10 muaj burgim, nga të cilat ai do të kryejë vetëm 6 muaj, pasi përfiton ulje dënimi nga gjykimi i shkurtuar.
Sigal