Plagoset në burg kushëriri i Aleksandër Sadikajt, në gusht i shpëtoi një atentati

38
Sigal

Një përplasje me thika është regjistruar në burgun “Koridhalo” në Greqi, ku ka mbetur i plagosur 52-vjeçari Andrea (Adriatik) Kalemi nga Tepelena.

Autori i krimit ka qenë një 28-vjeçar egjiptian, i cili e ka qëlluar disa herë me thikë, duke e lënë të plagosur, teksa Andrea Kalemi po përgatitej të linte burgun për të fituar lirinë, pas disa ditësh. Egjiptiani dyshohet se është paguar për të kryer krimin.

Kalemi ka marrë plagë në kraharor, qafë e krah dhe u transportua në spitalin e burgut ku mori ndihmën e parë. Sapo kanë parë skenën, të burgosur të tjerë kanë goditur 28 vjeçarin, i cili ka marrë plagë në kokë dhe trup. Ashtu si Kalemi, edhe autori është transportuar në klinikën e burgut për të marrë ndihmën e parë.

Mediat vendase raportojnë se ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, teksa autori akuzohet për tentativë vrasjeje. Autorit iu gjet në dorë një thikë artizanale dhe një telefon.

Burime jo zyrtare konfirmojnë se pas daljes nga spitali, Kalemi është shoqëruar ditën e djeshme për në kufirin greko-shqiptar nga policia pasi e ka përfunduar dënimin dhe për këtë arsye është riatdhesuar.

52-vjeçari Andrea (Adriatik) Kalemi i shpëtoi një atentati më 9 gusht të këtij viti në ishullin Paksos, ku u qëllua me 10 plumba, teksa ndodhej me familjen për pushime. Autori dyshohet se kishte mbërritur në ishull me jet-ski dhe ende nuk është identifikuar.

Andrea (Adriatik) Kalemi është kushëriri i Aleksandër Sadikajt, i ekzekutuar me bombë me telekomandë pranë rrethrrotullimit të TEG në Qershor të vitit 2022. Pas këtij krimi dyshohet se qëndronin njerëzit e Edmond Papës, i cili u ekzekutua nga njerëzit e Sadikajt më 16 dhjetor të vitit të kaluar në Tiranë.

Dyshohet se dhe Andrea (Adriatik) Kalemi ka qenë i përfshirë në sagën e krimeve të lidhura me ekzekutimin e biznesmenit Edmond Papa nga Saranda dhe dyshohet se janë pikërisht njerëz të kësaj familje që kanë dashur ta eliminojnë për herë të dytë brenda vitit.

Përballja mes dy bandave dikur aleatë në trafikun e drogës,ka prodhuar disa të vrarë dhe të plagosur ndërsa duket se ende s’ka mbaruar.