Paraburgim 5 shqiptarëve për kalim të paligjshëm kufiri dhe lidhje me ISIS

442
Një gjykatë bullgare la dje në paraburgim 5 shqiptarë për kalim të paligjshëm të kufirit, por edhe nën dyshimet për lidhje me ISIS.
Ata u ndaluan me 28 gusht në afërsi të kufirit bullgaro-maqedonas, në postobllokun”Gueshevo” që është edhe një nga tre pikat e kalimit kufitar ku Bullgaria ka vendosur ushtrinë për të mbështetur policinë kufitare për shkak të krizës migrimit të paligjshëm.
Shtetasit po transportoheshin nga Fatos Redzhipi, i cili u kishte ofruar dhe një rushfet prej 175 eurosh rojeve kufitare, për të lejuar kalimin e tyre. Kjo ka ngritur edhe dyshimet tek policia bullgare, që më pas bëri dhe ndalimin e tyre.
36-vjeçari, i cili ishte dhe personi i vetëm që dispononte dokumenta identifikimi është tashmë pas hekurave dhe pritet ti drejtohet gjykatës së Apelit për ndryshimin e masës së sigurisë.
Siç raportojnë mediat bullgare, ai ka deklaruar se i vinte keq për aktin por se shokët i kishin kërkuar ti transportonte drejt Turqisë.
Gjykata la pas hekurave dhe Flamur. L 23 vjeç, Besnik Bytyçin 24 vjeç, L.K 20 vjeç dhe Atmir Bytyçi 20 vjeç. Ata janë akuzuar për kalim ilegal të kufirit. Të gjithë pranuan se donin të vendoseshin në Bullgari për një jetë më të sigurt.
Tre prej tyre mësohet se kanë thënë se janë shtetas kosovarë dhe pse nuk kishin mjete identifikimi. Ndërsa mësohet se personi i katërt dispononte dokumentat, por nuk ka pranuar t’ia ofrojë policisë.
Prokuroria tha se këta shtetas do të përballen me akuzën për kalim të paligjshëm të kufirit që parashikon 5 vjet burg dhe një gjobë prej 100 deri 300 leva bullgare.
Ndërkohë hetimet e Prokurorisë vijojnë edhe mbi dyshimet për lidhje me Shtetin Islamik të këtyre shtetasve.
Sipas mediave bullgare të cilat i referohen raporteve të policisë, të arrestuarve gjatë kontrollit të mjetit dhe bagazheve iu gjetën materiale të ndryshme përfshi video në telefona dhe fletushka e broshura, që mbështesnin Shtetin Islamik.
Në një prononcim për “BTV”, ministri bullgar i Mbrojtjes, Nikolai Nençev tha se ende nuk dihet se si grupi kishte kaluar kufirin, por ndaj tyre ka dyshime për lidhje me grupe të ndryshme radikale.
“Duket se të pesë burrat që u arrestuan në afërsi të kufirit janë të rrezikshëm. Ne nuk duhet të nënvlerësojmë këtë çështje – ne shohim se çfarë po ndodh në Turqi dhe Greqi “tha Nençev.
Sigal