Pacientët: Po na marrin jetën përditë me receta dhe mjekim të gabuar

389
Sigal

Prej afro 6 muajsh zona e Llixhave kurative të Elbasanit, nuk ka mjekët e saj. Pas largimit të tre prej tyre drejt Gjermanisë, duket se Ministria e Shëndetësisë dhe kreu i saj Ilir Beqja kanë menduar dhe kanë preferuar të mos dërgojnë mjekë atje dhe rolin e tyre po e kryejnë infermierët. Këta të fundit, vetëm në 2 muajt e fundit u kanë marrë jetën dy personave në vaskat me ujë, një gruaje 66 – vjeçare nga Berati dhe një burrë 73 – vjeçar nga Sukthi i Durrësit, të cilëve mungesa e mjekëve profesionistë dhe specialistë, u ka kushtuar shumë. Hotelet, banesat e fshatarëve të tre fshatrave dhe dy spitalet që ndodhen në Llixhën e Elbasanit, që shërbejnë prej 10 dekadash për mjekimin dhe shërimin e të sëmurëve me probleme të reumatizmës dhe problemet e tjera të kockave, kanë mbetur pa mjekët specialistë. Këtë fakt e di fare mirë edhe kreu i Ministrisë së Shëndetësisë Ilir Beqja, pasi e kanë vënë në dijeni edhe pacientët, edhe stafi i infermiereve, të cilët u shërbejnë afro 8500 pacientëve në vit në ato llixha. 

Fakti është se hotelet dhe banesat e kthyera në “spitale” prej 24 vitesh, kanë mbi 6 muaj që pajtojnë mjekë privatisht nga Elbasani dhe Tirana, kurse spitali shtetëror, ka mbetur pa mjekun specialist, duke e kthyer në stallë, duke përfshirë edhe mungesën e investimeve. Sipas një infermiere që shërben prej 31 vitesh në ish- spitalin e vjetër “situata mbetet kaotike, investime nuk ka, vijnë të sëmurët dhe nuk ka mjekë, kemi frikë se mos na vdesin në vaska, sepse duhet kontroll periodik, kemi kërkuar me dhjetëra herë mjekë nga Ministria e Shëndetësisë, por duket se Llixhave zoti Beqja u ka vënë vizën e kuqe”. Edhe një pronat hoteli që ka mbi 25 vjet që u shërben pacientëve me probleme reumatizmale u shpreh se “tre herë në javë e marr mjekun reomatolog nga Elbasani privatisht, pasi në pajtimin që kanë bërë pacientët, kanë të përfshirë edhe kontrollin dhe kujdesin shëndetësor, ndaj duke ruajtur traditën, mendova të mos i rëndoj ata në çmim, por duhet patjetër të vijnë mjekët, pasi këtu ka me mijëra pacientë çdo vit që e kanë të përhershme, pra 2-3 herë në vit që kurohen me ujërat e llixhave tona”. 
Hallet e banorëve
Vështirësi serioze kanë edhe banorët, që kanë kthyer banesat e tyre në minispitale dhe “dhoma mjekimi” për të gjithë pacientët që vijnë për kura1 ditore ose 10 ditore, pothuajse nga e gjithë Shqipëria në Llixhën e Elbasanit. Sipas tyre “ujërat dhe balta e llixhave tona nuk gjendet as në Fushë-Krujë dhe as në Peshkopi, ndaj vijnë tek ne edhe ata që banojnë në ato zona, sepse kanë gjetur derman, por na duhet mjeku, sepse ka patur raste kur i sëmuri duke mos patur mjekun pranë për kontrolle, ka hyrë dhe nuk ka dalë i gjallë nga vaska, pasi ka vuajtur nga zemra, tensioni, etj”. Në ujërat e llixhave të Elbasanit, vijnë edhe shumë kosovarë, maqedonas, madje edhe grekë, pasi njihen me vetitë kurative të tyre. Por edhe ata janë përballur me mungesën e mjekëve, pasojë e papërgjegjshmërisë së Ministrisë Shëndetësisë e cila ashtu si edhe spitalet e tjera publike, i ka braktisur prej vitesh edhe llixhat e Elbasanit. Largimit të tre mjekëve të Llixhës drejt Gjermanisë, po i shtohet edhe përgatitja dhe praglargimi, edhe i dhjetëra mjekëve të tjerë specialistë të Elbasanit, që e shohin me mosbesim ndryshimin e situatës tek ne. Pagesa e majme, kushtet e mira të punës, duket se janë disa nga joshjet e para që kanë detyruar dhe po detyrojnë mjekët shqiptarë të braktisin spitalet tona dhe t’i drejtohen emigrimit, kryesisht Gjermanisë. Në rast se neglizhenca vazhdon, një ditë në Llixhat e Elbasanit, do t’u shërbejnë të sëmurëve kronikë veterinerët e Treganit dhe Shirgjanit.