Dhunoi ish-vjehrrën, djalin e ish-gruas dhe u dogji banesën në Vlorë, dorëzohet në polici autori.
Haki Bajrami, i dyshuari kryesor për djegien dhe dhunimin e vjehrrës së tij në Llakatund është dorëzuar sot në polici. Ai thotë se e gjithë ngjarja është e stisur nga vjehrra e tij.
“Se dogja unë shtëpinë, ngjarjen e ka stisur vjehrra”- thotë Haki Bajrami.
Ngjarja ndodhi pak ditë më parë në këtë fshat. Ish-dhëndri nga Kosova ishte shpallur në kërkim nga policia e Vlorës.
Kujtojmë se më herët u arrestuan Gëzim Bacaj dhe Durim Kelmendi. Bacaj së bashku me Haki Bajramin tentuan të vrisnin të moshuarën dhe nipin e saj të mitur duke i dhunuar fizikisht dhe duke i lënë pa ndjenja në banesën e tyre. Më pas i vunë zjarrin qëllimisht banesës së tyre.
NJOFTIMI I POLICISË
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u bë ndalimi i shtetasit Haki Bajrami, 51 vjeç, banues në Kosovë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese ndaj një të mituri dhe kundër dy ose më shumë personave”, mbetur në tentativë dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, të kryera në bashkëpunim.
Shtetasi Haki Bajrami dyshohet se më datë 29.04.2023, në bashkëpunim me shtetasin G. B. (i arrestuar më parë), kanë tentuar të vrasin shtetasen e moshuar L. F. dhe nipin e saj të mitur (ish-vjehrra dhe thjeshtri i shtetasit Haki Bajrami), duke i dhunuar ata dhe duke i vënë qëllimisht zjarrin banesës ku ndodheshin këta 2 shtetas. Materialet do t’i referohen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.