Makina përplas këmbësorin në Fier, humb jetën 65-vjeçari

31
Sigal

Aksident me vdekje ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në by passin e Mbostarit.  Sipas burimeve të informacionit mësohet se aksidenti ka ndodhur pranë spitalit Memorial Turk në orën 4 të mëngjesit të sotëm.

Një automjet tip “Volvo”, që drejtohej nga një 31-vjeçar nga Vlora, ka përplasur për vdekje një burrë rreth 65 vjeç, i cili ende nuk është identifikuar. Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në komisariat për sqarime të rrethanave të aksidentit, ndërsa viktima është dërguar në morg, në pritje për t`u identifikuar. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen e rëndë.

Më vonë gjatë ditës, një aksident me plagosjen e dy personave ndodhi në aksin rrugor Fier-Patos në afërsi të shatit Portëz. Burime policore pohojnë se nga përplasja e dy  mjeteve kanë mbetur të plagosur dy persona të  cilët janë dërguar në urgjencën e spitalit rajonal Fier ku po marrin ndihmën mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Ky është aksidenti i 3 pa u mbushur 24 orë në qarkun e Fierit, pasi të shtunën në mbrëmje një aksident me disa të plagosur ndodhi në aksin rrugor Levan-Tepelenë.

Një 60-vjeçar u përplas nga një automjet në qendër të qytetit të Vlorës, mëngjesin e të dielës. Një automjet që drejtohej nga një 27-vjeçare, e cila po tranportonte me urgjencë në spital një të sëmurë, ka përplasur këmbësorin që po kalonte përmes rrugës. I aksidentuari ka marrë plagë të shumta ndërsa ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Dyshohet se drejtuesja e mjetit ka bërë parakalim në rrugë, teksa këmbësori ka kaluar duke mos e vënë re manovrën e drejtueses së mjetit. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen, ndërsa i plagosuri është dërguar në spital për ndihmë mjekësore.