Lezhë: Sherr me armë mes 4 të rinjve

551
Një ditë pas vrasjes së Linzës, një tjetër konflikt i armatosur është shënuar mes katër të rinjve në qytetin e Lezhës. Ngjarja ka ndodhur të enjten, ndërsa policia ka vënë në pranga shtetasit Agustin Sherri, 26 vjeç, Almario Perkola, 24 vjeç dhe Pal Paluca, 27 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim Vitor Gjini, 22 vjeç, banues në Lezhë.
Rreth orës 15:30 të së enjtes, në lagjen “Besëlidhja” në Lezhë, në rrugën e Katedrales, janë konfliktuar për motive të dobëta, katër të sipërpërmendurit, të cilët kanë nisur fillimisht me konfrontim fizik, dhe më pas sherri është përshkallëzuar me përdorimin e armës.
Më konkretisht, Agustin Sherri së bashku me Almario Perkolën, janë konfliktuar me Vitor Gjinin dhe Pal Paluca ka ndërhyrë për t’i ndarë. Vitor Gjini në përleshje e sipër ka nxjerrë armën tip pistoletë duke qëlluar 2-3 herë, por nga të shtënat nuk ka pasur të lënduar. Më pas që të katër janë shpërndarë me shpejtësi për t’u larguar.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes janë gjetur dy gëzhoja armësh por që në pamje të parë duken si ato që përdoren nga armët stimuluese. Të rinjtë akuzohen për “Moskallëzim krimi”, “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Prishja e rendit e qetësisë publike”, kryer në bashkëpunim, ndërsa Vitor Gjini për “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Sigal