Artion KONDAJ
Beteja e biznesit të drogës masive në shkallë vendi, që po komandohet nga banda financiare të krimit, nga tutorë të strukturave policore e civile të shtetit deri edhe me “çeta” të armatosura, ka arritur kulmin e saj, sidomos tani në “pikun” e vapës, kur bimët e hashashit po “digjen” për ujë, mbasi siç dihet përveçse me “grykën e pushkës” e me thasët me dollarë, ky biznes zhvillohet së pari me ujë! Mirëpo në këtë stinë vere të thatë, uji në zonat malore shqiptare ku janë ngritur fermat e drogës është i pakët dhe ato burime ujore ekzistuese zonale, janë në përdorim prej banorëve të fshatrave e lagjeve, për nevoja e shërbime jetike familjare dhe për “pak” vaditje bimësh, apo për gropa uji bagëtish në kullota. Mirëpo uji që kanë zonat, fshatrat dhe lagjet, por edhe stanet e bagëtive ka nisur një konflikt tjetër të ashpër mes banorëve, barinjve e kultivuesve të drogës, të cilët në shumë zona kanë pushtuar tokat e banorëve që kanë emigruar brenda e jashtë vendit.
Kultivuesit e drogës, nën fuqinë e “grykës së pushkës” dhe të bandave që kërcënojnë banorët me jetë, me prerje pemësh, me djegie banesash, me prerje vreshtash e madje edhe me rrëmbime fëmijësh, kanë nisur t’u marrin ujin, duke e përdorur për vaditjen e drogës së mbjellë. Mësohet se ky “hall” ka zënë e po torturon banorët e 12 rretheve të jugut, të cilët i kanë kërkuar ndihmë shtetit, policisë dhe pushtetit lokal, për për të ndërhyrë e për t’u rikthyer ujin e rrëmbyer dhe të zaptuar nga bandat e kultivimit të drogës. Por shteti, policia dhe pushteti lokal nuk kanë reaguar, duke lënë të lirë bandat e drogës të rrëmbejnë ujin e banorëve të zonës. Sipas informacioneve të shumta që kanë ardhur dje nga Përmeti, mësohet se uji i pijshëm i burimeve të fshatrave, uji i burimeve për bagëtitë dhe uji për vaditje që ndodhet brenda zonave të disa ish-komunave që tashmë janë në juridiksion të bashkive Përmet e Këlcyrë, pothuajse është bllokuar e rrëmbyer plotësisht prej fermerëve të drogës. Banorët që tentojnë të përdorin ujin e fshatit e të lagjes së tyre, apo të staneve ku kanë bagëtitë dhe vijat e ujit të vaditjes së tokave e pemëtoreve, gjenden përballë kërcënimit, dhunës dhe grykave të kallashëve të rojeve të të shumtë plantacioneve.
Ndërkohë që “kuçedrat” e fermave të drogës kanë prerë dhe devijuar rrjedhën e burimeve drejt parcelave të tyre edhe me elektro-pompa të fuqishme, apo duke ndërprerë tubacionet e ujësjellësve të zonave, ndodh diçka tjetër absurde: nën mbrojtjen e personave të armatosur, punonjëset e drogës (gra) mbushin kovat me ujin e bllokuar të banorëve dhe vadisin bimët e drogës. Sipas informacioneve të gazetarëve tanë në rrethe, kjo masakër me ujin e fshatrave, përveçse në zonat e Përmetit dhe Këlcyrës, po ndodh edhe në disa zona të Beratit, Kolonjës, Skraparit, Kuçovës, Gjirokastrës, Vlorës Sarandës, Delvinës e Mallakastrës, ku banorët të cilëve u kanë prerë ujin “kuçedrat” e fermave të hashashit, kanë nisur t’u rikthehen puseve të vjetër të ujit, duke i pastruar për të nxjerr e pirë ujë, për t’u larë e për t’u hedhur bagëtive!




















