Krimi godet sërish Rinasin – Grabiten miliona euro në aeroport

265

4 raste në 4 vjet, si kanë ndodhur goditjet mafioze në aeroportin “Nënë Tereza“

Disa persona të maskuar me rroba ushtarake kanë grabitur dje në mesditë një makinë që transportonte para për në aeroportin e Rinasit. Autorët ishin me një fugon të bardhë pa targa dhe me mbishkrimin “Hetimit Tatimor”. Burimet thanë se ka pasur të shtëna me armë gjatë grabitjes dhe si pasojë, një person ka humbur jetën. Viktima, i cili mbeti i vdekur gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, është një nga grabitësit, sipas policisë. Ata i kanë dalë përpara makinës së blinduar që transportonte paratë dhe pas marrjes së parave, janë larguar sërish me furgon. Dyshimet paraprake janë se janë grabitur rreth 10 milionë euro, që i përkisnin 4 bankave të nivelit të dytë dhe do të transportoheshin jashtë shtetit. Autorët dyshohet se janë ndihmuar edhe nga dy automjete të tjera për të kryer grabitjen.

Jo larg vendit ku ndodhi grabitja, është gjetur një makinë e djegur. Makina e gjetur në vendin e quajtur “Ura e Bratit” dyshohet se iu përket autorëve.

Forca speciale policore si RENEA e FNSH, të ndihmuara nga një helikopter janë ende në ndjekje të autorëve të grabitjes. Të angazhuara në operacionin e gjerë janë edhe forca nga Policia e Tiranës, Lezhës, Dibrës e Durrësit’, thotë policia në një njoftim paraprak.

Nuk është hera e parë që në Rinas ndodhin të tilla grabitje. Vitet e fundit, në Rinas kanë ndodhur dy grabitjeve të vlerave të mëdha monetare.

Grabitja në Rinas, pasagjerët: Ishin si komando, menduam se po bëhej stërvitje

 

Pasagjerët e avionit të “Austria Airlines”, kanë treguar çfarë kanë parë në momentin që grabitësit kanë hyrë. Ata kanë thënë se avioni ishte i ndezur dhe se grabitësit dukeshin si komando.

“Avioni ishte i ndezur dhe pamë nga ana e djathtë e avionit tre persona me kapuçë në kokë, të veshur si komando të afroheshin tek barku i avionit. Kujtuam se bëhej fjalë për një stërvitje. Ata kanë kërcënuar me armë punonjësit dhe i urdhëruan të shtrihen”.-janë shprehur ata.

Udhëtimi i orës 15:30, është shtyrë për shkak të kësaj grabitjeje.

4 grabitje në Rinas në 4 vjet, si kanë ndodhur goditjet mafioze në aeroport

 

Grabitja e ndodhur në Rinas ditën e djeshme nuk është e para në këtë zonë. Më herët ka pasur dy grabitje në rrugën Kashar-Rinas ndërsa një e tretë ka ndodhur brenda rrethimit të aeroportit të Rinasit. Në grabitjen e sotme mendohet se janë marrë rreth 10 milionë euro ndërsa ka humbur jetën një person, i cili dyshohet se është roja që shoqëronte paratë.

Grabitja e parë

Grabitja e parë në rrugës Kashar-Rinas ka ndodhur më datën 3 dhjetor 2015, ku u grabitën 3.8 milionë euro.

Në këtë grabitje u mor një shumë prej rreth 3.8 milionë eurosh ndërsa lidhur me ngjarjen e rëndë janë arrestuar 9 persona për të cilët prokuroria ka kërkuar 156 vjet burg në total.

Grabitja e dytë

Grabitja e dytë në Rinas ndodhi brenda terminalit të aeroportit të Rinasit, në 30 qershor të vitit 2016 ku 3 persona të armatosur arritën të grabisin një sasi të konsiderueshme parash dhe më pas u arratisën nga vendngjarja. Lidhur me këtë grabitje nuk ka ende ndonjë person të ndaluar nga policia.

Grabitja e tretë

Rreth 2 vjet pas grabitjes së parë, më 9 shkurt 2017 në të njëjtin vend, në rrugën Kashar-Rinas ndodhi një tjetër grabitje e armatosur ku u morën një sasi prej 3.2 milionë eurosh.

Persona të maskuar grabitën furgonin e blinduar të një banke të nivelit të dytë ndërsa për grabitjen u akuzuan i njëjti grup prej 9 personash që akuzohet edhe për grabitjen e parë.

Grabitja e katërt

Më 9 prill 2019 brenda aeroportit të Rinasit është grabitur një makinë që transportonte një sasi prej rreth 2 milionë eurosh. Grabitësit u futën brenda terminalit të Rinasit dhe morën sasi e parave për t’u larguar më pas në drejtim të paditur.

Gjatë grabitjes mbeti i vrarë një person, i cili dyshohet se është roja i makinës së blinduar ndërsa një tjetër person u gjet i vdekur disa kilometra më larg, i cili dyshohet se është një prej grabitësve.

Dalin pamjet se si u krye super-grabitja në Rinas

 

Supergrabitja e ditës së djeshme nga raportimet e policisë apo edhe nga dëshmitë e pasagjerëve të Austria Airlines duket e menduar dhe e planifikuar në detaje ashtu si në një film aksion që mund ta kemi parë me qindra herë në TV. Duket se gjithçka ka shkuar si duhej për grabitësit, deri në momentin që një prej tyre u vra. Grabitja e djeshme brenda vendit, ndoshta më të sigurt në Shqipëri, aeroportit “Nënë Tereza”, madje brenda avionit ka lënë shumëkënd pa mënd se si është realizuar. Pamjet e publikuara  në media tregojnë  momentin kur grabitësit të armatosur i janë afruar avionit dhe kanë kryer grabitjen e 10 milionë eurove në pak minuta, ndërsa në avion ndodheshin 160 pasagjerë që prisnin të udhëtonin drejt Vjenës. Në pamje duket një person i ngjashëm me personin e vrarë, me syze por pa maskë në fytyrë, jelek të zi dhe pantallona të zeza. Ai ndodhet anash avionit, pranë barkut, ku ndodheshin edhe paratë. Para tij, ndodhet grabitësi tjetër por me uniformë tjetër, me lara ushtarake teksa me armën e ngritur kërcënon punonjësit. Të dy mbajnë në duar doreza. Po kështu duken edhe bagazhet teksa futen në avion. Këto janë pamjet e para, të qarta të ngjarjes dhe grabitësve brenda pistës në aeroportin e Rinasit. Sapo kanë marrë paratë autorët janë larguar por janë përballur me FNSH-të dhe policinë kufitare të Rinasit në një rrugë dytësore ku kanë shkëmbyer zjarr. Gjatë shkëmbimit të zjarrit dyshohet se ka humbur jetën dhe grabitësi që duket qartë në foto, por nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë qëlluar edhe nga bashkëpunëtorët e tij, pasi ka qenë i vetmi pa maskë. Viktima u hodh pranë lumit në urën e Tapizës nga pjesa tjetër e grupit. Ai nuk kishte asnjë mjet identifikimi.

Policia ka gjetur furgonin me të cilin u krye vjedhja brenda të cilit kishte armatim. Ndërkohë që një automjet tjetër, i cili u gjet i djegur mes Tapizës dhe Bathores dyshohet se është përdorur nga grabitësit për t’u larguar nga aeroporti. Për ngjarjen policia ka shoqëruar mbi 40 persona që mund të kenë dijeni, mes tyre dhe punonjës të sigurisë së aeroportit. Ky është rasti i dytë i grabitjes së parave brenda pistës së aeroportit të Rinasit dhe i katërti i grabitjes së parave të bankave që shkojnë drejt Rinasit.