Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) shpreh ngushëllimet për largimin nga jeta të akademikut dhe themeluesit Arben Puto

420
Sigal

 

Komiteti
Shqiptar i Helsinkit (KShH), me hidhërim të madh mësoi për largimin nga jeta të
akademikut Arben Puto. I shprehim ngushëllimet e sinqerta familjes së tij.

 

Ne e njohim dhe kujtojmë atë si intelektual të shquar dhe
historian me kapacitet dhe objektiv, ndërsa KShH e njeh atë për meritat e tij
në krijimin e Forumit të parë Shqiptar për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive
Themelore të Njeriut, i cili më vonë u emërtua “Komiteti Shqiptar i Helsinkit”.
Profesor Arben Puto së bashku me një grup intelektualësh e themeluan këtë
organizatë në kontekstin e valës së parë të lëvizjeve për transformim
demokratik të Shqipërisë, në Dhjetor të vitit 1990.

 

Profesor Arben Puto e drejtoi Komitetin Shqiptar të
Helsinkit për 10 vjet dhe është angazhuar gjithashtu në mënyrë aktive si anëtar
i Asamblesë së KShH-së për 26 vite. Kontributi i tij në fushën e mbrojtjes dhe
lirive të shtetasve është i veçantë. Ai u kujdes dhe dha kontribut të veçantë në
edukimin e brezit të ri, aktivistëve të KShH-së. Në krye të këtij Komiteti ai
kontribuoi gjithashtu në rritjen e jehonës dhe krijimin e një reputacioni shumë
të mirë të organizatës brenda dhe jashtë vendit, sa i takon reagimeve të
vazhdueshme dhe kurajoze për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të shtetasve.
Vitet e fundit, Profesor Arben Puto ka pasqyruar në një punim të veçantë
kontributin e KShH-së nga themelimi i tij.

 

Anëtarët e Asamblesë së KShH-së dhe aktivistët e shumtë të
organizatës do ta kujtojnë me mirënjohje të thellë për meritat e çmuara në
drejtim të njohjes dhe forcimit të rolit të shoqërisë civile, konsolidimit të
mëtejshëm të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.