I çanë kafkën me këmbën e karriges, del ekspertiza për vrasjen e Florjan Lamçes

277
Sigal

Florjan Lamçe, 40 vjeç, humbi jetën pak ditë më parë, si pasojë e plagëve që iu shkaktuan, nga një sherr me dy persona të tjerë.

Një prej personave të shoqëruar nga policia ishte edhe dhëndri i ish-kryebashkiakut socialist të Elbasanit Qazim Sejdini.

Ndërkohë sipas ekspertizës mjeko-ligjore, viktima humbi jetën si pasojë e një plage në kokë, e shkaktuar me një mjet të fortë, që i ka çarë kafkën.

“Vdekja i është shkaktuar nga një goditje e fortë në kokë me këmbën e karriges, e cila i ka çarë kafkën, dhe, sërish nga goditjet, ai ka pësuar edhe një çarje të aortës në parakrahun e majtë”, thuhet mes të tjerave në këtë ekspertizë.

Analizat e gjakut si edhe të alkoolit u janë marrë edhe dy të dyshuarve të tjerë, Sokol Sanxhaktari si edhe Adriano Hajdari, ku paraprakisht që të dy kanë rezultuar të dehur në momentin që kanë kryer krimin.

Sipas policisë 40 vjeçari Florjan Lamçja, në muajin shkurt 2020, është përfshirë në një ngjarje, ku besohet se ka qëlluar me armë në drejtim të Rodi Bylykbashit, por pa i shkaktuar dëmtime. Ndërkohë, ai rezulton gjithashtu i dënuar për plagosje dhe kryerje të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Për këtë të fundit, ai është dënuar me 3 vjet burg nga Gjykata e Elbasanit, pasi u përfshi në 2012-ën në një ngjarje kriminale, ku mbeti i vrarë Almir Cani. Pronari i disko ‘Tekila’ në Elbasan u ekzekutua me dy plumba në kokë mbrëmjen e 23 shkurtit 2012. Dy vëllezërit, Florjan dhe Olsi Lamçja, e kanë thirrur atë me telefon, duke e nxjerrë jashtë banesës, nga ku më pas e kanë vrarë me dy plumba. Autorët arritën të fshehin mjaft prova të vendit të ngjarjes, përfshirë edhe gëzhojat, si dhe telefonin celular të viktimës.

Në fund të gjykimit, Florjan Lamçja u dënua me 3 vite burgim si personi që kishte fshehur provat në vendngjarje, ndërsa vëllai i tij, Olsi Lamçja, u dënua me 22 vite burgim për akuzën e vrasjes me paramendim. I gjithë konflikti që solli më pas vrasjen, ndodhi për një shumë prej 300 mijë lekësh të vjetër.