Kolonjë/ Asgjësohen 3547 bimë narkotike, në kërkim kultivuesit

416
Rreth 32 kg kanabis janë sekuestruar nga Policia e Korçës, e cila ka asgjësuar dhe 3547 bimë narkotike në rrethin e Kolonjës. Specialistët e Seksionit kundër Narkotikëve, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, Qarku Korçë, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative kanë ushtruar një kontroll të imtësishëm, në zonën e fshatit Gërmenj, në Kolonjë, ku janë konstatuar 3547 bimë të dyshuara si narkotike “Cannabis Sattiva”, të kultivuara në 5 parcela.

Gjithashtu, në vijim të kontrollit të kësaj zone, në një ambient të veçantë që shërbente për tharjen e tyre, u sekuestruan edhe 32 kg e 320 gram bimë të thara, të dyshuara narkotike “Cannabis Sattiva”. Bimët narkotike u asgjësuan në vend, me anë të djegies dhe një pjesë e tyre u morën në cilësinë e provës materiale. Grupi hetimor po vazhdon punën, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të implikuar në veprat penale “Prodhimi e shitja e narkotikëve” e “Kultivimi i bimëve narkotike”. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.
Sigal