Itali, në hetim 52 persona mes tyre dhe 2 shqiptarë për trafik të veprave të artit në vlerë 20 mln euro

432
Policia italiane ka zbuluar gjatë orëve të fundit një maxi trafik veprash arti me një vlerë prej 20 milionë euro.
Operacioni i koduar “Last Fraud” i shtrirë në 9 provinca italiane ka çuar në vënien nën hetim të 52 persona mes të cilëve dhe 2 nënshtetas shqiptarë.
Gjatë kontrollit të rreth 40 banesave e lokaleve në rrethinat e Bolonjës, Parmës, Mantovës, Rimini, Ferrarra, Modena, Brescia e Crotone, janë sekuestruar materiale arkeologjike të epokës romane mes të cilave një shpatë e dy monedha antike, material historik siç është rekuperimi i statujës së një shqiponje romane e kohës së fashizmit, tre tekste antike, një vepër e Pikasos të cilës do t’i vlerësohet autorësia e nëse është origjinale ka një vlerë prej 3 milionë euro, një vepër autentike e piktorit Alberto Burri me një vlerë 10 milionë euro, tre vepra të Basquiet të cilave po u verifikohet autorësia, një vepër e Mellone, e një tjetër e De Bouscher me një vlerë 1 milionë euro.
Gjithashtu bandës së veprave të artit iu sekuestruan rreth 400 objekte elektroshtëpiake me një vlerë prej 1 milionë euro, 2 makineri ndërtimi, karta bankomati e dokumenta bankare fallso, si dhe para cash, armë e lëndë narkotike.
I gjithë materiali i sekuestruar nga Policia kapërcen vlerën e 20 milionë euro.
Operacioni i policisë italiane kish nisur hetimet që në majin e vitit 2014 pas denoncimeve të shumë qytetarëve të cilët pasi kishin derdhur shumën paraprake për blerjen online të artikujve të natyrave të ndryshme, nuk kishin mundur të marrin në dorëzim mallin.
Ndaj 52 personave vënë në hetim, mes të cilëve dhe 2 shqiptarë rëndojnë akuzat pjesëmarrjes në organizata kriminale për trafikimin e veprave të artit, mashtrim, fallsifikim, mbajte arme pa leje, përdorim lëndësh narkotike etj.
Sigal