Gëzim Hoxha: Fushata elektorale dhe emigrantët, shkak për aksidentet automobilistike

1237
Sigal

Intervistë/Flet Gëzim Hoxha, ekspert i aksidenteve automobilistike, për shkaqet e aksidenteve rrugore

Kohët e fundit është rritur numri i viktimave për shkak të aksidenteve rrugore. Z.Gëzim Hoxha, ekspert për aksidentet rrugore, shprehet në intervistën për gazetën “Telegraf” se 2 nga arsyet që ndikojnë në rritjen e aksidenteve rrugore në këtë periudhë janë fushata elektorale dhe prurja e madhe e migrantëve të cilët vijnë në këtë periudhë për të kaluar pushimet pranë të dashurve të tyre. Sipas z. Hoxha vetëm plotësimi standardeve evropiane do të bëjë që aksidentet rrugore të vijnë në ulje.

Z. Hoxha, kemi dëgjuar kohët e fundit për shumë aksidente rrugore, të cilat shpesh kanë përfunduar dhe me humbje jetë njerëzish. Sipas jush, cilat janë arsyet që ndodhin aksidentet rrugore?

Shkaqet që ndodhin aksidentet rrugore janë të shumta, pasi vetë siguria rrugore ka shume elemente përbërës, që fillojnë nga përgatitja në autoshkolla, rrugët jashtë standardit, mungesa e sinjalistikës rrugore, cilësia e dobët e shërbimeve teknike në serviset e pa licensuara dhe me punonjës tërësisht të pa kualifikuar. Rol të rëndësishëm zë edhe përbërja e popullsisë që vjen me origjinë nga zona rurale dhe nuk janë të ambientuar me qarkullimin e automjeteve dhe nuk njohin detyrimet e tyre si përdorues të rrugës. Edhe fushata elektorale luan rol, për sa i përket vështirësisë së qarkullimit të automjeteve. Kjo për shkak të fluksit të madh të automjeteve që qarkullojnë në kohë fushate. Por të mos harrojmë edhe fluksin në këtë kohë të refugjatëve, të cilët vijnë të bëjnë pushimet pranë familjarëve të tyre. Ardhja e refugjatëve, rrit numrin e aksidenteve rrugore dhe kjo është e lidhur me : 1)Mungesën e sinjalistikës rrugore. 2)Rrugët jashtë standardit teknik dhe me mungesa të theksuara të elementeve të sigurisë rrugore me gropa të shumta edhe në ata segmente që janë përfunduar, që bëhen shpesh gracka për drejtuesit e mjeteve dhe veçanërisht ata që nuk i njohin defektet e rrugëve. 3)Udhëtimet e tyre të tejzgjatura nga vendi që janë nisur dhe deri sa arrijnë në destinacion. Kështu pagjumësia në udhëtim është njëri faktor. Ata nisen në orët e para të mëngjesit dhe udhëtojnë për shumë orë pa bërë pushim. Dhe faktori tjetër që ndikon është pikërisht përdorimi i pijeve alkoolike që në shumë raste ne ua imponojmë në shenjë mikpritjeje etj.

A kemi ndonjë statistikë për aksidentet dhe sa prej tyre përfundojnë me humbje jete?

Sipas statistikave, në çdo 10.000 mjete që qarkullojnë, ka një person që humbet jetën dhe  rreth 2-fish më shumë persona, që plagosen rëndë dhe lehtë.

Cilat mosha janë kryesisht viktima të këtyre aksidenteve? Dhe cili aks rrugor konsiderohet si më i prekuri nga aksidentet rrugore?

Grup-mosha më e prekur në aksidentet rrugore është mosha 18 deri në 26 vjeç.

Segmenti rrugor më i prekur nga aksidentet rrugore është Tiranë – Fushë Krujë dhe Lushnje-Fier.

Cilat janë elementet më të dobëta të strukturës së sigurisë rrugore?

Mungesa e sinjalistikës rrugore si dhe qarkullimi i automjeteve me shpejtësi tej normave të lejuara.

Po Policia Rrugore a e kryen detyrën si duhet?

Policia Rrugore bën përpjekje të vazhdueshme për kontrollin e zbatimit të rregullave të qarkullimit rrugor, por është shkalla e madhe e shkeljeve që bëhen nga drejtuesit e automjeteve dhe përdoruesit e rrugës që ua vështirësojnë kryerjen e detyrës.

Çfarë duhet bërë që të mundësohet zbutja e këtij fenomeni?

1)Rritja e cilësisë së mësimdhënies në auto-shkolla. 2)Riparimi i të metave që kanë rrugët dhe vendosja e tyre sipas standardit. 2)Vendosja e sinjalistikës rrugore vertikale dhe horizontale sipas standardeve të vendeve të Komunitetit Kuropian. 3)Rritja e cilësisë së shërbimeve teknike në servise dhe licensimi i tyre me certifikatat përkatëse. 4)Kualifikimi i punonjësve me njohuritë e nevojshme për kryerjen e shërbimeve të automjeteve sipas standardeve të Komunitetit Europian.

REGJISTRIMI I PASURIVE TË PALUAJTSHME, JA PROCEDURAT DHE APLIKIMI SIPAS UDHËZIMIT TË RI

Ministri i Financave Ridvan Bode ka nxjerrë së fundmi udhëzimin për procedurat e zbatimit të ligjit nr. 149/2013 “Për miratimin e aktit normativ nr. 2, datë 2.5.2013 të Këshillit të Ministrave, “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”. Sipas këtij udhëzimi, të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme dhe të regjistruar në zyrat vendore të regjistrimit të pasurive, kanë të drejtë që brenda datës 31 tetor 2013, të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut. Në kategorinë e pasurisë së paluajtshme përfshihen toka dhe ndërtesa. Nga procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme përfitojnë të gjithë shtetasit që zotërojnë pasuri të paluajtshme pa asnjë kufizim. Individi paraqet kërkesën për rivlerësim të pasurisë pranë zyrës vendore të regjistrimit të pasurive ku është e regjistruar pasuria në pronësi të tij, duke plotësuar formularin e aplikimit. Individi mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e  pasurisë do ta bëjë ZVRPP apo një ekspert i vlerësimit të pasurive i licencuar nga institucionet përkatëse. Në rast se rivlerësimi i pasurisë do të bëhet nga një ekspert i licencuar, formularit të aplikimit duhet t’i bashkëlidhet fotokopje e licencës së vlerësuesit të pasurisë, si dhe akt vlerësimi i vlerësimit të pasurisë së nënshkruar dhe vulosur nga vlerësuesi i pasurisë. Në rast se individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë do të bëjë zyra vendore e regjistrimit të pasurisë me çmimet minimale fiskale që aplikohen për vitin 2013, në bazë të udhëzimit të përbashkët midis Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Drejtësisë, udhëzimi nr. 9 datë 26. 2.2008 “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së paluajtshme”, të ndryshuar.

Aplikimi

Aplikuesi paraqitet personalisht, me dokument identifikimi pranë ZVRPP dhe depoziton në dy kopje formularin e aplikimit te punonjësi i ZVRPP Ky i fundit shqyrton të dhënat e plotësuara në formular dhe dokumentacionin bashkëlidhur (nëse ka). Nëse të dhënat janë të sakta, punonjësi i ZVRPP nënshkruan formularin e aplikimit dhe një kopje të tij ia jep aplikuesit. Nëse ka pasaktësi në plotësim, fton aplikuesin t’i korrigjojë. Punonjësi i ZVRPP nuk ka asnjë arsye që të refuzojë kërkesën për aplikim. Tatimi i rivlerësimit të pasurisë së paluajtshme do të llogaritet 1% e diferencës midis çmimit të rivlerësimit me çmimin e blerjes së pasurisë në kontratën paraardhëse të shitblerjes. Në rastet kur pasuria e paluajtshme e regjistruar në ZVRPP nuk ka një kontratë paraardhëse shitblerjeje, tatimi i rivlerësimit të pasurisë së paluajtshme do të llogaritet sipas metodikës së përdorur në udhëzimin nr. 9, datë 26.2.2008 “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së paluajtshme”, të ndryshuar. Gjatë plotësimit të formularit të aplikimit për rivlerësim të pasurisë së paluajtshme, zyra vendore e regjistrimit të pasurive llogarit masën e tatimit të rivlerësimit (pika 4 e formularit të rivlerësimit). Aplikuesi paguan në bankë, për llogari të Buxhetit të Shtetit të Ministrisë së Financave, tatimin 1% të rivlerësimit të pasurisë. Tatimi mbi rivlerësimin e pasurisë duhet të paguhet në momentin e kryerjes së aplikimit për rivlerësim. ZVRPP pasi bashkëlidh formularin e aplikimit për rivlerësim me mandatin e pagesës së tatimit nga aplikuesi, bën ndryshimet përkatëse brenda 10 ditëve në regjistrin e pasurive të paluajtshme. Data e rivlerësimit të pasurisë është data e pagimit të tatimit të rivlerësimit të pasurisë. Ky ndryshim i njoftohet aplikuesit, sipas kërkesës së tij në ZVRPP, për shërbimin e lëshimit të kopjes së kartelës së pasurisë apo vërtetimit të pronësisë së paluajtshme. Në rast se individi do të bëjë kalimin e pronësisë së pasurisë së paluajtshme pas rivlerësimit, tatimi për kalimin e së drejtës së pronësisë llogaritet si diferencë e çmimit të shitjes dhe çmimit të rivlerësuar të pasurisë. Në rast se kjo diferencë është negative, individi nuk paguan tatim. Në rast se individi ka në pronësi më shumë se një pasuri të paluajtshme dhe do të bëjë rivlerësimin e secilës prej tyre, procedura e rivlerësimit është individuale për secilën pasuri shpjeguar më lart.