Zamira Çavo: “Kriza morale e politikës sonë vret shpresën e demokracisë”

352
Sigal

Faji për situatën tonë aktuale është e atij që “dinte” dhe nuk foli, që kishte zë dhe nuk bërtiti, e atij që besoi në moral dhe  zgjodhi t’i bëhej baltë të pamoralshmit…

Në një demokraci të emancipuar, zgjedhjet janë festa dhe kurorëzimi i demokracisë. Ndërsa te ne, me ne shqiptarët ndodh që zgjedhjet janë një luftë e pashpallur civile, ku secili do të dëshironte jo triumfin e bindjeve dhe të alternativave politike, por, nëse mundet, zhdukjen fizike të kundërshtarit politik. Ndaj të përditshme janë incidentet elektorale, që shtohen, sa më shumë afron data e zgjedhjes. Zamira Çavo në intervistën për “Telegraf”, duke skanuar ashpërsimin  e situatës elektorale, shpjegon se kjo është  produkt i krizës morale të politikës sonë, e cila vret shpresën e demokracisë.

– Zonja  Çavo, sa më shumë afrojnë zgjedhjet, situata i ngjan një lufte që rrezikon jetën, sesa një feste demokratike.  Përse vallë?

– Situatë, që më duket se nuk i bën ndonjë përshtypje të madhe as shqiptarëve dhe as “të huajve” që vijnë çdo prag zgjedhjesh për të na “vëzhguar”. Duket situatë normale, kur asgjë nuk është normale. Në mendimin tim është një situatë e pakuptimtë dhe e çmendur. Situata parazgjedhore  i ngjan asaj shtëpisë, që ka ngritur rrobat për të lyer, ndërkohë, që muret i ka me kashtë  dhe ka ndezur zjarrin për të larë, ndërkohë që lumin e ka larg. Para, që hidhen e varen rrugëve me flamuj e banderola, sikur të ishim vërtetë, ashtu si thotë z Berisha, vendi me zhvillim ekonomik të paparë, ndërkohë që me mijëra, vuajnë për bukën e gojës. Nga ana tjetër kandidatë që shpërndajnë ushqime në këmbim të votës. A mund të quhet normale kjo situatë? Askush nuk punon dhe të gjithë kërkojnë llogari pse nuk punojmë. Kriza po na shkund dhe qindarkat e fundit nga xhepat dhe sërish nuk tundemi nga kafenetë,  ku marrim nëpër gojë gjithë dynjanë. Një situatë, kur ata që nuk kanë lexuar asnjë libër në jetën e tyre, gjykojnë sipas  mendjes së tyre ngucalake, opinionet e historianëve, shkrimtarëve, politologëve, gazetarëve, që të paktën marrin guximin t’i thonë hapur mendimet e tyre. Një situatë, ku inaugurohet për të dhjetën herë e njëjta rrugë, që nuk bëhet kurrë… Një situatë ku çdokush përpiqet të fitojë në kurriz të tjetrit.. dhe kjo quhet normale.

– Kriza që kalon vendi ynë, është më e thellë se sa  thuhet e konceptohet?

-Unë them se ne jemi zhytur në një krizë prej kohësh, sa që sot nuk e kuptojmë më, nëse vazhdojmë të jemi ende në krizë. . Kriza tek ne është në radhë të parë krizë e shkaktuar nga mungesa e përgjegjshmërisë. Ne jemi një vend i korruptuar, sepse e tillë është klasa politike që na drejton. Korrupsioni është bërë pjesë e jetës madje, askush nuk e vë më re, e quan normale. Ndaj them se tek ne anormaliteti konsiderohet normal. Po kështu dhe kriza. Por të shikosh fëmijë që ëndërrojnë të hanë “një gjellë” dhe jo çokollata, të shkojnë në shkollë dhe jo të lozin, është një pamje shumë e trishtë për ta anashkaluar. Ne vuajmë, sepse nuk shikojmë krizën morale ku jemi zhytur. Një krizë që ka filluar tërësisht me politikën dhe që nga po këta politikanë, konsiderohet e pranueshme botërisht. Kriza morale e politikës sonë është jo thjesht tradhtia politike, jo thjesht tradhtia e interesave të partisë, apo të shtetit, por dhe tradhtia ndaj vetë politikës. Kam dëgjuar shumë njerëz që e konsiderojnë politikën larg çdo morali, sepse kështu na qenka dhe në botë. Unë them se askund nuk ndodhin këto që ndodhin në Shqipëri. Këtu ndodh që  deputeti shet gjithçka për interesin personal,  vjedh gjithçka mundet në emër të partisë, sillet si padron  i shtetit, kur ka një post dhe gënjen masivisht sa herë flet publikisht.

Tani jemi pak ditë para zgjedhjeve, mendoni se situata do agravohet, duke sjellë anomali në procesin zgjedhor?

– Kemi 23 vjet që eksperimentojmë sipas dëshirave të ca liderëve, që  me primitivizmin e tyre politik, kanë ndryshuar sistemet zgjedhore, kanë ndryshuar Kushtetutën me shpresën se “do ja fusin” njëri- tjetrit. Ndaj dhe përfundimi si gjithnjë do të jetë; jonormal!

– Përse besoni se Rama do ta marrë pushtetin?

-Ka shumë më tepër faktorë që e bëjnë të mundur këtë fitore. Unë do të isha në krahun e atyre njerëzve që sot mbështesin Votën e bardhë, pra Votën kundër të gjithëve, por mendoj se vendi ndodhet sot në një udhëkryq historik: ose drejt së ardhmes, ose në fund të humnerës. Ndërkohë që kemi një popull jo fort kurajoz dhe shumë klanist, besoj se Vota e Bardhë do t’i shkojë në favor Berishës, në vend që të shkojë kundër tij. Kjo sepse për Votën e Bardhë do të votojnë jo militantët, të cilët janë pak….Ajo që duhet të bëjmë duhet të jetë forca jonë në votim, pra pjesëmarrje e madhe në votime për të larguar Berishën, e ndoshta shumë shpejt edhe të tjerë liderë të politikës së vjetër.

– Faleminderit!