Nga Fatjon Kaloçi/
Në statistikat e muajit sipas telegraf.al rezultojnë të asgjësuara mbi 40.000 bimë kanabis ku nuk dihet se kush quhet arritje, mbjellja dhe lehtësitë që u janë krijuar atyre deri tani apo korrja?
Ndonëse kishte vetëm dy ditë që kishte marrë detyrën si Ministër i Brendshëm, Taulant Balla bëri një deklaratë të fortë kur tha përpara strukturave drejtuese në Ministrinë e Brendshme se: “…mos të më thotë askush se një rrënjë kanabisi e ka një shans të rritet pa një polic, që paguhet për të mos e parë dhe se një parcelë kanabisi e ka një mundësi të vetme të korret, pa një shef komisariati, që paguhet nga trafikantët për të mos e shkulur”. Muaji korrik u shit si një muaj i radhës suksesi. Me foto apo video të policëve të kthyer prej vitesh në “kositësa”. Lajmet mbi asgjësimin e mijëra rrënjëve kanabis mbizotëruan thuajse në gjithë mediat në Shqipëri si të ishin bimë, që mbillen e rriten vetëm brenda një dite, gjithkush u mor vetëm me “asgjësimin”, por si arrihet deri këtu dhe se çfarë kanë bërë institucionet gjatë kësaj kohe duket se kjo nuk shfaq interes! Opinioni publik mjaftohet me imazhet e policisë sonë “sypatrembur”, që duket se merr vrull vetëm me fushata, të cilat në çdo rast finalizohen në terrene si akte të kryera tashmë, por pa arritur të tregohet “sypatremshmëria blu” e parandalimit. Sypatremburit blu që nuk i paskan parë parcelat anembanë, nuk është se mbajnë përgjegjësi, përkundrazi ata shfaqen deklaratave vetëm kur finalizojnë ndonjë operacion asgjësimi ku ndalojnë a procedojnë kryetarë fshatrash të moshuar, por pa mundur dot të procedojnë veten e tyre, a thua se nuk kanë qenë aty asnjëherë më parë. Në statistikat e muajit sipas telegraf.al rezultojnë të asgjësuara mbi 40.000 bimë kanabis ku nuk dihet se kush quhet arritje, mbjellja dhe lehtësitë, që u janë krijuar atyre deri tani apo korrja. Pak vite më parë mediat cituan burime të inteligjencave të shteteve të huaja sipas të cilave shpesh farat dhe kostot e mbjelljes së bimëve narkotike nuk linin pa përfshirë nivele të larta në shoqërinë shqiptare, që nga biznesmenë ndërtimi, drejtues të administratave, apo edhe gjyqtarë dhe prokurorë, që nën hije financonin format e reja të pasurimit përmes kultivimit të kanabisit në Shqipëri. Vetëm në muajin korrik policia asgjësoi 40.000 mijë bimë kanabis.
- Në 1 korrik 2023 në Tropojë u asgjësuan 3659 bimë kanabis në fshatrat Gjonpepaj dhe Curraj i Epërm. Policia tha se ndaloi dy inspektorë mjedisi.
- Në 4 korrik 2023 në Lezhë u asgjësuan 875 bimë kanabis në fshatrat Krajen, Ungrej dhe Kolsh. Policia tha se shpalli në kërkim një 67 vjeçar.
- Në 4 korrik 2023 në Krujë u asgjësuan 304 bimë kanabis në Borizanë një i arrestuar dhe një person i shpallur në kërkim.
- Në 5 korrik 2023 policia asgjësoi mbi 2000 bimë kanabis nga të cilat mbi 1000 në zonën e Dukagjinit (Shkodër) 1541 në fshatrat Buten, Zimaj dhe Velë në qarkun e Lezhës.
- Në 7 korrik 2023 në Malësinë e Madhe u asgjësuan 161 bimë kanabis në fshatin Ivanaj. Tre persona u arrestuan mes tyre edhe një 70 vjeçar, ndërsa një person i katërt u shpall në kërkim.
- Në 7 korrik 2023 në Kukës policia asgjësoi 894 bimë kanabis prej të cilave 178 në fshatin Gjonpepaj, 428 në fshatin Mserr, 288 në fshatin Lekbibaj. Policia procedoi 2 kryetarë fshatrash dhe përgjegjës të shërbimit pyjor.
- Në 14 korrik 2023 në Lezhë asgjësohen 5700 bimë kanabis në fshatin Zimaj. Policia tha se arrestoi një person të dyshuar si autor i kultivimit.
- Në 16 korrik 2023 në Krujë u asgjësuan 635 bimë kanabis të gjetura në territoret e fshatrave Gramëz, Mafsheq, Cudhi Zalle, Cudhi Kamp dhe Barkanash.
- Në 17 korrik 2023 në qarkun Lezhë u asgjësuan 1844 bimë kanabis nga të cilat 593 bimë u asgjësuan në fshatin Troshan, 468 në fshatrat Fregen dhe Rras i Butë (rrethi Lezhë), 380 bimë u asgjësuan në fshatin Alk, 32 në Shkopet (rrethi Kurbin), 371 bimë u asgjësuan në fshatin Shëngjergj (rrethi Mirditë) Policia tha se është duke punuar për identifikimin e autorëve.
- Në 18 korrik 2023 në Shkodër u asgjësuan 3491 bimë kanabis prej të cilave 304 bimë në fshatrat Pult dhe Theth (Shkodër), 1021 në fshatin Rrapsh (Malësi e madhe) dhe 2166 bimë në fshatrat Shllak dhe Temal (Vau i Dejës).
- Në 19 korrik 2023 në qarkun Lezhë u asgjësuan 2918 bimë kanabis prej të cilave 2400 bimë u asgjësuan në fshatin Kashnjet të Lezhës dhe 518 bimë në fshatin Zall Xhuxhë në Mirditë. Edhe këtu policia tha se autorët ishin të paidentifikuar.
- Në 19 korrik 2023 në Krujë policia dha se asgjësoi 1200 bimë kanabis në zonën e Malësisë së Krujës. Policia tha se arrestoi një person.
- Në 20 korrik 2023 në Vaun e Dejës dhe Pukë policia asgjësoi 2653 bimë kanabis nga të cilat 2385 u gjetën në fshatrat Shllak dhe Temal (Vau Dejës) dhe 95 në vendin e quajtur Kodra e Jakajve, ndërsa 173 bimë u gjetën në fshatin Kuzhnen i Madh (Pukë).
- Në 22 korrik 2023 në qarkun Lezhë u asgjësuan 1691 bimë kanabis prej të cilave 421 bimë u gjetën në fshatin Fregen, 1055 bimë u gjetën në fshatin Thirre (Mirditë) dhe 215 bimë u gjetën në fshatin Daul (Kurbin).
- Në 24 korrik 2023 në Krujë policia tha se asgjësoi 609 bimë kanabis në zonat e Malësisë së Krujës. Ngjarja pa autor të identifikuar.
- Në 28 korrik 2023 në Patos (Fier) policia asgjësoi 250 bimë kanabis në fshatin Belinë. Policia tha se arrestoi 2 persona.
- Në 28 korrik 2023 në qarkun Shkodër u asgjësuan 11609 bimë kanabis nga të cilat 11250 bimë u gjetën në fshatrat Pult, Shosh dhe Shalë, 239 bimë u gjetën në fshatrat Arrë dhe Temal (Vau i Dejës) dhe 120 bimë në fshatin Kabash (Pukë). Policia tha se arrestoi vetëm një 59 vjeçar për bimët e mbjella në Kabash (Pukë).
- Në 31 korrik 2023 në Vaun e Dejës u asgjësuan 203 bimë kanabis në fshatin Palaj. Policia arrestoi 2 shtetas njëri prej të cilëve kryetar fshati dhe procedoi një person të tretë për moskallëzim.



















