Intervista/ Genci Tomori: Kampion të nxjerr cilësia e kampionatit, jo skema

Flet për “Telegraf” Genci Tomori; Europa dhe përgatitjet e Superiores në fokus

Agron Kaja

“Valmeria e Letonisë është skuadër më cilësore se Esklades i Andorrës. Gjithsesi, në futboll asgjë nuk është e sigurtë, dhe duke e parë në letër, besoj se edhe atë kundërshtar do ta kalojmë.”

Partizani luan ndeshjen e kthimit të turit të dytë në Ligën e Konferencës, çfarë prisni në ato 90 minuta?

Sigal

Partizani në kupat e Europës pati një eliminim aksidental me BATE Borisov. Do kishim më shumë të ardhura nëse fitonim, por futbolli kështu e ka. Në Konferencë Ligë kemi përballë një ekip modest, që në ndeshjen e parë sulmoi vetëm një herë.

Po Tirana, si e mendon se del në ndeshjen e dytë me Beshiktashin?

Tirana luan me një ekip shumë të fortë, që ka qenë gjithmonë pjesëmarrës në kupat e Europës. Në futboll duhet të besosh e luftosh deri në minutën e fundit, që të marrësh më të mirën. Këtë duhet të bëjë edhe Tirana ditën e enjte.

Cila nga këto dy skuadra mundet të sjellë befasinë: Tirana ndaj Beshiktashit, apo Esklades ndaj Partizanit?

Në futboll gjithmonë ka befasi, por te Partizani nuk mund të ndodhë. E kalon këtë kundërshtar, sepse është më lart se Esklades e Andorrës. Tirana e ka shumë të vështirë, por të besojë deri në fund. Ndodhin të papritura në 90 minuta lojë.

Në rast kualifikimi, Partizani do përballet në turin e tretë me Valmeira të Letonisë, e shikoni të kalueshëm si kundërshtar?

Gjithmonë kundërshtarët e radhës studiohen e vlerësohen. Valmeria është ekip më cilësor se Esklades i Andorrës. Gjithsesi, në futboll asgjë nuk është e sigurtë dhe duke e parë në letër, besoj se edhe atë kundërshtar do ta eliminojmë.

Me humbjen 1-3 në Stamboll, mund të themi se Tirana i ka mbyllur llogaritë me Konferencë Ligë?

Duke i parë të dyja skuadrat në tërësinë e organizimit dhe historisë së tyre, Beshiktashi në letër është favorit. Cila skuadër do ta administrojë më mirë lojën do dalë fituese. Partizani fitoren do ta arrijë, por jo skualifikimin.

Abissnet Superiore është në valën e përgatitjeve dhe të merkatos, si i ndani këta dy tregues te skuadrat?

Partizani e ka 90% grupin të konsoliduar, dhe prurjet e reja po na bëjnë punë. Ekipet e tjera kanë lëvizur në mundësitë e tyre dhe besoj se do kemi një kampionat më rivalizues, në të cilin Partizani do të jetë pretendent në gjithë sezonin.

Do ndjehen të lodhura në startin e kampionatit skuadrat që luajtën dhe po luajnë në Europë?

Të paktën Partizani nuk ndjehet aspak i tillë, sepse kemi 22 lojtarë të gatshëm për sezonin e ri. Po kështu edhe skuadrat e tjera që luajtën në Europë, ndërsa të tjerat e kanë patur gjithë kohën përgatitore ,të alternuar me ngarkesat fizike.

Superiorja ka një ndryshim në formatin e saj final, e mendoni në favor të garës cilësinë e saj, apo të kundërtën?

Është një propozim që nuk ka gjetur mbështetjen e plotë nga të gjitha skuadrat e Superiores. Ndoshta kjo duhej konsultuar për sezonin e ardhshëm, sepse kështu i shërbehet më mirë garës. Një ekip nuk e nxjerr skema kampion, por zhvillimi e cilësia e kampionatit në gjithë shtrirjen e tij.

“Çmënden bastet”

Për ndeshjen e sotme Partizani-Atletik Esklades, kompanitë e basteve në Europë kanë vendosur koefiçentë, që i japin Partizanit fitoren. Kështu, fitorja e tij kuotohet me 1.17, barazimi 6.50 dhe fitorja e Esklades me 12.00.

Konferencë LIGË

Sezoni 2023-2024

 

Skuadrat në Shqipëri

Turi dytë eliminator

Datë 25 korrik 2023

Atletik Esklade-Partizani     0-1

Kthimi, sot 1 gusht 2023

Partizani-Atletik Esklade 20:45

E enjte, datë 27 korrik 2023

Beshiktash-Tirana                 3-1

Kthimi, datë 3 gusht 2023

Tirana-Beshiktash                 20:00

 

Skuadrat në Kosovë

Turi i dytë eliminator

Datë 25 korrik 2023

Ballkani-Larne (Nir)   3-0

Kthimi, datë 3 gusht 2023

Larne-Ballkani             20:30

Datë 27 korrik 2023

Dukagjini-Rijeka                   0-1

Plzen-Drita                             0-0

Kthimet, datë 3 gusht 2023

Drita-Plzen                             20:00

Rijeka-Dukagjini                   20:15

 

Në Maqedoninë e Veriut

Turi i dytë eliminator

Datë 26 korrik 2023

Struga-Buduçnost                 1-0

Kthimi, sot 1 gusht 2023

Buduçnost-Struga                 21:00

Datë 27 korrik 2023

Shkupi-Levski Sofia   0-2

Kthimi, datë 3 gusht 2023

Levski Sofia-Shkupi   19:00

Tifogrupi i Beshiktashit, nga Prizreni në Tiranë

Në qytetin e Prizrenit ka një pakicë turke, që njihet edhe si pjesë e Tifogrupit të skuadrës së Beshiktashit, e cila ditën e enjte do të luajë në Tiranë ndeshjen e dytë në Konferencë Ligë. Pas disa reagimeve, tifogrupi nuk e ka anuluar planin për të udhëtuar drejt Tiranës. Ditën e enjte pritet një ndeshje e vështirë për Tiranën dhe duke e menduar të kalueshme skuadrën tonë, tifogrupi i Beshiktashit ka bërë zyrtare praninë e tij në AIR Albania në Tiranë.

FSHF, të mërkurën zbardhen kalendarët

Nga Federata Shqiptare e Futbollit vjen lajmi se, më në fund edhe shorti i kampionateve kryesore për sezonin 2023-2024 është gati për t’u hedhur. Institucioni i futbollit shqiptar ka përcaktuar ditën e mërkurë, datë 2 gusht 2023 ora 11:00, ditën kur do të zbardhet kalendari i Abissnet Superiore që nis më 19 gusht, dhe i Kategorisë së Parë që nis më 2 shtator 2023.

E drejta televizive, këtë javë fituesi

E shtuna e 29 korrikut ishte afati i fundit për të interesuarit, që kërkojnë të sigurojnë të drejtën televizive për kompeticionet e organizuara nga FSHF-ja: Abissnet Superiore, Kategoria e Parë, Kupa dhe Superkupa e Shqipërisë. Janë shqyrtuar të gjitha ofertat për shoqëritë që kanë aplikuar, dhe këtë javë pritet të njoftohet për emrin e kompanisë që ka fituar të drejtën televizive për të gjitha këto kompeticione, ku më shumë tërheq Abissnet Superiore. Njëherësh, në shitjen e kësaj të drejte televizive është edhe “Final 4”, pjesë e skemës së re në Superioren shqiptare për sezonin e ri 2023-2024.