Flakët në malin e Dajtit, zv/ministri paralajmëron: Zjarrvënësit do ndëshkohen!

436
Zv.Ministri i Mjedisit, Kledi Xhaxhiu, ndoqi nga afër punën e punonjësve të Administratës së Zonave të Mbrojtura, Tiranë në izolimin e flakëve në Malin e Derjes. Grupit të punonjësve ju ishin bashkuar dhe pjesëtarë të komunitetit, banorë të Shën Gjergjit. Rasti në fjalë, kishte ardhur nga një shkëndijë elektrike, dëmtim i telave elektrikë. Zjarri vjen nga lart, duke zbritur poshtë. Janë masive të tëra ahu dhe pishe që rrezikojnë të digjen.
“Gjatë stinës së verës, temperaturat e larta, pakujdesia e njerëzve, por dhe zjarre të qëllimshme kanë bërë që masive të tëra pyjore të Zonave të Mbrojtura të rrezikohen nga djegia. Vetëm gjatë muajit korrik dhe gjatë javës së parë të këtij muaji numërohen mbi 40 raste zjarresh”, tha zëvendëministri i Mjedisit, Kledi Xhaxhiu.

Zjarri në Malin e Derjes, pjesë e Parkut Kombëtar të Dajtit, u fik fundjavën e kaluar dhe është aktivizuar sërish këtë fundjavë. Brenda 20 ditësh vetëm ky zjarr është fikur dhe riaktivizuar 4 herë.

“Ministria e Mjedisit i bënë thirrje Komunitetit dhe Vizitorëve të Zonave të Mbrojtura të bëjnë kujdes në këtë stinë të nxehtë vere, pasi një paskujdesi e vogël, një zjarrvënie e qëllimshme për të përfituar kullota mund të shkaktoj dëme të pallogaritshme. Nëse hetimet konkludojnë në zjarrvënie të qëllimshme sipas Kodit Penal dënimi është me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet. Nëse nga vepra penale shkaktohen pasoja të rënda materiale, dënimet me burgim mund të arrijnë deri në dhjetë vjet”, tha zëvendësministri i Mjedisit.

Aktualisht në Parkun Kombëtar të Dajtit numërohen tre vatra zjarri aktive.

“Ju bëjmë thirrje vizitorëve të parkut, por dhe banorëve të bëjnë kujdes, pasi temperaturat e larta dhe era bënë që flakët e zjarrit të shpërndahen në mënyrë të menjëhershme dhe megjithë përpjekjet zjarri është i vështirë të shuhet. Sapo evidentojmë një vatër zjarri ne lajmërojnë pilicinë dhe zyrën qëndrore të emergjencave civile, të ciëlt na kanë ardhur në ndihmë në shumë raste. I gjithë personeli i AdZM-së Tiranë është në gatishmëri të plotë”, tha Drejtori i AdZM-së Tiranë Ilir Vishkurti.

Në kthim zv.ministri u ndal në një vend tjetër, ku zjarri ka djegur sipërfaqe ahu në të dy anët e rrugës.

“Këto trungje këtu nuk mund të rigjenerohen më, ato mund të përdoren vetëm si dru zjarri. Ndërkohë që për ta kthyer në gjendjen e mëparshme duhet ripyllëzim dhe mbi 30 vite që të kthehet në gjendjen e mëparshme”, tha Xhaxhiu.

Parqet Kombëtare, Zonat e Mbrojtura janë kryesisht terrene të thyera malore, ku zjarrfikset dhe mjete të tjera e kanë të vështirë të hyjnë dhe zjarret janë fikur kryesisht nga vet punonjësit e Administratave të Zonave të Mbrojtura, të cilët janë gjithë kohën në terren dhe me ndihmën e komunitetit i kanë në monitorim të plotë zonat.
Sigal