Ka ndërruar jetë në spital, punëtori 26-vjeçar Indrit Çelaj, që e goditën me plumb në kokë dje ndërsa vendoste kondicionerët në një vilë në kryqëzimin e rrugës “Muhamet Gjollesha” me rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë.
Indrit Çelaj u qëllua nga L. V, pas një konflikti të çastit, ndërkohë që ky i fundit është shpallur në kërkim.
Çelaj ishte duke kryer punime për kondicionimin e vilës në pronësi të personit me inicialet B.K. “Grupi Hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe dokumentimin me prova ligjore të autorësisë së kësaj ngjarjeje”, tha Policia në një njoftim paraprak.
Pronari i vilës shtetasi B.K ishte me pushime në momentin kur ndodhi ngjarja. Ai është kthyer dhe ka dhënë dëshminë e tij në polici.