“E qëlloi me çekiç para se të binte nga kati i 6-të”/ Përfundojnë hetimet për vrasjen e Ornela Shehit nga aktori Florind Belliu në Nju Jork

118
Sigal

Policia në New York-ut mbylli një javë më parë hetimet për vdekjen e çiftit shqiptar, Florind Belliu dhe Ornela Shehit, në gusht të këtij viti në Bronx.

Sipas ekspertizës rezulton se aktori shqiptar, Florind Belliu, kishte goditur me çekiç bashkëshorten e tij, para se ajo të binte nga kati i 6 i apartamentit ku jetonin, mëngjesin e 6 gushtit.

Mediat amerikane, shkruajnë se ajo që mbetet e paqartë është nëse 28-vjeçarja ra nga dritarja apo u shty nga Belliu, i cili u hodh vetëm pak momente më pas.

Vetëm pak çaste para rënies, fqinjët thanë se kishin dëgjuar të bërtitura, ndërkohë në banesë gjatë ngjarjes së rëndë ndodheshin edhe dy djemtë e mitur të çiftit.

Fqinjët për mediat vendase treguar se kishin dëgjuar njërin prej tyre që të thërriste “Mami! Mami!”.

Dy djemtë e çiftit nuk ishin në gjendje të jepnin asnjë të dhënë se çfarë e shtyu çiftin drejt debatit fatal.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 6 gusht të këtij viti. Florind Belliu dhe Ornela Shehi, e cila ishte edhe shtatzënë, u gjetën të vdekur poshtë dritares së apartamentit të tyre në Bronx.

Aktori Florind Belliu ishte në gjendje të trazuar emocionale dhe se prej shumë kohësh po kurohej. Policia nuk kishte marrë asnjëherë raportime për dhunë mes çiftit dhe ata kishin rreth 4 muaj që ishin zhvendosur në apartamentin e ri.

Belliu dukej se e kishte paralajmëruar një tragjedi të tillë, pasi në një postim në Facebook, ai i kërkonte falje fëmijëve teksa u shkruante se “babai i tyre nuk e ka shkelur kurrë ligjin”. Belliu fliste për një lloj “komploti të gjerë dhe të shtrirë gjatë në kohë të organizuar kundër tij nga shumë persona”, çka ka ngritur dyshimet se ai mund të ishte i ngarkuar psikologjikisht.