Dyshohet për atentat me eksploziv/ Zbardhen detaje të reja nga shpërthimi në Portin e Sarandës

27
Sigal

Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme një shpërthim që shkaktoi një viktimë ndodhi në afërsi të portit të Sarandës. Fillimisht u raportua se gjithçka ka ndodhur si pasojë e një shpërthimi të një bombole oskigjeni, por duket se kjo pistë ka rënë poshtë.

Ditën e sotme janë ngritur dyshime se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga eksploziv. Polumbarët kanë gjetur sot në thellësinë e detit pranë vendit të ngjarjes copa metalike qe dyshohet se i përkasin mjetit lundrues në të cilin dyshohet se ndodhej viktima, megjithatë nuk është arritur të saktësohet se për çfarë mjeti bëhet fjalë.

Dyshimet lidhur me faktin që viktima ndodhej në një mjet tepër të vogël e ndoshta artizanal lundrues pranë Portit Detar dhe se shpërthimi ka ndodhur mbi sipërfaqjen e ujit, por edhe forca e saj, i kanë bërë ekspertët të dyshojnë se realisht ka pasur një shpërthim eksplozivi.

Burime bëjnë me dije se viktima është parë nga dy të huaj të cilët po lundronin me një gomone të vogël drejt jahtit të tyre të ankoruar në radë. Ata e kanë pyetur nëse kishte problem me dicka por ai i është përgjigjur “Jo”. Vetëm pak sekonda më pas është dëgjuar shpërthimi i cili është shoqëruar me zjarr dhe tym por dhe me zhurmë, që ka tronditur gjithë qytetin. Ndërkohë identiteti i viktimës ende vijon të jetë i pazbardhur.