Dy kamionë nga Serbia e Bosnja hynë në Kosovë, paguan taksën 100%

463
Sigal

Nesër bëhen një javë nga vendimi i Qeverise se Kosovës, e cila vendosi ta rrisë në 100% taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës. Pas ketij vendimi vërehet rënie drastike e interesimit të bizneseve serbe për të futur mallra në Kosovë. Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka bërë të ditur se deri më tani në Kosova kanë hyrë vetëm dy maune.

Njëra, sipas tij ishte nga Serbia dhe tjetra nga Bosnja. Hyrja e tyre është mundësuar pas pagesës së taksës 100%.

“Deri më sot vetëm dy maune kanë hyrë në Kosovë duke paguar taksën prej 100 për qind të vendosur nga Qeveria, respektivisht njëra me origjinë të Bosnjës e tjetra me origjinë nga Serbia”, tha Stavileci.

Stavileci ka bërë të ditur se deri më tani janë kthyer rreth 20 maune. Sipas tij, një numër është kthyer për shkak të taksës, e disa edhe për shkak të dekumenteve.

“Tani fluksi ka rënë, por në ditët e para të vendimit janë kthyer rreth 20 maune të cilat janë kthyer për arsye kryesisht të taksës së vendosur, por ka pasur edhe disa raste për shkak të deklaracionit të gabuar”, deklaroi Adriatik Stavileci për Insajderin.

Rritja e taksës në 100 pr qind ka shkaktuar reagime të ashpra te serbët.  Raportohet se katër kryetarët e komunave në Mitrovicën Veriore kanë dhënë dorëheqje.