Dhuna e përsëritur ndaj medias/ Polic i shtetit apo bandit?! Gazetarët u goditën duke raportuar në vendngjarje, pasi zbuluan edhe parcelat e drogës

183
Sigal

Anila Hoxha reagon për herë të parë pas skandalit me policinë

“Ardi Veliu mori hak te familjarët e mi pasi shkruajta për Klodian Rashën!”

Gazetarja e njohur, Anila Hoxha ka reaguar pas skandalit të ditës së shtunë ku një efektiv policie e shtyri këtë të fundit drejt greminës bashkë me një operator televiziv, me pretendimin se kishin kaluar shiritin e verdhë të policisë. Anila Hoxha në një postim në faqen e saj, ka treguar bisedën me babain e saj, i cili i ka kërkuar ta falë policinë, pasi ai mund të ketë qenë i lodhur. Madje në reagimin e saj, Anila Hoxha thotë se për rastin e Klodian Rashës, ku ajo ka shkruar për keqpërdorimin e Policisë për fshehjen e ngjarjes ka patur një hakmarrje nga Ardi Veliu te familjarët e saj.

“Mësojeni një polic e një gazetar një ditë do jetë aty për të treguar edhe historinë e tij! Më shumë se kushdo telefonata e tim ati, njeriut që ka më shumë ndikim në jetën time më shtyu të ulem të shkruaj këto rreshta. “Fale se ka qenë i lodhur”, – më tha dhe më pas më kritikoi ashpër për sjelljen. Dhe u mundova të vesh këpucët e atij polici, të qëndroj me orë të zgjatura në mal e të kërkoj nën presion se përse ngjarja nuk është zbardhur. Dhe megjithëse e kuptoj lodhjen e tij , kushtet e vështira në mal , prapë nuk e kuptoj armiqësinë ndaj një gazetari, që s’po bënte asgjë tjetër veç detyrës dhe që ishte aty dhe për atë, mbasi do fliste për qytetin ku ai jeton e rrit fëmijët, sigurinë në shkolla, drogën, fenomenet e kriminalitetit dhe çdo problematikë tjetër.

Ky gazetar kushdo qoftë shkruan për këtë polic, kur nuk i paguajnë orët shtesë, kur e keqpërdorin, për mos ngritjen e tij në detyrë dhe çdo gjë tjetër që i transmetohet publikut ashtu si abuzimin me çdo formë të pushtetit. Këtu e 15 vjet më parë nëse do kisha qëndruar në pritje të produktit të zyrave të shtypit dhe nëse nuk do kisha kapërcyer fshehtas muret e një ndërtese së bashku me operatorin Besfort Kryeziu , duke shkelur ligjin dhe duke “ dhunuar “ një institucion, publiku nuk do ta kishte marrë vesh kurrë të vërtetën e fëmijëve të Poliçanit.

Si unë , gjatë misionit kanë vepruar gjatë karrierës së tyre e vazhdojnë t’i shërbejnë publikut duke hulumtuar me profesionalizëm shumë e shumë kolegë të tjerë, që shtyhen, bullizohen , dhunohen në mos fizikisht në forma nga më të ndryshmet qoftë edhe sulme dixhitale duke rënë pre e arrogancës së pushtetit .

Dhe mund të vazhdoj me shembuj të pafundëm gjatë këtyre 23 vite karrierë mbi supe , të tilla si përpëlitja e Klodian Rashës në këmbët e një polici për të cilin u tha se i riu e qëlloi, por në fakt kamerat tregonin përndjekjen e tij vetëm pse kishte shkelur orën policore. Ish drejtori i përgjithshëm i policisë disa herë Ard Veliu e ka qetësuar mërinë e tij mbasi shkruajta për keqpërdorimin e policisë, duke marrë hak tek familjarët e mi.

Për të ardhur tek e shtuna e incidentit, meqënëse gjendesha mbas Malit të Dajtit për të raportuar për një krim me shumë të pathëna. Zyrtarisht për këtë krim të rëndë nëse do i përmbahesha vetëm qëndrimit zyrtar, publiku do kishte vetëm një varg inicialesh dhe do ndihej sikur lexonte alfabetin. Dhe se s’kishte dëgjuar e parë asnjë nga detajet që kam transmetuar përgjatë këtyre ditëve në Top Channel, si zbulimi i një parcele me drogë teksa në male kërkohej trupi i viktimës! Fakti që një i shumë kërkuar si trafikant u zbulua rastësisht mbasi u thirr për të dhënë deklaratë për zhdukjen, fakti që ndërkohë ai kishte vijuar aktivitetin e tij kriminal. Dhe gjendesha aty, në atë mal si çdo koleg tjetër, dhe ende nuk e kisha kaluar shiritin kur një agjent krimesh, që nuk duhet të ishte pranë shiritit, por 20 minuta larg tij në vendin e krimit , shtyu operatorin e A2 CNN Endrit Aga dhe për pasojë së bashku me të u rrëzova dhe unë.

Vendngjarja ishte 20 minuta larg me këmbë, pra 20 minuta larg atij shiriti. Nuk kishte asnjë situatë , asnjë incident , ishte një sjellje tipike e një shtetasi me uniformë dhe me pushtet, që e bezdiste prania e medias, puna e gazetarit. Ajo nuk ishte një sjellje polici, ai nuk ishte një polic. Ky person me gjithë terrenin e vështirë dhe humnerën në krahun ku ne gjendeshim, pa teklif bëri atë që kishte orë që po e bënte, shtynte gazetarë e sillej keq me ta. Ky person dhe kolegët e tij patën kohën në dispozicion aty në mal, që të kërkonte falje, sepse rrezikoi jetë njerëzish që sakaq nuk po bënin asgjë tjetër veç detyrës , por nuk e bëri. Dhe e gjitha kjo tregon një histori që përsëritet, tregon një mënyrë të vepruari e të përhershme të policisë ndaj gazetarëve që janë duke bërë detyrën.

Vendngjarjet nuk i prish gazetari që sipas kësaj mendësie hermetike nuk duhet t’i fusë hundët ku është shteti, por i prishin zyrtarët e policisë që parakalojnë brenda shiritave , që kamerat t’i filmojnë sikur veprojnë e marrin masa, që pinë cigare dhe shkelin me këpucë vendngjarjen ndonëse abetarja mbi një skenë krimi thotë “ ajo ju përket vetëm kriminalistëve” .

Të shtunën policia tregoi edhe njëherë se lë për të dëshiruar në raportin e saj me median, me publikun dhe qytetarin, siç ka vepruar edhe herë të tjera, duke nisur nga konferencat për shtyp kur s’lejojnë të bësh pyetje, siç ndodhi në Elbasan.

Dhe mua më shqetëson prej ditës se kaluar vetëm një pyetje, kur një polic flak një gazetar përpara kamerave, çfarë bën ky polic, si sillet ky polic kur shoqëron një qytetar, kur e hipën në makinë, kur i lidh prangat, kur e çon në ambientet e izolimit”,- shkruan Hoxha.