Denoncoi rrëmbyesit, e reja 7 ditë peng për të përgënjestruar

524
Një 24 vjeçare, e cila më 24 dhjetor çoi në arrestimin e 2 rrëmbyesve të saj me qëllim shitjen në Maqedoni, është mbajtur peng për 7 ditë në një banesë në fshatin Pojan të Korçës, nga i ati i njërit prej të arrestuarve.
Sipas policisë pengmarrja ka pasur qëllim përgënjeshtrimin e kallëzimit penal.
Pengmarrja- Qazim Qazimaj, 52 vjeç, i ati i Urim Qazimajt njërit prej të arrestuarve dyshohet se ka mbajtur peng vajzën për 7 ditë me qëllim që djali i tij të dilte nga burgu, si edhe vajza me inicialet V.SH, të përgënjeshtronte kallëzimin e datës 24.12.2015.
“Arrestimi i Qazim Qazimaj u bë pasi, dyshohet se nga data 27.12.2015 deri në datën 02.01.2015, ka mbajtur në banesën e tij, shtetasen V.SH, 24 vjeç, me qëllim që djali i tij, shtetasi Urim Qazimaj të dilte nga burgu, si edhe shtetasja V.SH, të përgënjeshtronte kallëzimin e datës 24.12.2015″ informon policia e Korçës.
Arrestimi më 24 dhjetor 2015– Më 24 dhjetor policia arrestoi Urim Qazimaj dhe Mersin Myrtollari, për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” kryer në bashkëpunim. Dy personat u akuzuan se rrëmbyen me forcë një 24 vjeçare me qëllim fitimi, duke e shitur në Maqedoni.
Policia sqaronte (më 24 dhjetor) se dy të arrestuarit Urim Qazimi 23 vjeç dhe Mersin Myrtollari 50 vjeç në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më 23 dhjetor në fshatin Dobranj-Devoll, kishin rrëmbyer forcërisht, për qëllim fitimi, nga banesa e saj, shtetasen V.Sh, 24 vjeç.
Sipas policisë “nga hetimet e kryera, rezultonte se shtetasi Urim Qazimaj, e ka shitur disa herë 24 vjeçaren, në Maqedoni, në persona të ndryshëm, në këmbim të përfitimit material prej tyre (shumës prej 400 Euro) Urim Qazimaj, kishte qëllim sërish, që të kalonte së bashku me 24 vjeçaren, në shtetin Maqedonas.”
Materialet i kaluan Prokurorisë të Krimeve të Rënda në Tiranë, për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” e kryer ne bashkëpunim parashikuar nga nenet 109 e 25 të Kodit Penal.
Sigal