Bënë drift dhe gara shpejtësie në rrugët e Durrësit, e pësojnë tre shoferët

44
Sigal

Policia e Durrësit ka ndëshkuar me gjobë tre shoferë pasi bënin gara dhe drift në rrugët e qytetit duke prishur dhe qetësinë publike gjatë natës.

Shtetasit me iniciale O. Sh, E. D. dhe I. N., u shoqëruan në Komisariat dhe u ndëshkuan me masa administrative 40 000 deri në 110 000 lekë.

“Si rezultat i kontrolleve të pandërprera, të ushtruara gjatë ditës dhe gjatë natës, me qëllim parandalimin, konstatimin dhe goditjen e paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Durrës konstatuan një rast të organizimit të kundërligjshëm të një gare shpejtësie, në një vendparkim automjetesh dhe në disa lagje të qytetit, ndërmjet 3 drejtuesve të automjeteve.

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” ndërhynë menjëherë dhe ndaluan këtë veprimtari të kundërligjshme, shoqëruan në Komisariat 3 drejtuesit e automjeteve, shtetasit O. Sh, E. D. dhe I. N., si dhe në bashkëpunim me specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Durrës, ndëshkuan me masa administrative 40 000 deri në 110 000 lekë, secilin prej këtyre shtetasve, për organizimin e kësaj gare, për mungesa në dokumentacionet e automjeteve që drejtonin, për pajisjen e këtyre automjeteve me xhama të errët, në kundërshtim me Kodin Rrugor, si dhe për prishjen e qetësisë publike gjatë natës, si pasojë e zhurmave të automjeteve të tyre”- njofton policia.