Atentat në qendër të Shkodrës, vret me 10 plumba shokun për borxhin

454
Sigal

Ngjarja dje paradite në tregun e qytetit. Autori dhe viktima kishin punuar bashkë në ndërtim

 Tronditet qyteti verior i Shkodrës nga atentati i radhës. Një konflikt për borxhin e pakthyer mes dy shokëve, ka përfunduar në tragjedi mëngjesin e djeshëm në qendër të qytetit të Shkodrës. Qytetarë të shumtë janë tronditur nga krimi i rëndë dhe të revoltuar, i bëjnë thirrje policisë, ministrit përkatës dhe Kryeministrit që të forcojnë rendin dhe t’u sigurojnë jetën…

NGJARJA

Konfliktet dhe debatet e shpeshta për një borxh të pashlyer kanë përfunduar mëngjesin e kësaj të diele me vrasje në qytetin e Shkodrës. Dedë Xhakaj, 50-vjeç u ekzekutua me 10 plumba pistolete nga 40-vjeçari Ilir Hoxha pranë tregut të shumicës në Dobrac. Blutë e qytetit të Shkodrës arrestuan Hoxhën, i cili deklaroi si motiv të krimit, faktin që 50-vjeçari e kishte “ofenduar rëndë në sy të të gjithëve”. Ngjarja ndodhi rreth orës 08:00 të mëngjesit të së dielës në tregun e shumicës, ku 50-vjeçari Dedë Xhakaj kishte shkuar për të bërë blerje. Sipas dëshmitarëve, tregtare dhe qytetarë, të cilët ishin të shumtë në momentin e krimit, 50-vjeçari u ndesh në treg me Ilir Hoxhën dhe nisën të debatonin me njëri-tjetrin. Në debat e sipër, 40-vjeçari ka nxjerrë nga brezi pistoletën dhe ka qëlluar në drejtim të tij me 10 plumba duke e lënë të vdekur në vend. Forca të shumta policie, të cilat mbërritën në vendngjarje nisën hetimet, ndërsa nga marrja e dëshmive u bë i mundur edhe identifikimi i autorit. Ilir Hoxha u arrestua në banesën e tij dhe mësohet se nuk ka bërë rezistencë ndaj uniformave blu. Ndërsa u prangos, Hoxha deklaroi se e vrau Xhakën pasi e kishte fyer rëndë në sy të të gjithëve.

HETIMET

Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se, viktima dhe autori kishin punuar së bashku në ndërtim, ndërsa 50-vjeçari e kishte ndërprerë punën me Hoxhën. Ky i fundit i kishte mbetur atij borxh një sasi parash, teksa pas kësaj kishin nisur edhe konfliktet verbale më njëri- tjetrin. Xhaka dhe Hoxha kishin debatonin sa herë që takoheshin, e ndërsa mëngjesin e së dielës, debati ka degjeneruar deri në sharje, çka ka bërë që 40-vjeçari të nxjerrë pistoletën “TT” dhe të qëllojë më 2 karikatorë ndaj 50- vjeçarit duke e lënë të vdekur në vend.