Arrestohet kreu i Bashkisë së Lezhës Fran Frrokaj. Mësohet se Frrokaj, përfaqësues i PD-së, akuzohet për ‘shpërdorim detyre’, pasi ka dyshime se ka tjetërsuar prona tek ‘Rana e Hedhun’. Gjithashtu, pas hekurave përfunduan edhe nënkryetari i Bashkisë Enver Hafizaj, kreu i Hipotekës Gjelina Bacaj, bashkë me dy juristët Eduard Lekaj e Armando Dakaj.
Raportohet se shoqërimi i tyre ka ndodhur rreth orës 12:30, ku agjentë të Krimit Ekonomik janë paraqitur në Bashkinë e Lezhës. Po ashtu mësohet se Gjykata ka firmosur ‘arrest me burg’ në mungesë për kryebashkiakun dhe për 22 zyrtarë të tjerë, ndërsa vetëm për 8 prej tyre është ekzekutuar masa. Mes të tjerash Gjykata vendosi sekuestro preventive për dy prona me sipërfaqe 25.146 m² dhe 13.730 m².
Deri më tani nuk dihet roli i saktë i kryebashkiakut Frrokaj në çështjen e abuzimit me pronat, ndërsa gjithçka mbetet për t’u përcaktuar në vijim.
Pak kohë më parë, në një skandal të ngjashëm me pronat në vijën bregdetare të Spillesë në Kavajë u përfshi edhe kryebashkiaku i Rrogozhinës, Beqir Nuredini, përfaqësues i PDIU. Ndaj tij gjykata ka vendosur masën ‘detyrim paraqitje’, ndërsa i është bllokuar edhe pasaporta.