Ka vijuar puna e përbashkët e Policisë së Shtetit dhe OSHEE-së, për “Evidentimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të vjedhjes së energjisë elektrike, si dhe për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike”. Javën e kaluar, gjatë periudhës 21.09.2015 deri më 27.09.2015, në të gjithë vendin kanë vepruar çdo ditë 80 grupe të përbashkëta Polici – OSHEE.
Kontrollet e përbashkëta janë kryer në 5.056 raste. Si rezultat i kontrolleve të kryera në terren në abonentët biznes dhe familjarë, janë evidentuar 30 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 30 autorë. Sipas njoftimit të policisë, janë arrestuar në flagrancë 7 persona të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike .
Ndërkohë, janë shpallur në kërkim 8 persona, si dhe ndiqen në gjendje të lirë 15 persona. Po gjatë kësaj periudhe janë ndërprerë 1.759 lidhje të abonentëve debitorë dhe 30 lidhje të paligjshme. Gjithashtu janë kontrolluar 97 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen nga këto kabina.
Policia e Shtetit dhe OSHEE, janë të vendosur ta çojnë deri në fund punën e nisur, deri në shkëputjen e fundit të lidhjeve të paligjshme, duke përballur me forcën e ligjit të gjithë ata persona, të cilët abuzojnë me energjinë elektrike, duke e vjedhur atë, qofshin këta përfaqësues biznesesh, individë, apo punonjës të vetë OSHEE-së.


















