20 zyrtarë të policisë eksponentë të Sigurimit dhe agjentë të të huajve

314
Sigal

 

Burime pranë autoritetit të dosjeve bëjnë me dije se mbi 20 zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, janë rekrutuar nga radhët e ish-Sigurimit të Shtetit në kundërshtim të hapur me ligjet në fuqi. Ndërkohë që disa oficerë të lartë, në shkelje të “Betimit Ushtarak”, shërbejnë edhe për llogari të shërbimeve inteligjente të vendeve të huaja. Ja sektorët më të implikuar

Të paktën 20 zyrtarë të policisë  rezultojnë se janë të përfshirë në ish-Sigurimin e shtetit. Burime pranë autoritetit të dosjeve thanë se deri më tani nga të dhënat e përpunuara nga ky institucion kjo dhe për llogari të procesit të vetingut, numri i efektivëve është 20, por kjo shifër mund të pësojë ndryshime. 8 prej emrave në listën emërore të përpunuar nga Autoriteti i Dosjeve janë zyrtarë aktualë, por edhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, ndërsa dy prej tyre kanë kaluar procesin e vetingut me sukses. Deri më tani komisioni i jashtëm ka në sitë 47 drejtuesit e lartë të policisë prej të cilëve 15 drejtues janë rikonfirmuar në kriterin e pasurisë aftësive dhe pastërtisë së figurës. Mes konfirmimeve në detyrë numërohet vetëm një përjashtim dhe dy dorëheqje. Autoriteti i dosjeve ka dërguar vendime për përfshirjen e zyrtarëve të policisë në ish-Sigurimin e Shtetit që në vitin 2019. Sipas Partisë Demokratike, ata nuk mund të shërbejnë në radhët e policisë pasi jo vetëm që kanë mohuar përfshirjen e tyre, por kanë plotësuar gabim formularin e vetingut mbi këtë çështje. Por verifikimi i pastërtisë së figurës së punonjësve të Policisë së Shtetit dhe sidomos drejtuesve të lartë të kupolës së Policisë kërkon një hetim të thelluar, pasi në radhët e saj, ka edhe individë të cilët  jo vetëm kanë qënë në strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit, por janë ende aktivë dhe punojnë për llogari të  shërbimë të  huaja.

Kjo kërkon që Autoriteti i Dosjeve dhe ministri i Brendshëm, të bashkëpunojnë dhe t’i kërkojnë  Shërbimit Informativ Kombëtar që të kalojnë në sitë dhe të bëjnë publike emrat e punonjësve të policisë që janë të implikuar dhe një pjesë tjetër e rekrutuar nga shërbimet e huaja inteligjente. Sipas burimeve konfidenciale në strukturat e Policisë së Shtetit, konkretisht në drejtoritë e kufirit dhe sidomos atë të Qarkullimit Rrugor, në qëndër dhe në bazë, ka individë të implikuar në dhënie informacioni shërbimeve të huaja. Ndaj vetingu në polici duhet të shtrihet në të gjithë sektorët, pasi shpërndarja e informacioneve shërbimeve të huaja përbën jo vetëm shpërdorim detyre, por edhe mund të konsiderohet si tradhëti ndaj atdheut. Fakti që disa medie italiane para disa vitesh deklaronin se nga burimet konfidenciale të policisë rrugore shqiptare, kemi informacione të sigurta për sasinë e hashashit që qarkullon në rrugët e zonave urbane dhe ato rurale, tregon se zyrtarë të rëndsishëm që punojnë ndër vite në Qarkullimin Rrugor,të ardhur nga jeta civile dhe të konsideruar të paprekshëm, mund të jenë burimi i informimit për shërbimet e huaja, çka është e ndaluar dhe bie ndesh me betimin ushtarak të Republikës së Shqipërisë.