Flet piktori Aleksandër Dragoti: Rama si politikan mbetet pragmatist, si piktor u shmang në periudhën e artë

Për mua politika shqiptare e 35 vjetëve është e dështuar, e kompromentuar, e korruptuar dhe aspak patriotike.

-Edi Rama arriti të bëhej një politikan i fortë, por jo një udhëheqës i zoti!

NOA

– Edi Ramës nuk i falet heshtja që ka treguar ndaj komunitetit të piktorëve shqiptarë.

– Ai duhet t’i përkrahte në ekspozita, në aktivitete, në propagandimin e tyre sepse janë me vlera.

– Unë kam lindur me pikturën dhe piktura mbetet dashnorja ime më besnike.

-Nëse do vazhdonte vetëm pikturën Rama do ishte një ndër piktorët më të mirë në Shqipëri dhe në Ballkan.

– Tani besoj ka ardhë koha që Rama të largohet nga kryetar partie pasi çdo kohë dhe sistem ka ciklet e veta.

-Për mua piktura më e bukur e Edi Ramës është piktura e Azem Galicës mbi një shkëmb.

– Në Shqipëri piktura reale, piktura bio nuk kuptohet, nuk blihet.

– Ende nuk është bërë kulturë blerja e një pikture origjinale nga familjet shqiptare.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Piktori i talentuar Aleksandër Dragoti me origjinë nga Tepelena, rrjedh nga fisi i dëgjuar i Dragotëve. Kam vite që e njoh dhe bashkëpunoj me këtë piktor dhe puna e tij, dijet e tij më kanë lënë mbresa. Ai është realist në gjykim dhe korrekt në komunikim. Babai i tij Asaf Dragoti ka qenë Komandant i Brigadës së VIII S dhe një nga drejtuesit e lartë të Ministrisë së Brendshme. Por në familjen e tij nuk mund të mos përmendet dhe vëllai i tij Faruk Dragoti një intelektual pikant, poliglot, diplomat që solli një frymë të re në mjekësinë shqiptare. Ai ka studiuar në Laipcig, në Universitetin Karl Marks ku ka studiuar dhe Kancelarja gjermane Merkel. Tashmë në fondin e tij numërohen rreth 820 piktura. Në këtë bisedë ai flet për politikën shqiptare, pikturën e re shqiptare, piktorët më të shquar, por dhe problemet e shumta të piktorëve shqiptarë, që vuajnë heshtjen e shtetit.

-Je rritur në një sistem kur piktura shqiptare kishte emra të mëdhenj. Madje më ke folur për shumë miqësi me disa piktorë. Kë do të veçosh nga piktorët që ke njohur?

Piktorët shqiptarë në sistemin monist kishin mbaruar studimet e larta në Rusi, Çeki, Rumani, dhe në disa vende të ish-BS. Ata të gjithë kishin kulturë të madhe. Në atë kohë studiot e piktorëve kanë qenë në stabilimentin “Mihal Duri”, që nga Sali Shijaku, Myrteza Fushekati, Perikli Çuli, skulptori Janaq Paço, Shaban Hadëri, Mumtaz Dhrami u rritëm në ato studio. Qysh në fëmini në këto studio vinte dhe Edi Rama. Unë do të veçoj piktorin e mirënjohur Edi Hila, një piktor i talentuar, një piktor me vizion. Mund të them se Edi Hila dhe Sali Shijaku ishin ata që

na ndihmonin shumë ne të rinjtë. Ata zbulonin talentet e reja dhe një nga talentet që ata shpreheshin ishte Edi Rama. Ndërsa për skulptorët Kristaq Rama hapi dyert për talentet e reja. Një ndër ta ishte Agim Rada që punoi shumë në studion e Kristaq Ramës ku bëri shumë vepra të mira që diskutohen dhe sot. Ai bëri Barletin, Onufrin, Mikelanxhelon, ku zuri disa çmime. Ndërsa në atë kohë shikoja nga afër shpërthimet e Edi Ramës në pikturë. Ai shfaqte ide tepër moderne në pikturë. Mes miqve të tij ai diskutonte për piktorët dhe skulptorët më të mëdhenj të kohërave, i lexonte ata dhe pse shumë libra mund të themi ishin të ndaluar. Në rrethet e tij shoqërore ku disa herë isha i pranishëm Edi diskutonte gjerësisht për Van Gogun, Matisi, Pikaso, impresionistët dhe kritikët e artit me mendim filozofik si Andre Breton,  Xhuliano Apolenieri, të cilët kanë bërë analiza të famshme të piktorëve të mëdhenj, që ishin të ndaluar. Edi punonte shumë në shtëpi dhe në studio. Të gjithë këta kanë ndikuar në formimin Profesional të Edi Ramës, por më shumë tek ai ndikoi piktori shumë i talentuar Edi Hila. Piktori Hila ka qenë pedagog për shumë kohë, një mjeshtër i penelit, korrekt dhe tepër aktiv. Ai ka qenë jo vetëm ndër pedagogët e pakët me nivel të lartë por edhe një ndër themeluesit e RTSH për artet figurative, për emisionet dhe për ndërtimin si strukturë. Ai është një piktor me shumë bagazh dhe me shumë kulturë. Pikturat e tij ndodhen aktualisht në galeritë më të famshme të Parisit, aty ku kanë ekspozuar Pikasso, Renuari dhe emrat më të mëdhenj të piktorëve botërorë. Ai i është për nga niveli i pikturave përkrah të gjithë piktorëve të mëdhenj me pikëpamje kontemporane, me një këndvështrim të niveleve botërore. Sot Edi Hila është ende pedagog ndër më të rrallët për nivelin ae mësimdhënies. Mes tyre kam mësuar shumë për artin impressionist deri tek surrealistët dhe rryma Pop, art i përfqësuar nga Andi Uarrlo në lulëzimin e këtij arti në Paris. Por flitej edhe për Xhorxh Brak, Hart Benton, Xhekson Pollok.

-Pra ju jeni njohur qysh në vegjëli me Edi Ramën. Si do ta cilësoni Ramën si piktor? Po tani a e vazhdoni miqësinë?

– Unë me Edin takohesha në studiot e miqve tanë deri në 1990  por dhe më pas ndiqja ekspozitat e tij personale deri në vijimësi Në krijimtarinë e tij artistike do të veçoj se Edi Rama ka pasur inteligjencë artistike, një këndvështrim mavangardë për kohën shumë konteporan, dhe gjithmonë ai përkrahte dhe gërshetonte lidhjen midis artit e kulturës që kishte fituar me studimet e tij dhe traditës shqiptare të pikturës. Gjatë kohës së viteve të fundit të regjimit Edi Rama ka marrë pjesë në disa ekspozita të përbashkëta kryesisht në ekspozitat e nëntorit. Ai mbahet mend për pikturat me veshjet karakteristike të malësisë të Labërisë, ku për mua do të mbetet piktura e Azem Galicës në shkëmb që do të mbahet mend tek të gjithë. Ai ka fiksuar aty një moment historik, të bukur, të veçantë, të spikatur që rrallë mund ta kapi piktor tjetër. Kjo mbetet ndër pikturat më të bukura të tij. Por në vitet e para të demokracisë ka mbetur në mendjen e shqiptarëve si një intelektual kurajoz dhe një publicist ndër më të spikatur. Shkrimet e tij analitike kanë një përmbajtje dhe një forcë inteligjence që e kanë të rrallë sot shumë publicist. Shkrimet  e tij në demokracinë e brishtë lexoheshin me kureshtje të madhe, me interes të jashtëzakonshëm për stilin, problematikën, për fjalorin, etj… Artikujt e tij dhe sot mbeten model. Ekspozitat e tij në piktura kishin në bërthamë artin abstraktionist, aq të panjohur në vendin tonë. Por nga ana tjetër mund të them se Edi Ramës nuk i falet heshtja që ka treguar ndaj komunitetit të piktorëve shqiptarë. Ai duhet t’i përkrahte në ekspozita, në aktivitete, në propogandimin e tyre, sepse janë me vlera.

-Tani të vimë tek Rama si politikan dhe si kryeministër. Si do ta cilësonit?

-Edi Rama arriti të bëhej një politikan i fortë, por jo një udhëheqës i zoti. E them këtë pasi në këtë katërvjeçar  shokët e tij që formoi kabinetin po gjykohen nga drejtësia. Tani besoj ka ardhë koha që Rama të largohet nga kryetar partie pasi çdo kohë dhe sistem ka ciklet e veta. Ka një dallim mes një politikani dhe një udhëheqësi. Një politikan i mirë nuk do të thotë se je një udheheqës i mirë, pasi politika është art në drejtimin e shtetit dhe ndryshon me konjukturat. Ndërsa udhëheqësi shikon më larg se politikani ai shikon për të ardhmen e vendit. Katër vjeçarin e fundit Rama besoi shumë dhe u zhgënjye po kaq shumë. Duke vënë para popullit Berishën me smangëitë e tij ai fitoi 3 mandate, por tashmë të gjithë janë zhgënjyer pasi Berisha po del nga situatat më të vështira. Për mendimin tim ai duhet ta lëjë drejtimin e PS pasi kaq gjatë së fundmi nuk po sjell risi. Ka të njëjtat fytyra në Kryesi që vetëm vegjetojnë.  Rama si politikan tregoi pragmatizëm si piktor u shmang në periudhën e artë. Por nëse do flas për politikën kam shumë për të thënë, por nuk dua të ndalem gjatë. Ju e dini që kam qenë një ndër të parët që përkrahu lëvizjen demokratike në Shqipëri. Sigurisht që duhej ai ndryshim. Por gjatë këtyre 35 vjetëve kam parë se në politikë nuk u futën njerëzit e duhur, të mençurit dhe patriotët, por ata, që nuk mundën të bëjnë emër në sistemin monist dhe ata që ishin servilë apo të paaftë. Nuk po shoh një klasë politike të re, të emancipuar. Klasa politike e vjetër ende do të qëndrojë në pushtet dhe nuk po merr nisma që të ofrojë brezin e ri. Klasa e vjetër politike nuk ka qenë e arsimuar për të drejtuar politikat e një shteti të ri demokratik, por ende drejtojnë me mendësitë e vjetra. Duke parë këtë situatë nuk kam qenë pjesë e asnjë formacioni politik. Politika për mua tashmë është që me penel të lartësojë bukuritë e vendit tim, por edhe të sjellë realitete sociale ,që të fshikëllojnë se në çfarë situate jemi. Për mua politika shqiptare e 35 vjetëve është e dështuar, e kompromentuar, e korruptuar dhe aspak patriotike.

 

 

-Rreth 43 vjet me pikturë. Pra…Ju e keni lidhur jetën vetëm me pikturën. Tashmë në fondin tuaj numërohen rreth 820 piktura. Si e sheh veten sot Aleksandri si piktor? A sjell frymëzim për ju Tirana?

– Unë kam lindur me pikturën dhe piktura mbetet dashnorja ime më besnike. Bashkë kemi folur shumë herë dhe e keni vizituar studion time. Unë vetëm punoj me penel ditë -natë. Piktura është jeta ime, frymëzimi im, ngushëllimi im. Tashmë i kam kaluar 820 piktura në fondin tim dhe më duken pak, sepse kam kaq shumë ëndrra, kaq shumë dëshira. Më shumë në pikturën time mbizotëron peisazhi, pastaj portreti, natyra e qetë, kompozimi, por edhe piktura moderne, konteporane. Në Shqipëri apo në Tiranë në çdo hap të hedhësh të lind një ide për të bërë një pikturë. Tirana sot është e kontrasteve të mëdha. Në një moment shikon një gradaçielë dhe poshtë saj në trotuar një lypës. Ecën dhe shikon një lokal luksoz dhe pranë të afrohet një i moshuar dhe të kërkon lëmoshë. Shikon pallate të reja, të bukura ,por edhe shtëpi të rrënuara prej qerpiçi. Shikon rrugë të bukura, por edhe rrugë me baltë që të bëjnë kontrast. Pra Tirana për piktorin është çdo moment objekt dhe subjekt. Në Tiranë shef makinat më të bukura që prodhon bota, por sheh dhe njerëz që në darkë nuk kanë bukë të hanë. Tirana është shumë e zhurmshme, por është dhe plot ngjarje makabre. Në Tiranë i gjen të gjitha ndaj them se është ngasje për çdo piktor. Tirana është e zhurmshme ditë e natë. Është në lëvizje, por edhe të sjell stress. Makinat me shpejtësi skëterrë të turbullojnë. Por edhe varfëria është e padukshme që vret në heshtje.

A ke marrë vlerësimet e duhura? Po me politikë a është marrë Sandri dhe si do ta përkufizoni realitetin e sotëm në Shqipëri?

Përsa i përket vlerësimit nuk dua të ndalem. Asnjë piktor shqiptar nuk është vlerësuar në demokraci. Piktorët në Shqipëri mundohen të mbijetojnë dhe pse janë shumë të talentuar. Edhe pse janë shumë piktorë sërish them që duhet të kenë një vlerësim më shumë nga shteti. Artistët ndihen si të braktisur sot. Vetëm hapja e një ekspozite vetiake ka kosto. Plus ne mundohemi t’i bëjmë vetë reklamë të gjithë punës. Njëkohësisht mund të them se nuk është ambient i duhur sot në Shqipëri për ne. Piktura reale, piktura bio nuk kuptohet, nuk blihet. Ende nuk është bërë kulturë blerja e një pikture origjinale nga familjet shqiptare. Janë të pakët ata që e njohin mirë rëndësinë e pikturës origjinale. Sot blihen vetëm pikturat e fabrikuara, pikturat e prodhimit në linjë.

-Të vijmë tek piktura juaj….Cilat janë pikturat e tua të fundit?

Unë pikturoj çdo ditë. Janë shumë shumë. Unë punoj çdo moment dhe sa shikoj diçka të re në fillim e skicoj në letër pastaj e hedh në telajo. Kam bërë shumë peisazhe nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Vendi ynë është mahnitës ka piesazh madhështor. Shiko kam portretet e lypësit, peisazhe të ambienteve të ndryshme të Tiranës, të rrugëve, të lokaleve, të tregut të fruta-zarzavateve, të sheshit qendror, të pemëve në rrugë, etj…të gjitha janë në vaj, por edhe në akuarel. Në këto dy teknika punoj.

Por të ndalemi te një moment, në sistemin monist. Si pikturoheshin portretet e ish-udhëheqësve të asaj kohe? Portretet e udhëheqësve ishin të përcaktuara, ju a kishit leje për të pikturuar Enver Hoxhën?

Për portretet e Enverit në zyrat shtetërore piktorët ishin të përcaktuar, por në portretet e mëdha që mbaheshin në supe nga klasa punëtore gjatë manifestimeve kisha leje. Në atë kohë kam bërë portrete shumë të shokut Enver dhe portret me shumë kualitet dhe figura të shumë anëtarëve të Byrosë Politike dhe këto vendoseshin në ballë të ndërmarrjes “Josif Pashko” që ishte një nga ndërmarrjet më të mira në rang republike. Vinin direktiva nga Komiteti i Partisë, që autorizoheshin persona të veçantë piktorë për ta ushtruar dhe për t’i bërë këto portrete. Në atë ndërmarrje ka qenë drejtori i Josif Pashkos që nuk jeton më; Koço Konomi. Ishte një njeri punëtor, mjaft autoritar, pasi në ndërmarrjen tonë bëheshin pritje ministrash. P.sh në atë kohë vinin si ministri i asaj kohe Fareudin Hoxha, ku shënoheshin planet e realizuara dhe njëkohësisht përcilleshin direktivat e reja të Partisë ku ne shpeshherë merrnim falënderime. Në ndërmarrjen tonë dhe në Shtëpinë e Kulturës që ishte një nga modelet e mira që e kishte projektuar Gazmend Tepelena. Ne merrnim përsipër që të bënim edhe koncertet e Majit dhe aty kanë dalë emra shumë të njohur siç ka qenë: Alqi Boshnjaku (që sot nuk jeton më), Alfred Kaçinari, Elida Buçpapaj. Jam njohur edhe me Çesk Zadenë, sepse Josif Pashko kishte një vend nderi në koncertet e majit, mbante vendin e parë në lidhje me valltarët e shquar e asaj kohe. Aty ka qenë edhe Dashnor Diko, Aleksandër Gjoka, Alida Hisku, Rexhep Çeliku.