Vlash Prendi/ Udhëtim përmes mrekullive mesjetare të kishave

    566
    Sigal

     “Kishat e Kurbinit” me vlera të jashtëzakonshme historike dhe artistike

    Vite më parë, nga mesi i viteve ‘90 kur në vendin tonë sapo kishte nisur pluralizmi i mendimit dhe vlerësimit të historisë, ngjarjeve dhe figurave të lëna në harresë qëllimisht nga regjimi komunist, në shtypin e shkruar do të shkëlqente një krijues dhe studiues i talentuar, rritur në luginën mes maleve të krahinës së Kurbinit, dhe formuar në bankat e Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, i cili nuk do të pushonte së nxjerri nga arkivat materiale dokumentare të ndryshme që nxirrnin në dritë vlerat historike dhe patriotike të kësaj treve dhe më gjerë. Ishte studiuesi Kastriot Marku, i palodhuri, i urti, kurajozi që nuk pushoi për asnjë çast së shkruari, së hedhuri dhe dhëni ide që studimi, kjo fushë aq e pëlqyer për ‘të, të vihej mbi baza sa më forta, pra sa më të vërteta dhe të plota shkencore.  I lindur në fshatin Skuraj të Kurbinit në vitin 1970, përfundoi studimet në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës në fakultetin e Shkencave Shoqërore në degën  Gjuhë-Letërsi shqipe me rezultate shumë të mira në përfundim të të cilave mbrojti temën e diplomës me një punim të veçantë në llojin e tij me temë: “Kritika dhe studime letrare shqiptare” në revistën “Hylli i  dritës” 1913-1944”, e cila u vlerësua mjaft asokohe nga komisioni përkatës. Më vonë, autori e zgjeroi gamën e problematikës që trajtoi në këtë studim e pajisi me shënime dhe literaturën e nevojshme dhe një pjesë të tij në variantin fillestar botoi në Shkodër në vitin 2000. Ky material interesant dhe me vlera bëri jehonë, jo vetëm për tematikën interesante dhe te goditur, por edhe për vlerat e reja shkencore që sillte në fushën e kritikës letrare, specifikisht mbi revistën emërmadhe, duke kryer kështu punën e parë të specifikuar mbi këtë organ shtypi. Mbi të gjitha ky material thellësisht shkencor, që mbahet modest nga autori i saj, do të shërbente si shkëndijë për autorin për të realizuar studime më të thella, më të plota dhe më të arrira në të ardhmen.

            Në vitin 2002, del përpara lexuesit me vëllimin poetik me titullin “Përhumbje”, një vëllim në të cilin përfshihen 72 poezi, përmes të cilave pasqyrohej bukur ndjenja dhe mendimi, dëshira për të ecur përpara krahas evidentimit të vlerave shpirtërore dhe estetike e letrare njëherësh. Bie në sy që ky vëllim (i vetëm i autorit deri më tani), ka një poezi të çiltër, jo fort e thjeshtë nga pikëpamja strukturore dhe mendimore. Ajo është një poezi e shkurtër gati me kursim dhe plot art modern, ku vërehet një stil që ndjek poezinë e Martin Camajt, të cilin autori duket se e ka si udhërrëfyes. Mbi të gjitha trajtat gjuhësore të leksikut të tij poetik sjellin një metaforizim të përqendruar që kërkon një lexues elitar. Më tej autori do të shkruante edhe dy libra të tjera “Arsimi në Gallatë”, Lezhë, 2008, ku shpalos historikun e zhvillimit të arsimit dhe dijes në fshatin me të njëjtin emër, duke u ndaluar kryesisht në historinë, kushtet dhe rrethanat e historiko-kulturore të hapjes së shkollës së Parë Shqipe në Kurbin në vitin 1632, dhe i dyti një studim në formë guide “Miloti”, Lezhë, 2007, përmes të cilit lexuesi njihet me vlerat historike, etno-kulturore dhe turistike të këtij qyteti dhe komunës me të njëjtin emër të njohur në Shqipëri.

    Kastrioti Marku duke qenë një studiues kurajoz dhe i vëmendshëm, nuk reshti së punuari, ndaj në kërkimet e tij gjen në Arkivin e Shtetit, dorëshkrimet e krijuesit erudit, isha famullitarit të Milotit Don Frano Ilia, ku veçon materialin studimor “Famullia e Milotit”, të cilin e përgatit për botim në vitin 2006. Ishte një punë e mirëfilltë shkencore sa i takon përzgjedhjes së materialeve dorëshkrimore, redaktimit dhe korrektimit të tyre, e cila ishte një punë tejet profesionale filologjike. Përmes këtij materiali, përgatitësi i tij na solli historinë dhe jetën fetare dhe laike të famullisë së Milotit, punë të cilën Dom Frano Illia e kishte ilustruar me të dhëna statistikore dhe ngjarje kronologjike, ku lexuesi i saj gjen diçka nga historia e prejardhjes dhe natyrisht edhe historinë e kishtare në këtë njësi administrative. Është një vepër unike dhe tërheqëse në llojin e saj e cila rizgjoi kujtesën historike të ndërprerë dhunshëm, dhe kjo falë punës redaktoriale korrekte të Kastriot Markut, e cila merr vlera të veçanta në këtë rast.

    Shkrime studimore

           Boton shumë shkrime studimore dhe fetare, fragmente monografike për figura të shquara të kulturës shqiptare kryesisht të katolicizmit dhe veçanërisht të urdhërit françeskan si për At’ Leonardo De Martinon, At’ Gjergj Fishtën, At’ Shtjefën Gjeçovin, At’ Luigj Paliq, At’ Marin Sirdanin, Imzot Nikollë Kaçorrin, Imzot Pashk Trokthin, Imzot Rafaele D’Ambrosion, Imzot Frano Illinë, Gjin Pjetrin, Martin Camajn, Ernest Koliqin, Vizar Zhitin, Lek dhe Leonard Pervizin etj., si dhe artikujt mbi  Shkollën e Kurbinit (1632), Ipeshkvinë e Arbërit dhe gjendjen kishtare në Kurbin gjatë mesjetës, Kryengritjen e Kurbinit në prag të Shpalljes së Pavarësisë, Françeskanët në krahinën e Matit, si dhe një historik të gjatë të urdhrit françeskan në trojet shqiptare etj,. shkrime këto të botuara në organe të ndryshme të shtypit të përditshëm dhe atij periodik shkencor brenda dhe jashtë vendit, shumica prej të cilave të kumtuara në konferenca shkencore. Firma e tij veçanërisht si studiues do të hidhej dukshëm vitet e fundit në organe të tilla si Gazeta shqiptare, Shqiptarja.com, Koha jonë, Republika, 55, Kisha dhe jeta, Drita, Kumona e së Diellës, Kuq e Zi, Miqësia/Amicizia, Emathia, Revista Pedagogjike, Jeta Arbëreshe, Jeta Katolike, Fjala Hyjnore, Hylli i Dritës, Res Albanica, Studime mbi artin, Malësia, Haemus Plus, Jeta e re etj., me artikuj kushtuar Gjon Buzukut vendin që zë vepra e tij Meshari në periudhën e Reformës katolike, Pjetër Bogdanit dhe veprës së tij Çeta e Profetëve, Papa Klementit XI dhe rolit që ka ai luajtur për mbajtjen e Kuvendit të Arbënit dhe mbledhjes së veprës Illyricum Sacrum, At’ Leonardo De Martinos, At’ Gjergj Fishtës, At Shtjefën Gjeçovit, At’ Luigj Paliqit, At’ Marin Sirdanit, Imzot Nikollë Kaçorrit, Imzot Pashk Trokthit, Imzot Rafaele D’Ambrosios, Imzot Frano Illiajt, Gjin Pjetrit, Martin Camajt, Ernest Koliqit, Haxhi, Gocit, Vizar Zhitit, Lek dhe Leonard Pervizit etj., si dhe figurave të rëndësishme të historisë botërore si Kostandinit të Madh dhe Ediktit të Milanos (313), studiueses dhe etnografes Edit Durham etj., ku ka spikatur si një autor me një diapazon të gjerë tematik dhe me mbi të gjitha për punime shkencore me vlera të veçanta si risi në studimet albanologjike.

          Kështu në vitin 2008, studiuesi Kastriot Marku do të shpërthente me një nga veprat e tij më të mira, madje me një vepër dinjitoze në studimet tona historike me titull “Kishat e Kurbinit”, Tiranë, 2008. Nëpërmjet këtij materiali studimor, autori bën një panoramë të pazakontë të vendeve të shenjta (monumenteve kishtare) të trevës së Kurbinit, kësaj treve ku rrënjët e krishtërimit kanë qenë hershmërisht dhe tradicionalisht të thella. Përmes literaturës së botuar  dhe kryesisht burimeve arkivore të panjohura më parë dhe relativisht shumë të pasura, studiuesi Kastriot Marku në këtë monografi të strukturuar në pjesë sipas organizimit kishtar të Arkidioqezës së Tiranë-Durrësit, përcakton saktë objektet kishtare dhe rrënojat e tyre si dhe emërtimet e tyre mbështetur mbi të dhënat dokumentare  historike. Në këtë kontekst autori tregohet i vëmendshëm në disa aspekte si në atë historik, gjeografik dhe ndërtimor-artitekturor duke na sjellë të dhëna me shumë rëndësi edhe lidhur me emërtimin e secilit objekt, pozicionin e vendndodhjes,  përmendjen e hershme, përmasat e objektit kishtar të zbuluar rishtas ose ato ekzistuese, duke na dhënë kështu të plotë “pasaportën” e secilit objekt.

         Sipas Kastriot Markut, në Kurbin na dalin se kanë ekzistuar që nga lashtësia rreth 33 objekte kishtare, numër ky i konsiderueshëm për një trevë si relativisht të vogël sikurse Kurbini, madje ka fshatra si Skuraj, ku kanë ekzistuar tetë vende të shenjta, kisha ose rrënoja të tyre. Me interes është përshkrimi historik i këtyre monumenteve (vendeve të shenjta), të cilat veç Imzot Frano Illisë, nuk i ka përmendur ndonjë studiues tjetër, ndërsa studiuesi Kastriot Marku na i sjell para lexuesit të përplotësuara me saktësi përshkrimore fizike dhe dokumentare në mënyrë shkencore.

         Në Kurbin ka fshatra të tilla si Vinjolli, Mali i Bardhë apo Gjonëmi me popullsi myslimane, të cilat i përkasin besimit fetar muhamedan, por edhe në këta fshatra, studiuesi Kastriot Marku ka zbuluar rrënoja të objekteve të hershme kishtare. Kështu në Vinjollë ka zbuluar rrënojat e dy kishave, të Shën Nikollit dhe të Shën Markut, madje pikërisht për këtë ai vë re se popullsia e sotme myslimane e këtij fshati feston edhe sot festën e Shën Nikollës që përkon me datën 9 maj. Në Malbardhë ka ekzistuar kisha e Shën Mëhillit, ndërsa në Gjonëm kishat e Shën Gjonit dhe Shën Vlashit. Kjo vërteton më së miri se popullsitë e këtyre fshatrave dikur kanë qenë të krishtera sikurse e pohojnë relacionet kishtare dërguara Romës, por pas pushtimin turk ata u asimiluan duke u kthyer në myslimanë.

     

    Përshkrimi historik

          Përshkrimi historik zë vend të veçantë në këtë libër. Me kujdes autori përshkruan rolin e Kishës së Shën Prenës e cila luajti rol të rëndësishëm si Seli Ipeshkvnore e Arqipeshkvisë së Durrësit, ku për vite me radhë shërbyen ipeshkvinjtë e Durrësit, Princër të Kurbinit, por edhe se si në këtë ndërtesë ku u hap për herë të parë shkolla shqipe në vitin 1632, tezë të cilën autori e mbron me forcë dhe e bazon në dokumente historike, gjë, e cila është edhe një ftillim me rëndësi për fillimet e arsimit në gjuhën shqipe në trojet shqiptare. Një objekt tjetër me interes për lexuesin është edhe kisha e Shën Mërisë, në fshatin me të njëjtin emër, rrënojat e së cilës duken edhe sot. Është quajtur edhe kisha e 40 shenjtorëve, ku shpesh Gjergj Kastrioti shkonte të lutej bashkë me të shoqen Donikën. Më tej, studiuesi Kastriot Marku ndalet në të dhënat historike dhe rolin e kuvendit më të njohur të peligrinazhit në Ballkan e më gjerë, sikurse është ai i Sebastes tek kisha e Shën Antonit në Laç.

          Punimi shkencor dhe i plotë i Markut është një enciklopedi nga më përfaqësueset në llojin e vet, një studim me vlera që do të zërë një vend nderi në fushën e studimeve tona historike dhe posaçërisht atyre kishtare. Imzot Rrok Mirdita ka theksuar se: “…Përmes këtij punimi kemi në dorë një “çelës” të rëndësishëm, për të bërë të mundur leximin e drejtë të historisë sonë kulturore dhe shpirtërore,e cila përpiqet të rivendosë një marrëdhënie të re që ishte prerë dhunshëm, e që do të shpërfaqë vlerat qenësore të identitetit europian të kombit shqiptarë…”, dhe me të vërtetë ky studim hedh dritë mbi zhvillimin e kulturës materiale njerëzore dhe shpirtërore të kësaj treve, duke mos dyshuar kurrë në vitalitetin e këtij populli pro perëndimor dje sot e mot.

          Një kapitull të veçantë në këtë studim zë edhe origjina e lindjes së shkollës dhe mësimit shqip që nismën e ka pikërisht në Kurbin, historia dhe zhvillimi i së cilës nisi pikërisht këtu në këtë trevë me tradita kulturore dhe atdhetare në kishën e Shën Prenës, në Selinë e dikurshme të Ipeshkvisë së Durrësit që aso kohe ndodhej në Kurbin. Autori përqendrohet në historinë dhe rrethanat e hapjes së shkollave veç e veç, fillimisht të asaj të Shën Prenës më 1632 edhe asaj në Milot në vitin 1900, si dhe në Zhejë në vitin 1921. Kjo paraqet interes për faktin se ishin pikërisht priftërinjtë tanë atdhetarë që kontribuuan dhe u bënë autorët e teksteve mësimore dhe mësuesit e parë në shkollat shqipe të Kurbinit. Emrat e mësuesve të parë në këto shkolla janë të njohur si Imzot Gjon Kolesi, Imzot Mark Skura, Imzot Gerardo Gallata, Dom Ndue Lleshi, Dom Mark Biba etj, sepse ata hodhën themelet e shkollës dhe mësimit shqip, pikërisht në Kurbin. Materiali i pasur burimor, faktet historike dhe argumentet shkencore e bëjnë këtë vepër me vlera të veçanta studimore. Edhe Prof.dr. Aleksandër Meksi thekson për vlerat e librit, “…Për rrethana tashmë të njohura, studimet e deritashme nuk kanë arritur të hedhin dritë për këta aspekte të historisë kishtare dhe asaj të ndërtimeve, prandaj monografia përbën një kontribut me vlerë dhe pikënisje të pamënjanueshme për studimet e ardhshme për këtë trevë dhe atë mbarëshqiptare…”.