Ulet mosha e pensionit për 3840 minatorë, Veliaj: Mbajtëm premtimin

    339
    Sigal

    TIRANE – Komisioni i Ekonomisë ka miratuar sot projektligjin për uljen e moshës së pensionit të minatorëve me 5 vjet, nga 60 vjeç në 55 vjeç. Në këtë mënyrë, nga ky ligj pritet të përfitojnë 3840 minatorë, në të gjithë vendin.

    Ministri i Mirëqënies Sociale Erion Veliaj, i pranishëm në mbledhjen e komisionit, u shpreh se me këtë projektligj qeveria mban premtimin e sj, ndërsa shton se tashmë edhe minatorët do të marrin pensione edhe më të larta.

    Veliaj theksoi se minatorët që do të dalin tashmë në pension do të përfitojnë nga ky ligj, një pension që arrin deri në 21 000 lekë në muaj.

    “Në këtë mënyrë, miratimi i këtij projekt-ligji jo vetëm që do të ulë me 5 vjet, nga 60 në 55 vjeç, moshën e daljes në pension të minatorëve, por edhe do të rrisë përfitimet e të gjithë atyre ish-minatorëve që sot përfitojnë trajtim të veçantë financiar. Në bazë të llogaritjeve tona, nga ky projektligj pritet të përfitojnë 3840 individë, pjesa dërrmuese e të cilëve, rreth 3700 individë, sot përfitojnë trajtim të veçantë financiar. Të gjithë ish-minatorët që sot përfitojnë 9,000 lekë trajtim të veçantë financiar do të shohin një rritje të madhe të të ardhurave të tyre, pasi rreth 75% e tyre, falë këtij ligji, do të përfitojnë pension në masën 14,474 lekë në muaj. Pjesa tjetër, si edhe ata minatorë që do të dalin me këtë ligj në pension, do të përfitojnë pensione mujore akoma edhe më të larta deri në masën 21,000 lekë në muaj.” tha Ministri Veliaj