KLSH kallëzon në Prokurori shtatë drejtues dhe ish-drejtues të AKBN

530
Sigal

Agjencia është vetëpërjashtuar nga rregullat për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore. Mosaplikimi i masave administrativo-ligjore nga ky institucion, ka lejuar abuzimin nga ana e shoqërive koncesionare, të cilat gëzojnë leje shfrytëzimi të bëjnë një shfrytëzim të paskrupullt të burimeve nëntokësore, duke shkatërruar në shumicën e rasteve zonat  mjedisore në të cilat ata operojnë-

 Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të tij të auditimit nr. 502/1 prot., datë 16.05.2014, ka ushtruar auditim në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), me objekt auditimi: “Mbi zbatimin e ligjshmërisë dhe rregullshmërisë së aktivitetit ekonomik e financiar dhe mbi objektin e veprimtarisë së AKBN, zhvillimin, mbikëqyrjen e shfrytëzimit racional të burimeve natyrore në bazë të politikave qeverisëse dhe monitorimin e post shfrytëzimit të tyre në sektorin minerar, hidrokarbur dhe hidroenergjetik”.

Nga auditimi u konstatua se:

  1. AKBN, në veprimtarinë e saj administrativo–ligjore, është vetëpërjashtuar nga rregullat për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore, duke funksionar me  një status hibrid, pa përcaktime të sakta ligjore, të cilat të rregullojnë veprimtarinë e saj. Kjo ka sjellë dhe shpenzime të pajustifikuara apo dëme në mënyrën e administrimit të fondeve në dispozicion të Agjencisë, ku vetëm për vitin 2013 ky keqpërdorim arrin në vlerën prej rreth 34,5 milionë lekë.
  2. Në funksionimin e AKBN është konstatuar mungesë rakordimi të veprimeve me Autoritetin Kontraktor (Ministria e Energjitikes dhe Industrise-MEI) për monitorimin dhe ndjekjen e zbatimit të kontratave. Veçanërisht mbi dokumentacionin ekonomiko-financiar që duhet të paraqesin koncesionarët për zbatimin e kontratës në faza të ndryshme të ndërtimit (bilance, fatura, etj), të cilat në shumë raste mungojnë, ose nuk janë të firmosura sipas bazës ligjore, mungesa e dokumentacionit ka bërë të pamundur vlerësimin real të investimeve të kryera, duke sjellë edhe pamundësinë e llogaritjes së penaliteteve nga Autoriteti Kontraktor. Një shkak për gjendjen e krijuar në fushën e dokumentacionit për monitorimin është nënshkrimi i kontratave ndërmjet ish METE dhe koncesionarëve, pa përfshirë AKBN, si institucioni monitorues,.
  3. Nga auditimi konstatohet se, përHEC-et që kanë filluar prodhimin e energjisë elektrike,  nuk ndiqen detyrimet e koncesionarit për kryerjen e testimit të vepres energjetike, vlerësimin e investimit, detyrimet e koncesionarit për derdhjen në vlerë në arkën e MEI të tarifës koncesionare sipas kontratës, dhe rakordimet vjetore, për të përcaktuar përmbushjen e detyrimit për prodhimin e energjisë elektrike vjetore sipas kontratës.

4. Nga auditimi i dokumentacionit rezulton se për vitin 2013, nuk është kryer testimi i HEC-eve që janë vënë në punë, duke mos zbatuar procedurat e përcaktuara në Kontratës Koncesionare. Moskryerja e këtyre procedurave në prani të përfaqësuesve të Autoritetit Kontraktor dhe AKBN, nuk ka dhënë mundësi të përcaktohet nëse janë plotësuar kushtet e përcaktuara për fuqinë e vendosur, makineritë e vëna në HEC, llojet, origjina e tyre, etj.

 

5. Nga auditimi i monitorimit të lejeve e liçensave të shfrytëzimit të burimeve natyrore minerare,  AKBN nuk ka hartuar asnjë raport monitorimi për  2 gjashtëmujorët  e vitit 2012 bazuar mbi mbikqyrjen që duhet të  kryenin gjatë kësaj periudhe në subjektet që ushtrojnë veprimtari të shfrytëzimit minerar, duke mospërmbushur detyrimin ligjor të saj megjithse ka kryer shpenzime dhe përdorur fonde për  hartimin e raporteve të monitorimit.

 

6. Në raportin e vitit 2013, shumë nga treguesit e monitorimit të lejeve minerare nuk janë koherentë duke humbur besueshmërinë e gjendjes reale të treguesve të aktivitetit të lejeve minerare, pasi bazohen në raportet dhe akt konstatimet e viteve të mëparshme apo vetëdeklarimet e vetë subjekteve. Mënyra e trajtimit nga ana e specialistëve dhe masat e propozuara nga drejtuesit e AKBN  gjatë vitit 2013, nuk kanë qenë në mbrojtje të interesave të shtetit. Mosaplikimi i masave administrativo-ligjore nga ky institucion, ka lejuar abuzimin nga ana e shoqërive koncesionare, të cilat gëzojnë leje shfrytëzimi të bëjnë një shfrytëzim gati barbar të burimeve nëntokësore, duke shkatërruar në shumicën e rasteve zonat  mjedisore në të cilat ata operojnë.

  1. Nga auditimi u konstatua se në shumë rrethe të vendit zhvillohet aktivitet minerar nga ana e subjekteve të palicencuara, të cilat jo vetëm zhvillojne veprimtari të paligjshme, por sjellin edhe një dëm mjedisor si nga pikëpamja vizive, por edhe nga emetimet në atmosferën përreth të gazrave të dëmshëm. Nga strukturat përgjegjëse  nuk janë marrë masa që në bashkëpunim me pushtetin lokal të kërkohet dhe ndihma e Policisë së Shtetit, duke bërë evidentimin dhe ndalimin e subjekteve të paliçensuar, që zhvillojnë aktivitet privat minerar të paligjshëm.

  1. Për vitin 2013, subjektet e pajisura me leje për shfrytëzim rezultojnë të kenë prodhuar për çdo mineral sasi të konsiderueshme në mijëra tonë, ndërkohë që numri i punëtorëve në këto subjekte  varion nga 2-4 punonjës, fakt qe deshmon se në këto subjekte punohet “në të zeze”dhe kjo pranohet në heshtje nga AKBN, kur miraton programet me nga 2 deri 4 punonjës me sigurim jete, ose ka dhe raste kur kërkohet minimumi dy punonjës të siguruar.

  1. Në zona të ndryshme konstatohen raste të tjetërsimit  të lejes minerare të shfrytëzimit te persona të tjerë, në mënyrë të paligjshme dhe deri në ushtrimin e aktivitetit prodhues minerar në zona të paliçensuara.

  1. Nga të dhënat e vëna në dispozicion nga sektori i Garancive dhe Rehabilitimit Mjedisor rezulton se  nga 741 subjekte  të rregjistruara me leje minerare,  rreth 393 subjekte nuk kanë depozituar asnjë vlerë monetare, si garanci për rehabilitimin e zonës, në shkelje të ligjit minerar. AKBN  ka lejuar që keto subjekte  të mos e zbatojnë këtë detyrim ligjor, mungesa e kësaj garancie rrezikon dhe shuan mundësinë e rrikthimit të këtyre zonave në gjendjen mjedisore të meparshme, duke  i shkatërruar përfundimisht ato.

Rreth 121 subjekteve për të cilat është propozuar revokimi i lejes minerare, rezulton të kenë garanci financiare të padepozituara për vitin 2011 dhe vitin 2012 në vlerë  të përllogartur në shumën 88.6 milionë lekë, të cilat duhet të kalonin në favor të buxhetit të shtetit dhe të përdoreshin për rehabilitimin e zonave ku është kryer veprimtaria minerare.

  1. Nga auditimi rezultoi se AKBN që nga viti 2010 e në vazhdim kishte lidhur një kontratë qiraje me një subjekt privat për të mundësuar qëndrimin sërish të arshivës teknike të AKBN në Zyrat e Selisë Qendrore të “ARMO” Fier. Në zbatim të kontratës së qirasë, AKBN i ka paguar subjektit privat 13.000 Euro/muaj për një sipërfaqe ndërtimi prej 800 m2 dhe sipërfaqe trualli prej 1436,6 m2.

Godina e marrë me qira nga AKBN, rezulton që të ketë qenë më parë pronë shtetërore në administrim të ARMO dhe më pas METE ia ka kaluar në pronësi AKBN-së. Më pas, në fund të vitit 2009, ky objekt është privatizuar në favor të një subjekti privat.

Në lidhje me këtë kontratë dhe shtesat e mëpasshme që i janë bërë asaj, rezultoi që ato janë hartuar dhe nënshkruar në kundërshtim të hapur me legjislacionin në fuqi, pasi nga AKBN nuk është zhvilluar asnjë procedurë prokurimi  apo negocimi në lidhje me marrjen me qira të këtij objekti, për të cilin që nga viti 2010, AKBN ka paguar 96 milionë lekë ose rreth 685 mijë Euro.

  1. Nga auditimi i dokumenteve të vëna në dispozicion, rezultoi se tre ish-drejtorë ekzekutivë të AKBN dhe tre ish-drejtorë të Drejtorisë së Financës së këtij institucioni, kanë kryer një sërë veprimesh të kundërligjshme përsa i përket shpenzimeve publike në AKBN-së, duke vepruar kështu në kundërshtim flagrant me përcaktimet e bëra në Ligjin nr. 9936, datë 26.06.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Udhëzimin nr. 2, datë 06.02.2012 “Për procedurat standarde të zbatimit të buxhetit të shtetit”, si dhe Udhëzimin nr. 1, datë 09.01.1996 “Për procedurat e punës së sistemit të thesarit dhe marrëdhëniet me institucionet buxhetore”.

KLSH konstatoi se përgjatë vitit 2013, përgjithësisht llogaritë në USD, kanë shërbyer si llogari ndërmjetëse, pasi pjesa më e madhe e pagesave është kryer në Lekë dhe pjesërisht në Euro. Nga analiza e raportit të lëvizjeve bankare të llogarive bankare të AKBN, rezulton se AKBN në asnjë rast nuk ka kërkuar të marrë një kurs preferencial por ka vijuar me kursin ditor të Bankës, edhe pse shumat e konvertuara kanë qenë mbi 150,000 USD secila, duke i konvertuar USD përkundrejt Lekut me “kosto më të lartë”, në disfavor të interesave të shtetit dhe favorizim të interesave të bankave ku janë kryer këto konvertime.

Nga analiza e këmbimeve valutore rezultoi se, si pasojë e keqmenaxhimit të qëllimshëm financiar nga ana e drejtuesve të AKBN, buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën prej 7.239.530 Lekë.

Për të gjitha shkeljet e konstatuara më sipër, KLSH i ka dërguar organit të prokurorisë dy kallëzime penale, nr. 502/27 dhe 502/28 të datës 21.10.2014, së bashku me të gjithë dokumentacionin përkatës të auditimit, për T.M, P.Gj, P.S, S.B, G.A, L.B dhe B.Xh,  drejtues dhe ish-drejtues të AKBN, me akuzën e konsumimit të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga nenet 248 dhe 258 të Kodit Penal.