Trashëgimia e gastronomisë, në bashkinë e Selenicës

367

Nga AGIM JAZAJ

“Trashëgimia Gastronomike” apo e “Kuzhinës Tradicionale”, ishte aktiviteti i ditës, zhvilluar nga bashkia Selenicë, në njësinë administrative të Kotës, pjesë e projektit: “Bashkitë për në Evropë”, në bashkëpunim me zyrën e BE- s, në Tiranë, ku e pranishme ishte dhe drejtoresha e projektit; “Bashkitë për në Evropë, znj. Jolanda Trebicka. Nga e gjithë harta e bashkisë kishin zbritur me produktet e tyre të shumta, gjellët tradicionale, shndërruar në një panair, sofër e madhe e shtruar në qendrën e qytezës së Kotës. Amvisat kishin shtruar e mbushur gjithë sofrën Labe me gjellët tradicionale… Edhe mishi i pjekur për helli, ishte i pranishëm në këtë Panair, shtruar në këtë sofër bujare. Pjesëmarrja në këtë panair ishte nga bizneset dhe amvisat nga pjesa e kësaj bashkie. Një falënderim u rezervua nga kryebashkiaku Shametaj edhe për nxënësit e mësuesit e të dy shkollave të Kotës, për ndihmesën dhe bashkëpunimin e dhënë, për realizimin e këtij panairi-  Identifikimi, ruajtja dhe pasurimi i mëtejshëm, i traditës së gatimit, ashtu si në tërësinë e vlerave të kësaj bashkie, merr rëndësinë e saj, në identifikimin e kulturës të kësaj treve!  Trashëgimia e të gatuarit, e bukës dhe gjellët tradicionale të zonave të vendit, kanë të veçantën e tyre, ruhen dhe transmetohen tek brezat. Gjyshet dhe nënat e moçme, gatuanin në oxhakët e shtëpive, në furrat tradicionale, me tepsitë e tenxheret, në zjarrin me dru lisi, a përralli, që janë dhe “mbretërit” e zjarrit dhe të gatimit, piqnin bukën e misrit, bukë saçi, kulaçin e grurit në vatër, zienin mishin  apo e piqnin në hell qengjin ose kecin. Nënat, gratë apo vajzat, përgatisnin gjellën, ndërsa mishin e pjekur e përgatisnin burrat apo djemtë. Pranë mbanin edhe bijat, bijtë, mbesat e nipërit, që i ndihmonin dhe njëkohësisht mësonin se si duhet gatuar dhe përgatitur! “Kjo bashki ashtu siç njihet për traditën, zakonet, kulturën ka dhe të veçantën: E kulturës së gatimit”-tha në fjalën e vet kryebashkiaku: Përparim Shametaj. “Një pjesë e vogël e këtyre gatimeve të ekspozuara  në këtë panair, sapo i vizituam së bashku, por menyja e gatimeve është shumë më e pasur, ndërsa këtu janë mundur të ekspozohen më të veçantat e kësaj kuzhine…” Mishi i pjekur për helli është ushqimi tradicional i Shqipërisë së Jugut dhe i Labërisë. Çmohet mishi i qengjit dhe sidomos i kecit, Gjellët tradicionale të Labërisë dhe sipas stinëve janë edhe: Byreku, disa lloj, Arapashi, i gatuar me të brendshme qengji, Rosnicat e skuqura me zog vendi, ose zogu shqirak, Dollma, Rosnicat e bardha, Reshedia, Revania, Yshmeri, Qullapitja, Bakllavaja, (Samësi) sidomos ai me sherbet mjalti.  Por, edhe Urrëla, ajo me produktin; qumësht deleje, mbajtur në lëkurët e bagëtive dhe e përdorur sidomos në stanet e stinët e vjeshtës dhe të dimrit, janë ushqimet karakteristike, të zonës sonë, që plotësojnë sofrën tradicionale, të cilat janë ruajtur, dhe kanë ndryshuar gradualisht… Pije alkoolike tradicionale në zonën e kësaj bashkie, është sidomos rakia e nxjerrë nga rrushi, koçimarja, por ka në menynë e pijeve edhe raki të nxjerrë nga Mani, Manaferrat, po edhe nga Kumbulla, jo me shumicë. Njohja dhe promovimi i vlerave të kuzhinës tradicionale, ashtu si pjesë e së tërës, të kulturës, zakoneve, traditave të kësaj bashkie, duhet venë në shërbim dhe në në dispozicion të zhvillimit të turizmit të kësaj zone, me resurse të shumta, por që sot ndodhet në vështirësi, por gjithsesi perspektiva shihet dhe do të jetë optimiste!  Territori i kësaj bashkie mundëson dhe favorizon zhvillimin e turizmit, duke u shtrirë në një teren mjaftë të favorshëm: Fushor, Kodrinor e Malor, me Lumenj, Liqene, Pyje dhe Kullota, vende me vlera antike, historike, kulturore dhe turistike, të begata, me tradita zokonore, të cilat i ruan, i zhvillon dhe promovon edhe bashkia, për të qenë një vend atraktiv, i vizitueshëm; si nga turistët vendas dhe të e huaj!