Temperaturë dhe ethe, sëmuret rëndë 19-vjeçarja shtatzënë që kaloi natën jashtë, ende ndodhet në Kakavijë me të shoqin

358
Sigal

Një 19-vjeçare shtatzënë, e cila kishte kaluar natën jashtë në kufirin e gjelbër në Kakavijë, ka shfaqur komplikacione shëndetësore dhe simptoma të Covid-19.

Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Shëndetit Publik në Gjirokastër 19-vjeçarja është shprehur se ka temperaturë, ethe dhe simptoma të tjera të ngjashme me Covid-19.

Stafi i pikës së kalimit kufitar në Kakavijë, ka lajmëruar Urgjencën Kombëtare dhe mëngjesin e sotëm kanë marrë tamponet përkatëse për 19-vjeçaren dhe bashkëshortit të saj.

Aktualisht, të dy ndodhen ende në Kakavijë, ndërkohë që pritet dalja e rezultateve të analizës.

Vajza mund të ketë edhe simptoma të tjera, për shkak të kohës që ka qëndruar jashtë.
Prej disa javësh, emigrantët në kufi janë kthyer në një temë kryesore diskutimi në një kohë kur vendi po përballet me kornoavirusin.

Ata kërkojnë të hyjnë në Shqipëri, por kryeministri Edi Rama ka bërë të qartë se askush nuk do të kalojë nëse është rezident në vende të tjera të Europës.

Disa prej tyre kanë tentuar të hyjnë ilegalisht, ndërsa disa të tjerë janë lejuar të kalojnë dhe janë akomoduar në një hotel pranë kufirit, ku edhe do të karantinohen prej disa ditësh.

Kreu i qeverisë ka ndaluar hyrjen e tyre duke i quajtur ‘bomba biologjike’, Megjithatë me uljen e rasteve të reja me koronavirus, Rama është shprehur se qeveria e tij do të publikojë sot planin e një hapjeje shumë graduale për riatdhesim. Por gjithmonë të shoqëruara me karantinim 14 ditor.