Rritet shqetësimi në Shqipëri për ardhjen e refugjatëve të luftës

639
Udhëheqësit evropianë pranojnë se qeveria shqiptare është vetofruar për kampet “hotspots”
Takimi i krerëve kryesorë të BE-së në Bruksel të dielën përfundoi pa ndonjë rezultat konkret, politikanë të ndryshëm në Evropë ushqyen diskutimet për hapjen e ‘qendrave të procesimit’ në Shqipëri, duke ushqyer tension politik në vend.
Rritet shqetësimi në Shqipëri
Bashkimi Evropian përballet me një krizë të re në politikën e vet ndaj migrimit pas takimit të 16 udhëheqësve të BE-së të dielën në mbrëmje kur nuk u arrit asnjë marrëveshje. E vetmja që ata ranë dakord, ishte se mund të kontribuojnë, që të ndërtohen qendra “hotspots” jashtë BE-së, por në Evropë, duke ushqyer edhe deklaratat që disa udhëheqës, deputetë të shteteve kryesore, sikurse Gjermania dhe Franca, se qeveria e Shqipërisë është vetofruar për të (mirë)pritur refugjatët në Shqipëri. Qeveria shqiptare dhe kryeministri Rama janë munduar që ta përgënjeshtrojnë këtë fakt, duke thënë që kurrë nuk është diskutuar shifra 600.000, por asnjë nga shtetet e BE-së nuk i ka kërkuar Shqipërisë që të pranojë emigrantë, në shkëmbim të hapjes së negociatave. Mirëpo kryeministri Rama e ka pranuar, që qeveria shqiptare do të kontribuojë në zgjidhjen e krizës së emigrantëve dhe refugjatëve, pra pranon se Shqipëria mund të pranojë refugjatët e luftës, por nuk thotë për numrin e tyre. Shqiptarët janë shumë të shqetësuar, pasi nuk i besojnë shumë deklaratave publike të kryeministrit Rama, sepse edhe në rastin e armëve kimike, kryeministri Rama pranoi në prapaskenë, që në Shqipëri të bëhej demontimi i tyre, ndërsa, kur pa reagimin popullor, e mohoi se kishte pranuar. Kështu tha kryeministri edhe për mos importimin e mbetjeve, mirëpo u ndërtuan inceneratorët. Sa herë mundohet kryeministri Rama të përgënjeshtrojë një lajm për qeverinë e tij, pak kohë më vonë i del e kundërta. Prandaj, edhe tani shqiptarët janë frikësuar, sepse qeveria jonë mund të pranojë refugjatët, që janë ish-militantët e ISIS, duke vënë në rrezik të madh Sigurinë Kombëtare dhe rendin publik.
Deklaratat për ofertën e Shqipërisë për refugjatët
Nuk janë mediat shqiptare, nuk është opozita shqiptare që thotë se qeveria shqiptare ka pranuar të ndërtojë kampet “hotspots” për refugjatët në Shqipëri, por janë udhëheqësit e BE-së. Jashtë samitit të Brukselit, komentet mbi Shqipërinë si një vend i mundshëm pritës ishin të shumta gjatë ditëve të fundit. Zëdhënësi i qeverisë së Austrisë Peter Launsky-Tieffenthal i tha Deutsche Welle se vendi i tij është sakaq në negociata me Shqipërinë mbi këtë ide. Antonio Tajani, President i Parlamentit Evropian, i tha medias gjermane se kampet duhet të krijohen “jashtë BE-së” në vende si Shqipëria, Maqedonia apo Afrika e Veriut. Johann Wadephul, një deputet gjerman, i tha Deutsche Welle se propozimi për të hapur kampe në Shqipëri ishte “interesant”. Ndërkohë, një zyrtar nga BE i tha BIRN të premten se se Këshilli i Evropës nuk ka plane konkrete për Shqipërinë si dhe mohoi argumentin se planet e Këshillit të Evropës përfshijnë Shqipërinë.
Europoli: Terroristët që rikthehen kërcënojnë sigurinë e Ballkanit
Raporti i Europolit thekson rikthimin e luftëtarëve të huaj terroristë nga zonat e konfliktit në vendet e Ballkanit Perëndimor si një çështje shqetësuese. Të gjithë refugjatët, janë ish-luftëtarë të ISIS, të cilët asnjë vend evropian nuk i do t’i mbajë në territorin e vet. Mirëpo ardhja e tyre në Shqipëri, ku mundojnë infrastruktura, hapësira, forcat e ruajtjes së rendit, ky fakt vë në rrezik të madh edhe sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Hungaria pohon se rreth 1,000 individë nga vendet e Ballkanit iu bashkuan Shtetit Islamik midis vitit 2014 dhe 2016. Bosnja deri në dhjetor 2017 besonte se rreth 300 persona kishin udhëtuar në Irak dhe Siri, tha raporti.
Ja cilët shtete votojnë kundër Hapjes së negociatave me Shqipërinë
Të premten e kaluar, deputetët e Gjermanisë rekomanduan hapjen e bisedimeve me Shqipërinë me kushtin që vendi të përmbushë një listë të gjatë me kushte, përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kryerjen e reformës në drejtësi dhe reformimin e sistemit elektoral. Gjithsesi, më herët, një votë jodetyruese në parlamentin e Holandës rekomandoi mos-hapjen e bisedimeve me argumentin se “Shqipëria nuk është gati”. Franca dhe Holanda i kanë dërguar qeverive të tjera të BE-së një letër në maj duke thënë se mungesa e reformës në drejtësi, korrupsioni i gjithë përhapur dhe krimi i organizuar ishin arsyet se pse Shqipëria dhe Maqedonia nuk ishin gati për bisedime për anëtarësi, sipas diplomatëve të cituar nga Reuters më 25 qershor.
Sigal