Qytetarët, të irrituar nga ndërprerja e energjisë: Do dalim në protesta masive, të largohet CEZ-i!

    431
    Sigal

    Kaos në qytete të ndryshme të vendit, ndërprerja e energjisë shkakton dëme në pajisje

    Mungesa e energjisë elektrike në këto ditë të ftohta dimri është kthyer në një makth për qytetarët që jetojnë në disa zona të Tiranës (Qyteti Studenti, Zona e shinave të Trenit pranë Spitalit Ushtarak, Antenat e Dajtit, zona e Bathores, Paskuqan, Kodra e Priftit, Ibe, Zona e Kombinatit, Mzez) si dhe në Durrës (Shkozet) dhe Bashkia Fushë- Krujë, Bashkia Himarë, Bashkia Shkodër (pjesërisht) ashtu dhe disa zona periferike të Elbasanit. Kjo e gjitha vjen për shkak të menaxhimit të keq ë situatës në CEZ, për tërë këtë kohë që ajo është e pranishme në Shqipëri. Në ndër njësitë më problematike në kryeqytet është njësia numër 6 në Kombinat, ku mungesa e energjisë është kthyer në një tmerr për qytetarët për disa ditë me radhë. Por sipas informacioneve të marra nga qytetarët nga “Telegraf” bëhet e ditur se, ndërprerja e energjisë duket se është tendencioze, pasi pa energji janë lënë kryesisht zonat që janë fituar nga Partia Socialiste. Një rast tjetër në kryeqytet është edhe Njësia Bashkiake nr.1, e cila ka herë pas here ka  sjellë ndërprerje të energjisë. Kjo tregon se CEZ-i, po sillet në mënyrë të padrejtë me qytetarët shqiptarë duke selektuar sipas zonave, ku kanë fituar socialistët.

    Kombinati me ditë të tëra pa drita, CEZ nuk pyet as për protesta

    Prej më shumë së katër ditësh banorët e Kombinatit gjendet në një errësirë totale, për shkak të ndërprerjes së energjisë nga CEZ. i kanë provuar ankesat në zyrat eCEZ, kanë provuar të takojnë drejtorin e madh por pa rezultat, kanë provuar të zhvillojnë edhe protesta, por asnjë gjë nuk u ka dhënë zgjidhje, për kthimin e energjisë. Qytetarët janë shprehur për “Telegaf” se: “Nuk kemi lënë rrugë pa ndjekur për të na ardhur dritat, por asnjë gjë nuk na ka dhënë zgjidhje. Prej katër ditësh jemi në errësirë totale dhe as qeveria, as CEZ-i nuk do t’ja dijë për ne pasi kemi votuar për socialistët. Por kjo është turpi më i madh që po u bëhet qytetarëve. Nuk kemi dëgjuar në asnjë vend të botës që të bëhen paturpësi të tilla si hakmarrje pse kemi votuar për një parti që nuk është sot në pushtet”. Qytetarët fajësojnë qeverinë për këtë sjellje që po bën CEZ-i ndaj qytetarëve dhe kërkojnë në mënyrë të menjëhershme largimin e kësaj kompanie nga Shqipëria Y.L banor i Kombinatit shprehet për gazetën se: “Nuk e duam këtë kompani më këtu, le të largohet një orë e më parë, ose në të kundërt do të ngrihemi në protesta masive. Qeveria të mbrojë qytetarët e saj dhe jo një kompani të huaj, e cila po bën si i do qejfi në Shqipëri.Pona trajton sipas dëshirës së saj duke na lënë pa drita në vitin 2012. Është një turp i madh, për këtë qeveri”. Edhe sipas qytetarëve me këtë sjellje CEZ-i që është i mbrojtur nga qeveria, po hakmerret ndaj deklaratave të bëra nga deputetët socialist kundër CEZ-it. CEZ-i çdo ditë e më shumë tregon me këtë sjellje që bën se nuk përfill as paralajmërimet e ERE-s, që foli për ndërprerje të licencës. Por, CEZ-i me tërë këto padrejtësi dhe që bën ndaj qytetarëve po tregon hapur që është i lidhur ngushtë me këtë qeveri dhe që ka mbështetjen e saj në çdo veprim që bën. Ndërkohë që qeveria nuk di të bëjë gjë tjetër veçse të shoqërojë në polici njerëzit e thjeshtë dhe t’u mbylli gojën kur kërkojnë gjënë më minimale energjinë elektrike nëpër protesta. Ndërkohë që nga ana tjetër asnjë masë nuk është marrë nga qeveria për shkeljet që bën vetë CEZ.

     PS-ja dhe deputeti Arben Ahmetaj përse hesht tani ndaj CEZ-it?

    Ndonëse CEZ-i ka filluar menjëherë pas festave të 28-29 Nëntorit ndërprerjen e energjisë elektrike në mënyrë kolektive, në zona të tëra, duke lënë në errësirë, në të ftohtin e dhjetorit mijëra e mijëra familje shqiptare, PS-ja çuditërisht hesht dhe nuk ngre zërin e protestës kundër CEZ-it. PS-ja nuk bashkohet me mijëra banorë që kanë mbetur të pandihmë dhe të terrorizuar nga CEZ-i, PS-ja nuk  bën kallëzim penal kundër CEZ-it për shkeljen flagrante të ligjit, e cila ndërpret kolektivisht energjinë elektrike, e sidomos në zona ku kanë fituar PS-ja. CEZ-i, duke u ndërprerë energjinë elektrike banorëve që kanë votuar- në shumicën e rasteve- për PS-në, kërkon të hakmerret kundër PS-së, për akuzat që bëri PS-ja para pak ditësh. Mirëpo, tani PS-ja hesht dhe nuk mbron as elektoratin e saj. Ku është dhe përse hesht  deputeti i PS-së, Arben Ahmetaj, i cili para pak kohësh bënte deklarata të përditshme për vjedhjet dhe abuzimet kundër CEZ-it? Duke heshtur tani, deputeti Arben Ahmetaj, dëshmon- me heshtjen e tanishme- ose është trembur nga CEZ-i dhe i intereson karriera e tij politike, ose në opozitën e tij, më shumë “hallin”  e kishte të kritikonte qeverinë dhe ERE-n për konsum politik, sesa të mbrojë interesat e popullit që terrorizohen nga CEZ-i me ndërprerjet kolektive të energjisë elektrike. Por ka edhe një të ngjarë tjetër. Që PS-ja është e pleksur brenda interesave të CEZ-it dhe nuk guxon që ta opozitojë drejtpërdrejtë atë, për të mos humbur privilegjet që , ndoshta, përfiton nga CEZ-i, ndaj edhe tani PS-ja dhe deputeti Arben Ahmetaj heshtin dhe nuk denoncojnë drejtpërdrejt CEZ-in.

    Pse fshihet zëvëndësministri i METE-s Sokol Dervishaj

    Ministria e METE-s është mjaftuar vetëm me disa deklarata të bëra ndaj CEZ, pak ditë më parë nga zëvëndësministri i kësaj ministrie Sokol Dervishaj. Por nuk është marrë asnjë masë ndaj CEZ dhe ato deklarata rezultuan se qënë vetëm fjalë boshe. Pak ditë më parë në një konferencë për mediat zëvendësministri i METE, Sokol Dervishaj, bëri akuza të rënda dhe e kritikoi mjaft këtë kompani, por nuk është marrë asnjë masë. “Qëndrimi i qeverisë dhe Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës në lidhje me këtë veprim konsiderohet si një akt i paprecedentë, i cili kompromenton rëndë sigurinë e qytetarit, sigurinë publike dhe sigurinë kombëtare të vendit”- u shpreh z. Dervishaj.  Ky veprim, tha më tej ai, kompromenton rëndë dhe misionin e kësaj kompanie për të përmbushur një detyrim publik, jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe jetik për qytetarët gjatë ushtrimit të aktivitetit të saj si një kompani që operon në Shqipëri në këtë sektor. “Tashmë nuk kemi të bëjmë më me një penalizim kolektiv të CEZ-it ndaj një komuniteti banorësh të cilët në një moment të caktuar nuk mund të kenë përmbushur detyrimet e tyre ndaj kompanisë. Kemi të bëjmë me një penalizim kombëtar që CEZ-i po kryen dhe po ushtron aktualisht nëpërmjet penalizimit të qytetarëve duke ndërprerë energjinë për ujësjellësit, të cilët ju ofrojnë qytetarëve një shërbim jetik të domosdoshëm dhe të pazëvendësueshëm për ta”, është shprehur zoti Dervishaj. Ai ka shtuar se: “Në këtë kuadër kërkojmë nga ana e CEZ që të reflektojë në mënyrë të menjëhershme dhe të tërhiqet nga ky veprim i paprecedentë, i tejskajshëm dhe i njëanshëm për më tepër duke qenë se CEZ dhe qeveria shqiptare janë në një proces negocimi për të zgjidhur gjithë problematikat e krijuara ndër vite, të mbartura, por edhe të agravuara nga mosfunksionimi efiçent, profesional, dhe në përmbushje të plotë të detyrimeve që CEZ-i ka për shkak të kontratës së privatizimit, por edhe të deklaratës rregullatore”.

    KESH ndërpret importin e energjisë, vendi furnizohet nga HEC-et

    Prej dy ditësh, Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare ka ndërprerë importin e energjisë dhe po e furnizon vendin nëpërmjet prodhimit nga hidrocentralet. Ndihmuar edhe nga reshjet e ditëve të fundit, prodhimi vendas i energjisë ka arritur nivelet rekord të 18 milionë kilovat orëve në ditë. Burime zyrtare në KESH shpjegojnë se shkak për ndërprerjen e importit janë bërë procedurat që po kryhen për sigurimin e importit të energjisë gjatë periudhës në vijim. Ndërkohë situata hidrike në vend është përmirësuar nga reshjet e fundit. Niveli i ujit në Fierzë ka arritur në 269 metra, ndërkohë që prurjet llogariten në 350 metra/kub në sekondë. Niveli i Komanit ka arritur në 170.4 metra dhe prurjet janë 300 metra/kub në sekondë, ndërsa në Vaun e Dejës niveli i ujit llogaritet në 73.98 metra dhe prurjet anësore janë 100 metra/kub në sekondë. Duket se kushtet atmosferike po ndihmojnë Koorporatën këto ditë, ndërkohë që qeveria ka garantuar mbështetjen maksimale për sigurimin e importit, me qëllim furnizimin pa ndërprerje me energji të qytetarëve. Kjo nëpërmjet garancive që ekzekutivi do të japë për KESH-in, që të sigurojë kredi për blerje energjie.

    Përmbytjen në Lezhë 1550 hektarë tokë, rikthehet energjia në hidrovorin e Tales

    Për shkak të ndërprerjes së energjisë hidrovorin e Tales në Lezhë, janë shkaktuar përmbytje në një sipërfaqeje të madhe toke në të gjithë rrethin. Ndërkohë shtabi i emergjencave bën të ditur se deri tani nën ujë është një sipërfaqe toke prej 1550 hektarë. Rreth 300 ha tokë kanë ujëra sipërfaqësore, ndërsa pjesa tjetër e tokës është e përmbytur plotësisht. Në fshatin Barbullonjë të Lezhës, banesat janë rrethuar nga uji. Shkak për situatën është bërë mosfunksionimi i hidroforit, si pasojë e mungesës së energjisë, pas ndërprerjes së bërë nga CEZ në nënstacionin e Fushëkuqes, për shkak të debisë që kanë banorët e zonës së Mamurrasit. E gjithë kjo situatë dhe reshjet e vazhdueshme të shiut prej më tepër se 24 orë kanë bërë që oborret e banesave të përmbyten, ndërsa banorët janë detyruar të vendosin thasë me rërë në hyrje të tyre për të shmangur depërtimin e ujit në brendësi.

     Simaku: E patolerueshme nëse CEZ, po e ndërpret energjinë në mënyrë të qëllimshme

     Specialisti i Energjetikës, Gjergj Simaku, i pyetur nga gazeta “Telegraf” në lidhje me ndërprerjen e energjisë nga CEZ, në mënyrë të qëllimshme në zonat që janë fituar nga Partia Socialiste, i cilëson të patolerueshme ndërprerjet nëse janë në mënyrë të qëllimshme. “Unë e quaj një gabim të rëndë nëse është bërë e qëllimshme një gjë e tillë nga ana e CEZ-it, që të ndërpritet energjia në mënyrë të qëllimshme dhe për shkaqe police”. Ndërsa ai ka shtuar se: “Por nëse ju e keni këtë informacion atëherë është mirë që ta publikoni. Kjo është njëprovokim i hapur nëse bëhet një gjë e tillë”