Prof. Dr. Refik Kadija: Trojet shqiptare në fokusin e udhëtarit anglez Henri Tozer

– Udhëtarja aristokrate angleze Lady Strangford botoi më 1864 udhëpërshkrimin “Brigjet Lindore të Adriatikut më 1863

Një nga eksploratorët e palodhur anglezë të trojeve shqiptare ishte shkrimtari, gjeografi dhe filologu Henry Fanshau Tozer (1829-1916). Ai është vazhdues i grupit të udhëtarëve anglezë të gjysmës së parë të shekullit XIX. Ai e kishte lexuar e studjuar veprën poetike të Bajronit “Çajld Haroldi”, të cilën e kishte pajisur e botuar me shënime të hollësishme. Por para se të ndërmerrte 3 udhëtimet eksploruese nëpër trojet shqiptare, ai kishte lexuar e studjuar edhe veprat udhë-përshkruese të pararendësve të tij W. M. Leake, Dr. Henry Holland, T. S. Hughes, R. Walsh dhe G. Finlay. Ai u informua prej tyre, u frymëzua prej tyre, udhëtoi në gjurmët e tyre, por edhe shkoi përtej tyre. Pasi vizitoi e përshkroi krahinat e Shqipërisë së Jugut dhe Shqipërisë së Mesme, Tozer-i u nis në udhëtimin e tij të tretë drejt viseve ende të pashkelura ose pak të eksploruara deri atëherë nga udhëtarët anglo-saksonë: drejt viseve të Veriut të Shqipërisë përtej Shkodrës. Henry Tozer u bë eksploruesi i parë anglez që i shkeli fizikisht trojet e Shqipërisë së Veriut, malësitë e Dukagjinit, Shalës, Sharrit e të Mirditës. Ndërkohë, kishte filluar të shkruhej pak në shtypin anglez për këto krahina ‘të panjohura’. Kështu, udhëtarja aristokrate angleze Lady Strangford botoi më 1864 udhëpërshkrimin “Brigjet Lindore të Adriatikut më 1863” (The Eastern Shores of the Adriatic in 1863), në të cilin, (përveç Kapitullit I prej 65 faqesh me titull “Shqipëria Jugore”) në Kapitullin V, me titull “Disa fjalë mbi Shqipërinë Veriore”, në 15 faqe (f. 200-214) ajo shkruan për Shqipërinë e Veriut, Mirditën, etj. Mirëpo ajo vetë nuk shkeli kurrë në trojet veriore të shqiptarëve. Ajo erdhi nga Mali i Zi vetëm deri në qytetin e Shkodrës, duke lundruar nëpër Liqenin e Shkodrës, dhe pas 2-3 ditësh u kthye me kalë në Podgoricë. Kurse malësitë e Mbishkodrës dhe Mirditën nuk i pa fare, por shkroi për to vetëm duke u mbështetur në veprat e eksploruesve francezë e gjermanë, veçanërisht të Hyacinthe Hecquard-it (ish-konsull i Francës në Shkodër më 1854-1858) dhe Johann G. von Hahn-it.

Sigal


Diplomati e eksploratori francez Hyacinthe Louis Hecquard

Diplomati e eksploratori francez Hyacinthe Louis Hecquard (1814-1866) u ngarkua me detyra ushtarake në kavalerinë franceze në Senegal, Guine, etj. U emërua konsull i Francës në Shkodër më 1854-1858, pastaj në Damask (Siri), dhe vdiq papritmas nga hemoragjia cerebrale më 19 tetor 1866 në Bejrut. Ai i shkeli dhe i eksploroi me hollësi Mirditën dhe malësitë e Shqipërisë së Veriut. Vepra e tij me 535 faqe “Histoire et description de la haute Albanie ou Guégarie” [‘Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose Gegërisë”] u botua në Paris më 1858. Emily Strangford-i e kishte lexuar veprën e tij.


Lady Strangford në veprën e saj shkruan:

“Brendësia e krahinave malore të Shqipërisë Veriore janë tokë e panjohur për turistët anglezë dhe janë thuajse të pashkelura edhe nga udhëtarët dhe eksploratorët e vërtetë. Sido që të jetë, deri tani ato nuk kanë gjetur vend në asnjë dokumentim anglez të udhëtimeve të vërteta. I vetmi përshkrim i njohur për mua, i cili përmban të dhëna gjeografike sadopak të plota është një kontribut i Kontit austriak Karaczay në regjistrimet (dokumentacionin, arkivin) e Shoqatës Gjeografike Mbretërore (Royal Geographical Society). Megjithatë, kjo mbështetet jo në udhëtim vetjak, por në informacionin e mbledhur nga klerikët katolikë të vendit, shumica e të cilëve, dalmatë apo italianë, janë nënshtetas austriakë. Besoj se mund të shkoj deri aty sa ta kufizoj deri në dy persona numrin e udhëtarëve anglezë të kohëve të fundit që kanë arritur të shkojnë në ato male të egra: z. Hughes dhe z. Dunn Gardner. I pari është tani Sekretar Oriental i ambasadës britanike në Konstandinopojë, dhe është djali i të ndjerit T. S. Hughes, udhëtarit të mirënjohur nëpër Shqipërinë e Jugut. Ky ka udhëtuar përpjetë rrjedhës së Drinit të Bardhë deri në Ipek (Pejë), Jakova (Gjakovë) dhe deri në Monastirin e vjetër e të çuditshëm serb të Deçanit. I dyti, me sa di unë, ka qenë kudo, bile është futur edhe në shtigjet e mbrojtura të Mirditës thuajse të pavarur. Por nuk është botuar asgjë nga asnjëri prej këtyre dy udhëtimeve. Nga ana tjetër, faktikisht ekziston një përshkrim i udhëtimeve, që nuk janë bërë kurrë dhe që nuk është rasti t’i specifikojmë më tepër. Francezët kanë qenë ku e ku para nesh (më të avancuar se ne) në këtë fushë dhe i kanë plotësuar me kohë mangësitë tona. Zoti Hecquard, ish konsull francez në Shkodër, botoi në fund të vitit 1858 një vëllim me interes e rëndësi të madhe, të mbushur me informacion të larmishëm, gjeografik e statistikor mbi Shqipërinë e Epërme, frut i punësimit politik shumë aktiv gjatë shumë viteve në atë vend, si dhe i njohjes së thellë të gjuhës së atyre krahinave. Mendoj se pjesa më e madhe e këtij punimi, ndonëse shumë i thatë, do t’ia vlente të përkthehej në anglisht nga një person kompetent. Ishte dhe vazhdon të jetë krejt i panjohur për shtypin anglez, bile nuk e ka vënë njeri ujin në zjarr as për ta depozituar në arkiva për konsum të rëndomtë revistash. Dëshiroj që me njohuritë e hapësirën e kufizuar që kam, t’i bëj të njohura për lexuesit anglezë disa fragmente të mëdha nga kjo vepër e vyer, dhe t’ua bëj të njohur atyre Hotin e Këlmendin, Shalën e Pukën, si dhe vartësit e Princ Bib Dodës — fise katolikësh të mirë, të cilët janë më të panjohur për ne se fiset e Waganda-s dhe Ëagogo-s në Afrikën Ekuatoriale. Për informacion të përgjithshëm mbi Shqipërinë në tërësi, dhe veçanërisht mbi pjesët qëndrore dhe jugore të saj, nuk mund të bëj më mirë se sa t’u rekomandoj lexuesve të mi veprën e madhe të botuar para pak vitesh nga Von Hahn-i, Konsull austriak në Janinë për një kohë të gjatë. Kjo vepër është një magazinë e madhe faktesh që përshkruajnë çdo fushë që mund të imagjinohet, ku mbizotërojnë arkeologjia dhe filologjia, siç është e natyrshme në veprën e një gjermani, të ditur ose ndryshe.” (Kap. V, f. 200-201)


Lady Strangford, Emily Ann Beaufort (1826-1887) e vizitoi si turiste Shqipërinë e Jugut, siç thotë edhe vetë, kur ishte 37 vjeç. Me një grup miqsh anglezë prej 6 vetash (tre burra e tri gra), u nisën nga Konstandinopoja me një jaht të vogël dhe arritën në Korfuz në maj 1863. Më 1 qershor u nisën me jahtin “Petrel” (“Zgalemi”) nga Korfuzi për një piknik 2-javor dhe për gjueti në Shqipërinë e Jugut me itinerar Korfuz – Sarandë- Butrint- Delvino- Gjirokastër- Sul – Janinë e kthim. Shënimet e këtij pikniku i shërbyen si lëndë e parë për Kapitullin e parë të librit të saj që e botoi një vit më vonë, e ndihmuar nga bashkëshorti i saj, diplomati e shkrimtari Viscount Percy Smythe Strangford. Ajo ishte martuar dy vite më parë dhe pas tetë vitesh martesë mbeti e ve dhe pa fëmijë. Atëherë iu përkushtua udhëtimeve dhe bamirësisë si infermiere deri në fund të jetës. Më 1876 ajo ‘zbuloi’ Bullgarinë dhe u bë mike e madhe dhe e përjetshme e popullit bullgar, ashtu si Edit Durhami për shqiptarët.

Vepra madhore e Tozerit

Vepra madhore e Tozerit në 2 vëllime “Kërkime në Malësitë e Turqisë, përfshirë vizitat në malet Ida, Athos, Olimp e Pelion, te shqiptarët e Mirditës dhe në fise të tjerë të largët” (“Researches in the Highlands of Turkey, Including Visits to Mounts Ida, Athos, Olympus, and Pelion, to the Mirditë Albanians, and Other Remote Tribes”) u botua në Londër më 1869.

Kjo vepër përfshin përshtypjet e tre udhëtimeve të Henry Tozer-it nëpër trojet shqiptare midis viteve 1853-1865, dhe përmban përshkrime të hollësishme veçanërisht të Elbasanit, Beratit, Tepelenës, Gjirokastrës, Shkodrës, Mirditës, Prizrenit, etj. Por herë pas here udhëtari anglez e ndërpret itinerarin e udhëtimit dhe përshkrimin topografik e gjeografik të terrenit për të përfshirë edhe mjaft të dhëna me interes të historisë dhe trashëgimisë kulturore të shqiptarëve. Përshkrimet e 3 udhëtimeve të Tozerit nëpër trojet shqiptare janë ngjeshur thuajse plotësisht në rreth 160 faqe të 8 kapitujve të vëllimit të parë të librit të tij Kapitulli VIII me titull “Monastiri dhe Ohri”, Kapitulli IX “Nga Ohri në Elbasan” dhe Kapitulli X “Nga Berati në Korfuz” (f. 166-233); pastaj Kapitulli XIII “Shkodra dhe Mirdita”, Kapitulli XIV “Mirdita (vazhdimi), Kapitulli XV “Nga Oroshi në Prizren”, Kapitulli XVI “Nga Prizreni në Shkup”, Kapitulli XVII “Lugina e Vardarit” (f. 280-370). Vëllimi i dytë prej 13 kapitujsh e 378 faqesh fillon me kapitullin XVIII me titull “Olimpi” dhe përfundon me Kapitullin XXX me titull “Përralla popullore moderne greke”. Me interes për ne janë sidomos kapitulli XXVI (me titull “Janina dhe Zitza”, ku flitet për “racat e Shqipërisë së Jugut”, “vdekjen e Ali Pashës, sarajin dhe varrin e tij”, “shënimet mbi karakterin dhe karrierën e Aliut” dhe “masakrën mizore të grave greke” me Frosinën në krye, f.186-198) dhe kapitulli XXVII (me titull “Suli”, ku përshkruhen malet e Sulit, Kako Suli, historia e suliotëve, marrëdhëniet e trazuara me Aliun, historia tragjike e kallojerit Samuel, etj. f. 206-220). (Për lehtësinë e lexuesit ne do të ndjekim udhëtimet e Henry Tozerit nëpër Shqipëri sipas rendit kohor: I. 1853; II. 1861; III. 1865).

Pasi nisen nga Selaniku

Itinerarin e udhëtimit të parë Tozeri e përshkruan si më poshtë: Pasi nisen nga Selaniku, arrijnë në Monastir dhe, “pas dy orë udhëtimi me kuaj përgjatë bregut verior të liqenit të Ohrit, arrijnë në Strugë, e cila ndodhet në vendin ku Drini i Zi del nga liqeni dhe prej aty rrjedh në veri, e pastaj në jug-perëndim dhe derdhet në Detin Adriatik afër Lezhës (Alessio), pasi përshkon një gjysëm-rrethi në kursin e tij.” Pasi përshkruan bukuritë e natyrës rretheqark liqenit, autori përmend pasurinë e madhe të peshkut të rrallë të koranit e troftës së mrekullueshme në këtë liqen, mënyrën e peshkimit, tharjes së peshkut dhe eksportimin e tij në të gjithë Turqinë, duke qenë pronë ekskluzive e sulltanit. “Në Strugë Drini, në daljen e tij nga liqeni, përshkohet nga një urë druri e gjatë,’ e cila gjëndet aty edhe në ditët e sotme, “nën të cilën rrjedha e bollshme dhe e pastër vërshon në një shtrat shumë të rregullt”.

 Ura e vjetër prej druri në Strugë (Foto e Auguste Léon, 1913).

Pasi ndalojnë në Qukës dhe flejnë një natë në hanin e Xhyrës, ndjekin nga lartësitë pranë rrugës Egnatia rrjedhën e lumit Shkumbin, kalojnë “pranë varrit të një sheiku me çati me tjegulla” dhe “përshkojnë ullishtat në periferi të Elbasanit”, Tozeri me shoqëruesin e tij arrijnë në Elbasan, për të cilin bën një përshkrim të hollësishëm që po e japim përmbledhtas më poshtë: “Ky vend ndoshta tregon vend-ndodhjen e Skampas së lashtë që duket se në Mesjetë është zëvendësuar nga një qytet i quajtur Albanon, nga i cili mund ta ketë prejardhjen qyteti i sotëm. Ai ka një pozicion të rëndësishëm pasi komandon hyrjen në qafat malore dhe është pika ku konvergojnë, puqen, rrugët që vijnë nga Shkodra, Durrësi, Berati dhe Ohri.  Thuhet se ka një popullsi prej rreth dhjetë mijë banorësh; numri më i madh i tyre janë shqiptarë gegë, pak janë të krishterë, të tjerët janë muslimanë; përveç këtyre ka pak vllehë; pronari i hanit ku ndaluam, si shumica e profesionit të tij, ishte grek. Të krishterët e kësaj pjese të Shqipërisë janë kryesisht katolikë romanë, por ata janë persekutuar aq shumë vitet e fundit kështu që një numër i madh i tyre janë bërë muslimanë; gjithashtu disa janë bashkuar me Kishën Greke; mirë po shkalla e cekët e bindjes fetare që e karakterizon një shqiptar tregohet nga proverbi i tyre ‘Ku është shpata, atje është besimi’.”…(f.195-217) Më tej vazhdon me përshkrimin topografik të qytetit të Elbsanit:

Elbasani në shek. XIX

“…Qyteti i vjetër ka formën e katrorit dhe është i mbyllur mbrenda mureve, perimetri i të cilit nuk është më i madh se një milje. Nga përdorimi i tullave në ta duket se duhet të jenë ndërtuar nga venecianët, por si muret ashtu edhe kullat që ngriheshin mbi ta herë pas here janë shndërruar në gërmadha: ato janë prishur kur qyteti u pushtua nga Reshid Pasha, në kohën e Sulltan Mahmudit. Kjo ndodhi gjatë ngjarjeve që pasuan masakrën e bejlerëve shqiptarë në Monastir dhe rënien e Mustafa Pashës, kur thuajse të gjitha vendet e fortifikuara në Shqipëri u shkatërruan. Periferia e qytetit duket se tani formon pjesën më të rëndësishme të vendit. Pasi i bëmë një vizitë guvernatorit të qytetit, me qëllim që të merrnim leje për të vizituar muret, u ngjitëm në njërën prej kullave të prishura nga e cila shihej qyteti dhe vendi rretheqark. Një kullë sahati e madhe dhe minaretë e kallaisura që shkëlqenin formonin objektet që tërhiqnin më shumë vëmendjen. Pemët që rrethonin shtëpitë, ndërmjet të cilave fiqtë, qiparizat e plepat binin më shumë në sy, janë më të shumta se është e zakonshme bile edhe në qytetet orientale. Midis këtyre pemëve duken aty-këtu kullat dhe muret, kurse rretheqark gjithë qytetit është një perimetër me ullishta. Pranë tyre, në veri, kodra të bukura zbresin në një fushë përtej të cilës ngrihet një mal i lartë që na ndan nga Tirana dhe vendi i Skënderbeut. Nga jugu duket në distancë të largët maja madhështore me tri kreshta e Malit të Tomorrit që lartësohet përmbi malet më të afërt….Pjesa e mbrendshme e qytetit, kur kalon nëpër rrugët e tij, ka një pamje të varfër, nga shtëpitë e ulta prej druri me çati me tjegulla gati duke u shëmbur; mirëpo dyqanet e pazarit kanë një pamje tërheqëse nga veshjet me ngjyra të ndezura të atyre që ishin mbrenda, xhaketat e kuqe dhe fustanellat e bardha, të lidhura poshtë me dollakë, ndërsa brezi i tyre ishte plot me një larmi armësh të zbukuruara me filigran. Shumica e gegëve janë burra me trup të bukur; karakteristikat e tyre më të dallueshme janë qafa e gjatë, fytyra e hequr vezake, me tipare të mprehta, shpesh akuiline (me hundë e sy shqiponjë), dhe shpesh flokë me ngjyrë të çelët; ata kanë pamje të rreptë, sikur të ishin njerëz plot guxim e të pamëshirshëm. Në mbrëmje na vizitoi një turk në moshë të re, i cili kujdesej këtu për linjën telegrafike që lidhte Selanikun me Shkodrën, sepse ky institucion i qytetërimit kishte hyrë edhe në këto krahina të prapambetura, ndonëse shihej me njëfarë xhelozie nga njerëzit e këtij vendi dhe mbahej me vështirësi të madhe në këto qafa malesh gjatë dimrit”. (I, i, 201-206). Këtu ndërpritet udhëtimi i parë i Tozerit dhe fillon përshkrimi i udhëtimit të dytë, në vitin 1861. Në fakt, udhëtimi i dytë u bë 8 vjet pas të parit dhe është si vazhdim i tij, duke u nisur nga Elbasani drejt jugut, për në Berat e përfundon në Korfuz. Më 31 korrik 1861 niset nga Konstandinopoja (Stambolli), kalon Dardanelet, hyn në Detin Egje e shkon drejt Greqisë (Kavalla, Mali Athos, Selanik), pastaj kalon në Monastir, Ohër, Strugë, Elbasan, prej nga zbret në Shqipërinë e jugut – Berat, Tepelenë, Gjirokastër, Delvinë, Butrint (me anije në Korfuz). Këtu përfundon udhëtimi i dytë.

Nga udhëtimi i dytë kemi zgjedhur përshkrimin e Tepelenës.

Pas përshkrimit gjeografiko-etnografik të Beratit, Tozeri kalon në disa të dhëna historike të kalasë së Beratit, duke u ndalur konkretisht te humbja e Skënderbeut në rrethimin e saj. Megjithatë, autori shton në fund, se kjo humbje ishte vetëm e përkohëshme, “sepse ne e gjejmë Skënderbeun duke ndjekur karrierën e tij fitimtare tjetërkund.” (f. 223)

Pas rrëfimit historik, Tozeri vazhdon me përshkrimin  e udhëtimit nga Berati në Tepelenë – një udhëtim i vështirë që “zakonisht zgjatë 12 ose 13 orë”, me të përpjeta e të tatëpjeta, nëpër kreshta, qafa e lugina, përgjatë rrjedhës së lumit Vjosa, duke kaluar nëpër Plashnik, Zhabokik, Goricë, Gllavë, etj.

Për interesimin e tij për Tepelenën Tozeri tregon: “Pasi në një rast të mëparshëm kishim vizituar Janinën, qendrën e pushtetit të Ali Pashës, si dhe ishullin në liqen, ku ai gjeti vdekjen, ne natyrisht kishim shumë dëshirë të shihnim Tepelenën, vendlindjen dhe rezidencën e tij të preferuar. Ishte një qytet i fortifikuar me shtrirje të vogël, që zinte një rrafshnaltë trekëndëshe që zgjatej nga rrëza e një mali të lartë e të pjerrët dhe baza e saj lagej nga Vjosa. Fortifikimet, të cilët ndjekin drejtimin e shkëmbinjve në një trekëndësh të shrregullt, nga njëra anë varen mbi këtë lumë, në një anë tjetër Bendscha (Bënça), një përrua (lumë) më i vogël, i cili bashkohet me të. Ndonëse një pjesë e tyre janë rrënuar dhe parapetet me frëngji janë thyer, muret janë ende të fortë e të ndërtuar mirë dhe qoshet ishin të mbrojtura nga kulla poligonale. Pjesa e mbrendshme është një vend në të cilin mund të filozofojmë mbi rënien e madhështisë njerëzore. Thuajse asnjë shtëpi nuk është e banuar dhe pamje me shkretim më të trishtë zor se mund të përfytyrohet, sepse gërmadhat, duke qenë relativisht të reja, janë të mbuluara nga barëra të këqia e bimë kacavjerrëse dhe nuk u ka mbetur asgjë nga pamja e respektuar që të dhuron koha. Në një qoshe që shikon mbi kryqëzimin e dy lumenjve është pallati i Aliut, skena e të gjithë madhështisë dhe shfaqjes të cilat i përshkruan Bajroni në poemën‘Çajld Haroldi’. Tani sallonet me harqe janë të zhveshura, përveç disa vendeve aty-këtu, ku afresket kanë mbetur ende në mure – dhe gjithshka është e rrënuar dhe e çmontuar. Disa shqiptarë me fustanella të bardha ishin grupuar mbi murin perëndimor, por në vende të tjera ne brodhëm pa takuar frymë njeriu. Pamjet rretheqark ishin në harmoni me këtë skenë shkatërrimi – sipër, lartësi shumë të mëdha malesh të egër, po aq të thatë sa ç’mund të imagjinohet; poshtë, shtretërit e lumenjve me zall, nëpër të cilët në dimër vërshonte uji me vëllim të stërmadh dhe kollonat (këmbët) e një ure delikate që ishin shkatërruar nga lumi. Në një rast, siç na thanë, një trap ishte përmbysur këtu me dyzetepesë njerëz dhe tre kuaj; kuajt kishin dalë në breg, por të gjithë njerëzit ishin mbytur. Jashtë mureve, afër një akuadukti[2], i cili sillte ujë në qytet nga faqja e malit, ishte një fshat i vogël me pesëdhjetë familje, të cilët formonin tani të gjithë popullatën e vendit.

Në vazhdim udhëtari anglez Henry Fanshaw Tozer thekson e saktëson kombësinë shqiptare të suliotëve: “Kështu, suliotët, territori i të cilëve ishte nyja e maleve në pjesën jugore të kësaj ndarjeje, dhe të cilët janë të famshëm për rezistencën e tyre heroike ndaj Ali Pashës, ishin shqiptarë të pastër, dhe në familjet e tyre flisnin vetëm gjuhën shqipe. Në këtë rast konfuzioni ka qenë edhe më i madh, sepse nga që i kanë konsideruaar ata si grekë, veprat e tyre të trimërisë shpesh janë përdorur në lidhje me guximin dhe patriotizmin helenik.” (Vëll. II, kap. XXVI, f. 184).

Udhëtimi i tretë i Tozerit ndërmerret në vitin 1865 dhe fillon (në Kap. XI, f. 234) në Trieste, gjatë bregdetit dalmat, në Boça di Cattaro, në Kotor, ngjitet në Cetinë, pastaj zbret në fshatin Rijeka Cernojeviç buzë liqenit, prej andej në Liqenin e Shkodrës e në fund në qytetin e Shkodrës (f. 280). Pastaj, nga Shkodra shkon në Mirditë. Më tej ngjitet në vargmalin e Sharrit, në Prizren e Tetovë, përgjatë luginës së Vardarit deri në Detin Egje, etj.

Itinerari i plotë i këtij udhëtimi III do të ishte i ndryshëm nga dy të parët, siç e shpjegon edhe vetë Tozeri: “Në verën e 1865 ne vëndosëm ta përshkonim vendin nga Adriatiku në Egje nga një itinerar më verior se ç’kishim marrë deri tani, duke kaluar nga Mali i Zi dhe fiset kufitare të shqiptarëve të pavarur, pastaj nga një prej qafave më të sipërme të vargmalit të Sharrit dhe nëpër luginën e Vardarit për në Selanik. Me qëllim që të arrinim në pikënisjen e udhëtimit, u nisëm nga Anglia për në Tireste dhe prej andej përgjatë bregdetit dalmat, duke ndaluar për të parë qytetet kryesore, si Zadarin, Splitin dhe Raguzën (Dubrovnikun), u përshkuam nëpër ishujt e shumtë derisa pasdreken e 18 korrikut i ramë përqark kepit Punto d’Ostro që mbron hyrjen e Gjirit të Kotorit”. (234-235) Rastësisht nga Trieste në Kotor Tozeri udhëtojnë “me dy të rinj shqiptarë nga Berati, të cilët studjonin në një kolegj në Trieste”.

Pastaj në fillim të kapitullit XIII me titullin”Shkodra dhe Mirdita” Tozeri ka bërë një përshkrim të detajuar të Shkodrës ashtu siç e gjeti kur e vizitoi më 1865.

“Kur zbritëm nga varka menjëherë hymë në pazarin e Shkodrës, i cili është ndërtuar në një distancë prej dy miljesh nga qyteti i sotëm, në një pozicion të ulët e të pashëndetshëm buzë lumit, të rrëzë të kodrës së kështjellës – një masë shkëmbore e izoluar dhe e thikët (e rrëpirët), e cila ngrihej (lartësohej) bukur mbi fusha me konture të dallueshme. Shkodra thuhet se ka një popullsi prej 27 mijë banorësh dhe është deri tani vendi më i rëndësishëm i gjithë kësaj pjese të Turqisë. Ai gjithashtu mund të mburret se ka një ‘lokanda’ (hotel-restorant të vogël) shumë të bukur.” Pasi viziton pazarin, Tozeri i bën një vizitë konsullit anglez në Shkodër. Mr. Read. Në gjysmën e dytë të shek. XIX në Shkodër kishin selinë e tyre 5 konsullata europjane: austro-hungareze, italiane, franceze, ruse dhe angleze. Konsull britanik fillimisht ishte Spiridon Bonatti, përndryshe italian nga Venediku, “me prejardhje e ndjenja” [f. 17, 99]. Më vonë u caktua Francis Gilbert. Pas tij ishte Read-i.

Konsulli britanik i dha ekipit të Tozerit informacion të hollësishëm për gjëndjen në vend dhe i ndihmoi për të organizuar planet për etapën tjetër të udhëtimit të tyre. “Ai e përshkroi gjakmarrjen se ishte një hall i madh për gjithë këtë zonë. Ndonëse kushtet e gjërave nuk ishin aq shokuese (të tmerrshme) sa më parë, megjithatë, mesatarisht me një vdekje në javë nga ky shkak në këtë qytet dhe në rrethinat e tij, mund të merret me mend se sa pak siguri reale ka jeta e njeriut. Autoritetet bëjnë aq sa munden për ta paralanduar, por me të gjitha gjasat nuk ka metodë që bën efekt përveç se të syrgjynoset e gjithë familja e vrasësit. Herë pas here, kur rrëmuja (ngatërresa) bëhet e padurueshme, ekziston një zakon, i cili është transmetuar brez pas brezi që nga kohrat e lashta, që të shpallet një armëpushim i përgjithshëm, kur personave që kanë të drejtë të ushtrojnë gjakmarrjen u kërkohet të paraqiten përpara kryetarëve të fisit të tyre ose administratorëve lokalë, dhe të betohen se nuk do ta kryejnë hakmarrjen. Zoti Hecquard, i cili ishte më parë Konsull Francez në Shkodër, përmend se më 1857, si rrjedhojë e mos-shpalljes së armëpushimit për trembëdhjetë vjet, jo më pak se 500 persona që i takonin vetëm qytetit të Shkodrës endeshin andej-këtej nëpër fushat e malet rretherrotull për t’i shpëtuar gjakmarrjes. Por edhe zbutja e të keqes që mund të sigurohet (arrihet, përftohet) në këtë mënyrë, siç mund të merret me mend, është vetëm e pjesshme dhe afat-shkurtër. Zoti Read shprehu besimin e tij se autoritetet turke këtu janë të interesuar për të zbatuar një sistem të tolerancës fetare dhe përmendi, si provë të kësaj, se, nëse deri kohët e fundit i vetmi vend ku të krishterët e Shkodrës lejoheshin të takohen për t’u falur ishte një fushë në periferi të qytetit, tani ishte në ndërtim e sipër një kishë në fushë[3].

Kisha e Madhe e Shkodrës gjatë ndërtimit në periudhën osmane, rreth viteve 1860-të

Në shoqërinë e konsullit Read, ekipi i Tozerit i bën një vizitë Ismail Pashës, vezirit të Shkodrës, dhe i shprehin dëshirën atij për të vizituar kështjellën. Këtu udhëtari anglez bën një përshkrim të hollësishëm e të saktë: “Ne i gjetëm fortifikimet në gjendje të rrënuar në shumë pjesë; në fakt, ato i takojnë fortifikimeve serbe, që datojnë që nga koha kur Shqipëria e Epërme, nën titullin e provincës së Rashës (Raschia), formonte një pjesë të mbretërisë serbe. Por, nga pozicioni i izoluar i shkëmbit të lartë mbi të cilin është ngritur kështjella. Pamja është vërtet e mrekullueshme. Në veri shtrihet hapësira e gjërë e liqenit, bregu lindor i të cilit kufizohet me tokë të rrafshtë ose me kodra të buta që shtrihen gradualisht deri në rrëzë të maleve të Hotit dhe Kelmendit, kurse nga ana tjetër ngrihet muri i madh shkëmbor që e ndan nga deti, zgjatimet fundore të të cilit zhyten në fushën nën këmbët tona në bregun e djathtë të Bojanës (Bunës), duke e përfunduar kështu vargun e gjatë gëlqeror që shtrihet gjatë vijës bregdetare të Adriatikut duke përshkuar gjithë Dalmacinë dhe Malin e Zi. Lumi, brigjet e të cilit, pasi kalon pazarin, bashkohen nga një urë e gjatë e delikate prej druri, gjarpëron gjatë një shtrati të sheshtë drejt Adriatikut, ujrat e të cilit mund të shihen për së largu përmes një hapësire midis kodrave; dhe pikërisht pasi kalon përbri kodrës së kështjellës, ai merr me vete rrjedhat e kombinuara të dy lumenjve të tjerë. Njëri nga këta, Kiri, rrjedh në pjesën jugore të qytetit dhe është burim i shqetësimit të vazhdueshëm të banorëve për shkak të përmbytjeve të tij në dimër, të cilat kërcënojnë për ta fshirë gjithë vendin herët a vonë. Tjetri është një degë e Drinit, e cila u shkëput nga shtrati kryesor dy vjet përpara vizitës sonë dhe mori një kurs verior duke dalë me forcë deri në këtë pikë. Në rrëzë të kështjellës nga ana jugore, dhe të ndara nga pazari nga një kodër shkëmbore, gjënden shtëpitë gjysmë të rrënuara të qytetit të vjetër të Shkodrës; kurse qyteti i sotëm shtrihet mbi një pjesë të konsiderueshme të fushës në lindje, duke krijuar pamjen e një deti pemësh, me minaret dhe ndërtesa të tjera të larta që ngrihen mbi të – një pamje shumë piktoreske. Larg në juglindje dukeshin malet me majat me dëborë të shqiptarëve mirditorë; kurse krejt në lindje, lartësohej mbi vargmalet më të afërta një grup majash mahnitëse në drejtim të Ipekut (Pejës), njëra prej të cilave me formë piramidale. Për këto maja, të cilat quheshin ‘Bertiscus’ në kohrat e lashta, do të dëgjojmë më shumë në vazhdim.” Më tej, pasi përfundon përshkrimin gjeografik të vendit, Tozeri vazhdon me rrëfimin historik të qytetit.

Kulla e Prenk Bib Dodës në Orosh të Mirditës (Vizatim nga Henri Tozeri, 1865).

Pas Shkodrës Henry Tozer-i niset drejt Mirditës, të cilës i kushton 40 faqe (I., f. 287-326). Këtu ai bën përshkrime të hollësishme topografike të krahinës dhe të rezervave të saj (si hekur, plumb, argjend, qymyrguri, rrëshirë, lëndë drusore, pyje pa fund, etj). Pastaj shpjegon strukturën administrative të Mirditës si një aristokraci ushtarake me kryetar trashëgues, të rolit dhe autoritetit të kryetarit (të ashtuquajtur ‘Princ’), të bajraktarëve, ‘kapidanëve’ e senatorëve, përshkruan dinastinë e Preng Bib Dodës dhe tregon marrëdhëniet e tij dhe të paraardhësve të tij më Pashallëkun e Shkodrës dhe me qeverinë qëndrore osmane.