Kalabria është atdheu i ri i të parëve tanë, të cilët u detyruan të lënë trojet e tyre jo me vullnet dhe dëshirë, por të detyruar nga pushtuesit. Megjithë vuajtjen në fillim, ata ditën të trashëgojnë, të ruajnë dhe të promovojnë gjuhën, traditën, kulturën dhe çdo element tjetër të lidhur me identitetin shqiptar.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë Prof.Dr. Bajram Begaj mëngjesin e së premtes ndodhej në rajonin e Kalabrisë në një vizitë institucionale në shtetin fqinj me ftesë të autoriteteve kalabreze dhe Institutit Rajonal të komunitetit arbëresh të Kalabrisë. Kreu i shtetit shqiptar u takua mëngjesin e së premtes me Presidentin e Rajonit të Kalabrisë Roberto Oçhiuto. Takimi u mbajt në selinë institucionale të guvernatorit të Kalabrisë në Katanzaro. Gjatë takimit Presidenti Begaj tha se: “Kalabria është atdheu i ri i të parëve tanë, të cilët u detyruan të lënë trojet e tyre jo me vullnet dhe dëshirë, por të detyruar nga pushtuesit. Megjithë vuajtjen në fillim, ata ditën të trashëgojnë, të ruajnë dhe të promovojnë gjuhën, traditën, kulturën dhe çdo element tjetër të lidhur me identitetin shqiptar. Jam këtu për të falënderuar pasardhësit e rilindasve arbëreshë, të cilët kontribuan jashtëzakonisht shumë për pavarësinë e Shqipërisë dhe për forcimin e shtetit shqiptar. Ata janë një frymëzim shumë i madh për ne, model i veçantë i asaj që quhet atdhedashuri. Në fakt, këmbanat bien prej gjashtë shekujsh dhe tregojnë se sa shumë rreh zemra e shqiptarit për shqiptarinë. Do të doja që gjatë kësaj vizite të takoja çdo njeri, të rajonit tuaj. Do të doja të nderoja çdo njeri që ka një reputacion dhe autoritet të padiskutueshëm, sidomos ata arbëreshë. Aktualisht doja të falënderoja Presidentin e Rajonit të Kalabrisë për të gjithë bisedën e ngrohtë që zhvilluam së bashku. Shqipëria e shikon Italinë mike si portën hyrëse në Komunitetin Evropian. Kemi një bashkëpunim shumë të mirë politik mes dy vendeve. Kemi vizita të ndërsjella të nivelit të lartë të cilat nuk kanë ndodhur më parë.
Ata janë një frymëzim shumë i madh për ne, model i veçantë i asaj që quhet atdhedashuri. Në fakt, këmbanat bien prej gjashtë shekujsh dhe tregojnë se sa shumë rreh zemra e shqiptarit për shqiptarinë.
Po ashtu Italia zë vendin e parë në Shqipëri për shkëmbimet tregtare, por së bashku me Presidentin menduam që duhet të jetë Kalabria e para. Ne do të shikojmë në të ardhmen për të gjitha mundësitë, që mund të ofrojnë të dy vendet për bashkpunimin ekonomik dhe tregtar, në fusha me interes të ndërsjellë. Presidenti e ka arritur me vendosjen e linjës ajrore direkte dhe për 50 minuta vjen nga Tirana në Kalabri. Hapat e parë janë hedhur. Do të shohim tani mundësi të tjera bashkëpunimi nëpërmjet universiteteve dhe rritjes së shkëmbimit tregtar dhe siç e thashë, në fusha me interes të përbashkët”, -tha Presidenti Begaj. Presidenti i Rajonit të Kalabrisë, Oçhiuto gjatë takimit me Presidentin e Shqipërisë Begaj tha se: “Ne jemi rajoni me më shumë komunitete arbëreshe, kemi 33 nga 50 në Itali, e ku fakt duhet të na çojë të bëhemi ura lidhëse mes Shqipërisë dhe Europës. Ka shumë mundësi për të krijuar marrëdhënie bashkëpunimi të dobishme për Kalabrinë dhe Shqipërinë, për këtë kemi filluar tashmë të flasim me presidentin shqiptar, të cilin e falënderoj. I kërkuam presidentit të kontribuojë si përçues për qeverinë shqiptare në mundësitë e bashkëpunimit me Kalabrinë”. Vizita e Presidentit të Republikës së Shqipërisë vijon sot me takime në komunën arbëreshe Spezzano Albanese ku pritet të ketë edhe një vizitë në muzeun etnografik.




















